Pas publikimit të indeksit të TI për korrupsionin, në emër të qeverisë shqiptare ministri për Çështjet Vendore Bledi Çuçi i ka kërkuar Kuvendit që të nisë sa më parë reformimin e sistemit të drejtësisë.
Sipas tij sistemi i drejtësisë është pika kyçe nga ku duhet të nisë reforma për luftën ndaj korrupsionit.
“Në emër të Qeverisë i bëj thirrje edhe një herë Kuvendit për të nisur sa më parë reformimin rrënjësor në sistemin e drejtësisë.
Sa për ilustrim, se ku e lexojmë ne diferencën që kanë treguesit që përbëjnë apo tregojnë korrupsionin në sistemin e drejtësisë me atë të ekzekutivit, po ju përmend këtu vetëm një shembull, të marrë në një nga raportet që analizon Transparency International, atë të Indeksit të Shtetit të së Drejtës, të Projektit Botëror të Drejtësisë. Në këtë studim, vlerësimi më i ulët përsa i përket luftës kundër korrupsionit është ai i korrupsionit në drejtësi, ku Shqipëria merr vetëm 25 % të pikëve, krahasuar me 45 % që merr pikërisht ekzekutivi dhe degët e ekzekutivit.
Ky është një tregues shumë i qartë i diferencës së madhe që ka midis perceptimit që ka për korrupsionin për sa i përket ekzekutivit, Qeverisë dhe perceptimit të korrupsionit që ka sistemi i drejtësisë.
Gjithashtu, një tjetër indikator është ai i Drejtësisë Penale, ku sistemi ynë mbledh vetëm 32 % nga pikët e mundeshe, ndërsa ai i Drejtësisë Civile mbledh vetëm 37 % të pikëve të mundshme.Ky ishte vetëm një ilustrim, i cili vjen nga një lexim i detajuar i Raportit për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për 2014, që na bën të reflektojmë edhe njëherë për nevojën imediate që Shqipëria ka për të reformuar sistemin e drejtësisë’, u hspreh Çuçi.
Sipas Çuçit renditja e Shqipërisë në vendin e 110 në Indeksin e korrupsionit të Transparency International, e nxjerr vendin nga zona e kuqe dhe tregojnë se reformat po japin efektet e para pozitive. Çuçi tha se qeveria është e vendosur dhe ka një vullnet të qartë dhe të palëkundur për të kryer reforma rrënjësore për të luftuar korrupsionin.
“Sot morëm një tjetër lajm pozitiv për Shqipërinë, ndonëse jo entuziast, por gjithsesi, një lajm pozitiv nga Transparency International , e cila publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për 2014, ku Shqipëria ka filluar ngjitjen në këtë Indeks kaq të rëndësishëm dhe është ngjitur pikërisht me 6 vende.
Ndërkohë që Qeveria ka shprehur dhe ka një vullnet të qartë dhe të palëkundur për të kryer reforma rrënjësore për të luftuar korrupsionin, nga një analizë më e thelluar e studimeve ku bazohet indeksi për korrupsionin nga Transparency International del qartë se ajo çka e bën Shqipërinë të mos ketë hop cilësor në këtë indeks, lidhet me nivelin e lartë të korrupsionit në drejtësi.
Më specifikisht, nga 7 studimet të cilat përbëjnë bazën e Indeksit, ku përfshihen Indeksi i Transformimit i Fondacionit Bertelsmann, i Freedom House, Projekti Botëror i Drejtësisë, Studimi i Forumit Botëror Ekonomik mund të shihet qartazi se Shqipëria vuan nga një korrupsion në sistemin e drejtësisë civile dhe penale, nga ndërhyrjet në proceset gjyqësore, etj”, deklaroi Ministri për Çështjet Vendore./j.h