Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrton nen për nen projektligjin “Për buxhetin e Vitit 2015”. Të ftuar në komision ishin Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përfaqësues nga Ministria e Financave.
Anëtarët e komisionit kundërshtuan dy taksa të Paketës Fiskale , për rritjen e tatimit në 15% për artistët dhe heqjen e akcizës për pijet energjike. Këto propozime do t’ia paraqesin për miratim Komisionit të Ekonomisë.
“Problemi i parë është projektligji për tatimin mbi të ardhurat. Nuk më duket normale që të barazohet tatimi i një aktori me tatimin e një batakçiu të lojërave të fatit. E drejta e autorit duhet të mbetet 10%.
Kurse, heqja e akcizës për pijet energjike është e padrejtë, humbasim më shumë se 200 milionë lekë në vit. Me këtë shumë mund të çonim 2 mijë studentë në universitetet më të mira”, tha deputeti Namik Dokle.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi mbështeti propozimin e deputetit Dokle dhe sipas tij, duhet të shikohet mundësia për tatimin e të ardhurave të krijimtarisë.
“Ne kemi tatim për pagën. Aktori merr një rrogë 500 mijë lekë dhe ne e tatojmë për një muaj, po 11 muaj të tjerë? Nëse nuk përbën problem ne do mbështesim heqjen e këtij tatimi. Sikurse do mbështes nëse FMN do kërkojë të hiqet akciza e pijeve energjike” , tha Ruçi.
Gjithashtu dhe deputetja Valentina Leskaj u shpreh se nuk mund të barazohet krijimtaria artistike me bizneset e vesit. Ndërsa, kryetarja e komisionit Arta Dade kërkoi rritje page për diplomatë jashtë vendit.
Sekretari i Përgjithshëm Qirjako Qirko sqaroi se MPJ ka përfunduar projektligjin “Për Shërbimin e Jashtëm”, i cili parashikon trajtimin financiar për diplomatët dhe familjet e tyre.
Sipas tij, në projektligj është parashikuar rritje e pagës për diplomatin në varësi të kategorizimit të ambasadave, me një rritje 20-25%. /gj.k/
E pse na qenkerka batakci nje biznesmen qe merret me lojra fati?! Nese kjo gjuhe do ishte perdorur ne perendim nga ndonje parlamentar, pronaret e kompanive te medhaja te fatit si bwin etj do i kishin paditur per fyerje deputetet. Cdo njeri qe ben nje biznes te ligjshem eshte qindra here me i ndershem se sa batakcinjte qe hane buken me taksen e paguar prej tyre.