Ministri i Brendshëm dhe ajo e Mbrojtjes zbritën në orët e paradites në Lezhë, në zonën më të prekur nga përmbytjet e një nate më parë, ku pati dhe viktima.
Ministri Tahiri mblodhi Shtabin për Emergjencat në këtë qark ku janë marrë në analizë të detajuar gjithë problematikat e evidentuara.
“Kryeministri dhe ministrat janë në ndjekje për çdo çast të situatës së krijuar. Qarku i Lezhës u përball me një situatë të jashtëzakonshme. Mbeten për të adresuar problematika që lidhen me infrastrukturën në pika të caktuara”, tha Ministri Tahiri pas takimit mbajtur në Prefekturë me drejtuesit lokalë.
Përveç angazhimit për të zgjidhur situatën emergjente të krijuar, Ministri ka premtuar se do të hartohen plane dhe projekte investimesh për të evituar situata të tilla në të ardhmen.
Ministri u bëri thirrje qytetarëve që të kuptojnë nivelin e alarmit dhe të tregohen të kujdeshëm e të bashkëpunojnë me forcat e emergjencës dhe t’i shfrytëzojnë këto momente si dëshmi e solidaritetit shoqëror.
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli theksoi se forcat e ushtrisë janë të angazhuara në Lezhë dhe komunën Kolsh, për tu ardhur në ndihmë banorëve.
“Kemi ndërhyrë dhe në qytetin e Tiranës. Shpëtuam arkivin e sigurimeve shoqërore në Tapizë”, deklaroi Kodheli.
Me çndegjoj i lumi une ,bravo….