Partia Demokratike nuk do të jetë e pranishme në Parlament në seancën e së hënës ku do të miratohen në parim pr/buxheti i vitit 2015 dhe Paketa Fiskale.
Megjithëse partisë më të madhe opozitare i është kërkuar nga biznesi, por edhe nga mazhoranca që të ndërpresë bojkotin, burime nga PD konfirmojnë për TemA se vendimi për ndërprerjen apo jo të bojkotit do të merret pas protestës së 22 Nëntorit.
Ndërkohë në një postim në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Rama shprehet krenar për arritjet e vitit të parë të qeverisjes.
“Nesër diskutojmë buxhetin e ri; krenarë për arritjet e vitit të parë e ambiciozë për një tjetër vit domethënës në rrugën e Rilindjes që duam”, shkruan Rama.
Seanca parlamentare e së hënës është parashikuar të nisë në orën 17:00, ndërsa pritet që deputetë të mazhorancës të paraqesin vërejtjet dhe propozimet e tyre në lidhje me buxhetin dhe paketën fiskale.
Pas miratimit në parim, buxheti dhe paketa fiskale do të rikthehen në Komisionet parlamentare për diskutimin nen për nen.
Pr/buxheti i qeverisë dhe paketa fiskale janë kundërshtuar ashpër nga opozita.
Ekspertët e saj kanë argumentuar se qeveria po rrit taksat për qytetarët dhe po i ul ato për klientët e saj, ndërsa buxheti i paraqitur nuk parashikon zhvillim, por kërcënon ekonominë vendase me krizë.
Pr/buxheti 2015 parashikon rritje të ndjeshme të të ardhurave, me rreth 49 miliardë lekë, një rritje modeste të shpenzimeve dhe ulje të deficitit buxhetor dhe borxhit publik deri në 70.6% të GDP-së. /gj.k/