PD vijon akuzat ndaj INUK: Po shemben ndërtime me leje pa asnjë paralajmërim

18 Nëntor 2014, 10:48Politika TEMA

Partia Demokratike i rikthehet akuzave kundër INUK përsa i takon aksioneve për prishjen e ndërtimeve. Koordinatori Ervin Salianji akuzoi INUK për prishjen e objekteve në mënyrë të kundraligjshme dhe selektive.

“Partia Demokratike denoncon prishjen e ndërtimeve në mënyrë selektive dhe në mungesë të një procedure të rregullt ligjore, ku qytetarët e prekur nuk lajmërohen, e madje shtëpia u shembet me gjithë mobilje brenda pa i dhënë kohë familjarëve të kursejnë cfarë ka mbetur nga pasuria e tyre”, theksoi Salianji.

Koordinatori për Ndihmë Ligjore dhe Denoncimet, Ervin Salianji ishte pranë familjes Kaziu në Tiranë, të cilët edhe pse zotëronin një shtëpi 2 kate me leje, në trualin e tyre, gjithë mundi dhe investimi i tyre iu shemb nga INUK menjëherë dhe pa një lajmërim paraprak.

Sipas një njoftimi nga PD, pronari i shtëpisë, z Kaziu, një ish i përdjekur politik, shprehet se INUK i shembi kapitalin e tij të vetëm dhe ende sot ai nuk ka një njoftim zyrtar që mund të hapë një proces gjyqësor ndaj paligjshmërisë së veprimeve të INUK.

“Kjo shtëpi ka qënë kapitali im, e gruas dhe 3 djemve të mi. E kemi ndërtuar në 1998. Kishim katin e parë ndërsa të dytin se kishim mbaruar për arsye ekonomike.

Kam qënë i burgosur politik, pa ekonomi. Tani përfundimisht të arrijmë tek kjo që ndodhi sot, ku erdhi policia me shumë policë të armatosur, me INUK-un dhe kërkojnë lejen e ndërtimit. Ua çova lejen e ndërtimit. Por më thanë se do shembet shtëpia.

U kërkova të merremi vesh sepse duhej të thonin 5 ditë para. Qoftë edhe një ditë që tu jepja lejen origjinale të ndërtimit. Më thanë që nuk presim dhe menjëherë sulmuan. Nuk pritën edhe pse kishim mall brenda. Na u prish edhe malli brenda se nuk kishim kohë ti merrnim.

Shtëpia u shkri sikur nuk ekzistonte por më e rënda është se kam shkuar dy herë tek INUK-u dhe u kam kërkuar vendimin për prishjen e shtëpisë.

Më thonë që nuk është drejtoresha këtu, është urdhëri i Ministrit të Brendshëm. Me një fjalë akush nuk prononcohet edhe pse ma shembën shtëpinë.  Nuk ma japin vendimin. Kërkojmë që ta dëmshpërblehet shtëpia ose të ndërtohet siç ishte”, tha Kaziu.

Koordinatori Salianji e vlerësoi si një rast tipik selektiviteti prishjen e shtëpisë së kësaj familje. Ai u shpreh se veprimi i INUK ngjason me atë të një bande ndërsa bëri thirrje që familjes Kaziu ti dorëzohen shkresa e prishjes së shtëpisë së tyre në mënyrë që ata të kenë mundësi të hapin një proces gjyqsor.

“Qeveria, Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistik, pa i lajmëruar, pa u sjellë asnjë shkresë paraprake dhe më pas duke mos u dhënë asnjë shpjegim, duke mos u lënë as kohë që të heqin orenditë e tyre shtëpiake, ua ka kthyer në pluhur e hi të gjithë investimin e jetës së tyre.

I kërkojmë sot Inspektoratit Ndërtimor dhe Urbanistik ti japë shpresë dhe të kthejë përgjigje që qytetarët të kenë mundësi ta ndjekin në rrugë ligjore problemin e tyre që ti drejtohen gjykatës dhe të kërkojnë dëmshpërblim, ashtu siç e kërkon ligji.

I kërkojmë Kryeministrit, që institucionet të cilat kanë për detyrë zbatimin e ligjit, të mos sillen si banda por të vijnë dhe t’i japin shkresë, të sillen si qytetarë dhe njerëz të përgjegjshëm para ligjit me qytetarët, pavarësisht se ata janë të varfër, pavarësisht se janë të pamundur, pavarësisht se ata mund të jenë kundërshtarët e tij politik apo mund të jenë njerëz të clët Kryeministri nuk i sheh me sy të mirë”, tha Salianji./gj.k/

2 komente në “PD vijon akuzat ndaj INUK: Po shemben ndërtime me leje pa asnjë paralajmërim”

  1. Albi says:

    Keto duhen hetuar me te vertete, se nese ka punonjes budallenj te INUKU qe marrin perpara cfare te gjejne edhe kur te tjeret jane ne te drejte te tyre kjo eshte e rende pastaj.

  2. sherifi says:

    Po te jete tamam sic shkruhet ne artikull,ka vend per tu ripare problemi dhe INUK duhet te prononcohet urgjent ne media,megjithse te nxieresh te verteten duhen degjuar te dyja palet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje