Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes Kryetarit të Grupit Parlamentar Petrit Vasili, i ka drejtuar një apel deputetëve të Partisë Demokratike për të ndërprerë bojkotin dhe për t’u kthyer në Kuvend, ku në seancën e të hënës miratohet në parim pr/buxheti i 2015.
Vasili tha se opozita ka si detyrim kushtetues, por edhe elektoral, të jetë e pranishme në Kuvend, për të përmbushur detyrimet e saj.
Në një konferencë për mediat, Vasili theksoi se mazhoranca nuk ka vizion përjashtues dhe nuk është e lumtur që opozita ndodhet jashtë parlamentit, por ajo ka detyrën kushtetuese për të ecur përpara.
“Eshtë e pavend që opozita i mungon këtij debati të madh që është kryedebati i politikës. Besoj se është vendi për ta thënë e rithënë, të nënvizojmë se parlamenti nuk është dhe nuk ka për të qenë pronë e deputetëve.
Eshtë pronë e popullit dhe detyra në mazhorancë apo opozitë nuk është njëra më e madhe dhe njëra më e vogël.
Oponenca konsutiktive dhe me fakte siguron formësimin e alternativave të tjera. Opozita sado që të përpiqet ti shmanget, salla e parlamentit është rruga e pashmangshme e saj nëse ajo do të jetë korrekte me votat që elektorati i ka besuar.
Asnjë nuk e ndalon opozitën të ketë disa axheda, por asnjë nga këto nuk mundet dhe nuk zëvendëson dot detyrimin elektoral dhe kushtetues për ta bërë këtë në sallën e parlamentit.
Të pagabueshëm në këtë botë nuk ka, asnjë nuk ka monopolin e të vërtetës absolute, debati kthjellon dhe evidenton qartë kush ka të drejtë dhe kush jo”, tha Vasili.
Lidhur me pr/buxhetin 2015, Vasili theksoi se është një buxhet i orientuar drejt objektivave, me punë që fillohen dhe mbarohen dhe që realizojnë standarde të reja.
“Buxheti na largon nga çdo lloj aventure të karakterit ekonomik, por na bën të kemi një dimension realist të tij. Nuk ushqen iluzione të parealizueshme, por thotë qartë dhe prerë që këto objektiva madhore janë këtu dhe do të shkojnë këtu. Eshtë për tu shënuar rritja e subvencionit për bujqësinë.
Shtesat e buxhetit në arsim dhe shëndetësi janë provë se nuk mbeten thjesht prioritete deklarative, por paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë atje ku është dhe problematika kryesore”, u shpreh Vasili. /gj.k/