Një histori e shkurtër e gjithë kompromiseve të politikës shqiptare. Rastet e rralla kur palët janë bërë bashkë, kanë firmosur paqe të përkohshme për të rinisur sërish gjendjen e tyre të pandryshueshme: luftën me njëra-tjetrën. Dhe një vëzhgim për atë çfarë nuk ka ndryshuar asnjëherë në pluralizëm, pse politika shqiptare i ngjan aq shumë portokallit plot maja e rripa, në të cilin shumica e pakica hipin dhe zbresin me rradhë në kurriz të njëra-tjetrës?
Nga Lorenc Vangjeli, JAVA
Kompromis nuk është fjalë në shqip. Ndoshta kjo është dhe arsyeja se pse kompromisi është një bimë që nuk para rritet shumë në viset e ashpra të shqipes. Natyrisht, një gjë e tillë mund të thuhet për humor të zi, por në mënyrë serioze çdo kush mund të numërojë me gishtat e duarve rastet e kompromiseve në politikën shqiptare. Sepse në dy dekada e ca ato kanë qenë të rrallë, kanë qenë rregullisht të shkelur nga palët dhe kanë qenë përgjithësisht jetëshkurtër. Janë “firmosur” zakonisht përpara njërit breg të lumit dhe janë braktisur në fatin e kalit sapo kanë kaluar në bregun tjetër. Tentativat e ndryshme për t’i bërë kompromiset funksionalë e të dobishëm nuk kanë munguar, sidomos në rastet kur garantë të tyre bëheshin zyrtarë të huaj. Në fjalorin e shqipes politike, për shembull, nuk mungon as togfjalëshi: Mos u bëj si Vranicki!, që ju drejtohet personazheve që ngulmojnë drejt kompromisit. E meqë ata janë të rrallë në Shqipëri, edhe kjo shprehje dëgjohet rrallë në një ambient ku i forti kërkon të marrë si plaçkë lufte çdo pushtet dhe që kur bie nga pushteti, nis e kërkon në mënyrë identike pikërisht çfarë kishte refuzuar dikur po vetë.
Revista Java ka bërë një klasifikim empirik të disa prej kompromiseve më të rëndësishëm që ka mundur të bëjë e majta dhe e djathta. Janë shumë më pak sesa mendohet, nëse në këtë listë hyjnë vetëm rastet kur vërtet ka pasur një rëndësi kombëtare të tyre. Edhe pse pothuaj kurdo, brenda tyre ka pasur një hile dhe shpejt ka mbërritur dhe asgjesimi i paqes për t’i lënë vend luftës, si gjendja fatkeqësisht natyrale e politikës shqiptare në mbi dy dekada e ca pluralizëm politik.
Zgjedhjet e para pluraliste
Pakkush e kujton atë kohë të largët. Partia Demokratike, e para forcë antikomuniste në Shqipërinë që po hynte në periudhën e pluralizmit, kishte vetëm pak javë jetë. Dhe menjëherë, ashtu siç ishte parashikuar, komunistët në pushtet kishin shpallur zgjedhjet e reja që do të mbaheshin në 10 shkurt 1991. Demokratët e kundërshtonin këtë datë sepse për ta ishte e pamundur të përgatiteshin për aventurën e parë të zgjedhjeve në një kohë aq tmerrësisht të shkurtër. U bënë negociata të gjata mes palëve dhe Ramiz Alia, atëherë kreu i shtetit dhe i respektuar ende nga të gjitha palët në lojë, vendos për kompromisin e parë politik në vend: zgjedhjet e përgjithshme shtyhen. Ato vendoset të mbahen në datën 31 mars 1991 dhe kjo është data e parë e zgjedhjeve të para pluraliste në vend. Ka pak të dhëna për mënyrën sesi u arrit në këtë kompromis, por megjithatë ndodhi. Në legjislaturën që pasoi dhe që zgjati vetëm një vit, pati dhe një tjetër moment kulmor kompromisi: miratimi i ligjit për tokën, të njohur si ligji 7501. Atëherë, pavarësisht disa kundërshtive, ai ligj u votua nga të gjitha palët. Sot, ndonëse shumëkush e konsideron atë ligj si një nga shkaktarët kryesorë të leshelisë me pronat, por dhe të fateve njerëzorë në Shqipëri, ligji ende trajtohet si një tabu e paprekshme dhe si një realitet i pandryshueshëm.
1997, Vranicki
Pjesa e parë e viteve 90’ kaloi nën shenjën e forcës së ish-presidentit Berisha, një individ që solli në politikë intolerancën ekstreme. Shto edhe numrat që kishte në Kuvend, Berisha bëri çfarë dinte vetë se ishte më mirë të bënte; dhe shumëçka e bëri keq dhe në shumëçka veproi keq. Në vitin 1996, në periudhën e lulëzimit të firmave piramidale Shqipëria mbajti dy palë zgjedhje, të përgjithshmet në maj dhe ato lokalet në tetor. Zgjedhjet e majit siç u pranuan gjerësisht, ishin tërësisht të manipuluara; “hetimi” ndërkombëtar dhe vendas nuk refuzonte fitoren e mandatit të dytë të PD-së në pushtet, por hidhte poshtë atë rezultat ekstrem në favor të saj. Kryesisht me ndërhyrjen e administratës amerikane të kohës u kërkua një kompromis mes palëve, njëra nga të cilat, e majta në opozitë, edhe ishte rrahur publikisht në sheshin Skëndërbej. Berisha këmbënguli deri në fund për mospërsëritjen e votimin në 40 zona, çka përbënte gati gjysmën e vendeve të Kuvendit. Ai pranonte deri në 17 të tilla. Zgjedhjet lokale të tetorit përsëritën pothuaj besnikërisht rezultatin e 26 majit, kështu që Berisha u bind dhe ju bind gënjeshtrës elektorale që kishte gatuar vetë duke ju larguar nga pozitat e forcës kompromisit që nëse firmosej, mund të kursente shumë telashe të përgjakshme për të gjithë vendin. Dhe atë çfarë nuk bëri në verën dhe vjeshtën e vitit 1996, Berisha do ta bënte përballë kërcënimit të forcës së qytetarëve të zemëruar nga humbja e kursimeve të tyre në firmat piramidale. Në dimrin e vitit 1997, dhe sidomos në shkurt-mars, PD e PS nisën konsultime për të gjetur një zgjidhje për krizën. Shqipëria po rrëshkiste në anarki të plotë, po bëhej totalisht e paqeverisshme, por etja për pushtet nga njëra anë, mungesa totale e përgjegjshmërisë, por dhe profesionalizmit tek politika shqiptare, bëri që kompromisi të dukej ende një mollë e ndaluar. Për t’u shënuar si kronikë e kohës së çuditshme: palët ishin kaq larg njëra-tjetrës sa nuk kishin as edhe një pikë kontakti, qioftë dhe një numër telefoni për të komunikuar me njëra-tjetrën. Kontaktet mes tyre u vendosën nga disa prej gazetarëve të njohur të kohës dhe më pas, u desh që në Tiranë të mbërrinte ish-kancelari austriak Vranicki që të bindte palët që të ulëshin në tryezë. Ajo që duhej të ishte gërma e parë e mësimit të politikës në demokraci, dialogu, në Shqipëri ngjante si hapi i fundit, hapi i tmerrit që duhet të hidhej mbasi kishin mbaruar të gjitha mjetet e tjera që synonin eliminimin e kundërshtarit. Marrëveshja e 9 marsit 1997 i hapi rrugë krijimit të qeversisë së Unitetit Kombëtar dhe përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme. Ishte një kompromis që pati edhe mbrojtësit, edhe armiqtë e tij të vendosur dhe që si i tillë, kishte dy palë, të gatshme ta shkelnin atë në çdo çast për shkak të mosbesimit reciprok.
Lufta e Kosovës
Pothuajse, pothuajse, pothuajse! Pothuajse u arrit një kompromis mes PS-së në pushtet dhe PD-së në opozitë, për ironi të fatit vetëm tre muaj mbas grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998. Drejtuesit e qeverisë së re shqiptare Majko e Meta takohen me Berishën e Pollon, në një bashkëbisedim në të cilin i vënë ata në dijeni për faktin që tre muaj më pas do të shpërthente lufta në Kosovë. Në këmbim drejtuesit të opozitës ju kërkua që të mos acarronte situatën në vend. Dhe Berisha pothuaj e pranoi kompromisin, i cili në thelb, ishte lëvizja që e ringjalli atë politikisht në Shqipëri.
Zgjedhjet 2001, më pas Moisiu
Katër vjet më pas ishte rradha e demokratëve që të ankoheshin për manipulim të zgjedhjeve të vitit 2001. Epopeja e denoncimit të këtyre zgjedhjeve tek faktori ndërkombëtar nga zoti Berisha ishte vërtet epike dhe mundi të cënojë legjitimitetin moral të shumicës absolute të majtë të dalë nga zgjedhjet. Si e tillë, kryesisht për shkak të faktorin ndërkombëtar, por sidomos dhe për shkak të lojës së luftës për pushtet brenda pallatit të së majtës, palët arrijnë të bëjnë një kompromis të paimagjinueshëm për kushtet shqiptare. Elementët e tij ishin disa, kryesori zgjedhja e presientit me konsensus, largimi i prokurorit të përgjithshëm dhe shefit të SHIK-ut të asaj kohe. Nano e Berisha, të cilësuar si gjeneratorët njerëzorë të të gjitha krizave në Shqipëri, befas bënë paqe me njëri-tjetrin, sipas një skeme që ka pak, shumë pak dëshmitarë. Sipas shumë dëshmish, megjithatë, kompromisi përfshinte qeverisje të qetë të Nanos për tre vjetët e mbeturt të mandatit dhe “transferim” të pushtetit butë e me votë tek Berisha në 2005-ën, e më pas, edhe një Nano në postin e Presidentit të Republikës. Kush e kujton Tiranën poliutike të asaj kohe, edhe sot mund të habitet nga ajo heshtje e zemërimit dhe dashuri e epërme mes ish-armiqsh. Në verën e vitit 2002 ata zgjedhin Moisiun si president. Largohet shefi i SHIK-ut, zëvendësohet prokurori i përgjithshëm dhe gjithçka dukej e përgjumur. Por mes dy hilacakësh profesionistë të politikës si kjo dyshe, paqja nuk do të zgjaste shumë. Lufta nisi, sipas disa dëshmish, edhe për shkak të talljes së vazhdueshme të Nanos që pretendonte se e kishte futur në kafaz kundërshtarin e tij që nuk arrinte të kafshonte më. Kishte ardhur koha e armiqësisë sërish. Kompromisi kishte vdekur.
Rikthehet Nano
E dinin shumë pak vetë. Madje edhe bashkëpunëtorët më të afërt të tyre u gjendën të suprizuar, kur në mes të janarit 2007, në Pallatin e Brigadave, Berisha dhe Nano shtrëngonin duart dhe jepnin një shfaqje të pabesueshme dashurie të rigjetur. Ajo që u quajt kompromisi më i madh i armiqve të betuar i la të gjithë me gojëhapur, por solli pasoja të ndryshme tek të dy. Nano u distancua edhe më tej me partinë e tij, ku nga figurë e adhurueshme, filloi të konsiderohej tradhëtar, kurse për Berishën, ajo nuk solli asnjë dobi praktike. Një aleat i tillë i ri, i pamendueshëm më parë, nuk i shtoi votat e premtuara në zgjedhjet lokale të atij viti dhe për më shumë, në këmbim, nuk i dha asnjë votë nga të tijat në Parlament, në garën presidenciale të qershorit të të njëjtit vit.
Lokalet 2007
Edi Rama kishte dy vjet që kishte marrë kryesinë e PS-së dhe kërkonte mandatin e tretë të tij për bashkinë e Tiranës. Zgjedhjet ishin planifikuar të mbaheshin në shkurt 2007, por problemi i identifikimit të zgjdhësve ishte bërë një kokëçarje e madhe mes palëve në garë që i ndante një mosbesim total. Nga njëra anë Berisha që mbronte votimin edhe me çertifikatë, nga ana tjetër Edi Rama që nuk e pranonte një gjë të tillë si mundësi e pafundme për manipulim. Ish-presidenti Moisiu i thirri në presidencë përfaqësues të të dy palëve dhe ata kanë negociuar me ditë të tëra me njëri-tjetrin. Sipas legjendës urbane të asaj kohe në Tiranë që shtypi e përcillte edhe me seriozitet, edhe me tallje, negociatorët hapin pizza në ambientet zyrtare të presidencës në një përpjekje për të gjetur kompromis. Dhe më në fund, nën kujdesin e Presidentit të Republikës kompromisi u arrit dhe zgjedhjet e kërcënuara lokale u arrit të mbaheshin, përgjithësisht në normalitet.
Poshtë kushtetuta, rroftë kushtetuta!
Ishte viti 2008. Një vit shumë i veçantë për Shqipërinë. Në 15 mars shpërthen tragjedia e Gërdecit në një skandal ku ishte përfshirë me struktura të tëra të saj ushtria shqiptare. Vetëm dy javë më pas, Shqipëria priste ftesën për anëtarësim në NATO. Rama bën lëvizjen më të pamendueshme për një politikan shqiptar: tejkalon ngërçin e Gërdecit, lutet zyrtarisht edhe ai për ftesën për antarësim, por ndërkohë kishte pasur një llogari të hapur me mendjen e tij. Atëherë kur të gjithë prisnin radikalizimin e opozitës në kushtet absolutisht më të favorshme për të, Rama kishte nisur të negocionte fshehurazi me Berishën për një kompromis gjithashtu të pamundur shqiptar: ndryshimet kushtetuese. Një gjë e tillë u bë brenda një nate me shumicë dërmuese votash, kryesisht në kurriz të pluralitetit në vend dhe krijimit të bipolaritetit politik sipas versionit: fituesi i merr të gjitha. Deri në ditën e fundit të 21 prillit 2008, palët patën hile të vogla përballë njëra-tjetrës, si për shembull kompetencat e presidentit apo dhe mënyra e zgjedhjes së tij, por nguti për të bërë kompromis triumfoi në të gjithë elementët e tij.
Zgjedhjet, zgjedhjet, zgjedhjet
E majta hyri me shumë votëbesim në zgjedhjet e vitit 2009. E bindur se fitonte thellë, e majta bëri gjithçka të mundur që të humbiste epërsinë e saj të janarit 2009 dhe që të arrinte gjashtë muaj më pas, mbas shpinës së një maxhorance që kishte fituar fiks 70 vota. Në fakt, me shumë mënyra të papranueshme nga kodi zgjedhor. Por fituesi nuk kishte kohë për të humbur. E teksa opozita niste kalvarin e gjatë të protestave me kërkesën për hetim parlamentar të zgjedhjeve duke bojkotuar edhe parlamentin, qeveria nisi të lëshojë sinjale se mund të diskutonte gjithçka, me përjashtim të hetimit. Kjo situatë zgjati për gati një vit, deri në maj 2010, kur greva e urisë e PS-së u mbyll me premtimin se darka tek Krokodili francez do të sillte dhe kompromis për politikën e lodhur shqiptare. Në të vërtetë, Berisha refuzoi edhe atë që kishte premtuar dhe i dogji fletët e votimit, pa ngritur kurrë komisionin hetimor parlemantar. Por më e keqja për PS-në nuk kishte ardhur akoma: në 21 Janar 2011, demonstrimi i saj mbytet me gjakun e katër demonstruesve dhe në maj, vetë Ramës i marrin bashkinë e Tiranës me procedurën e tavolinës. Palët dukeshin më larg se kurrë. Por në Shqipëri, çfarë vjen nga politika është më së paku shumë e përkohshme. Dhe kështu ndodhi.
Politika si portokall
Një kronikë e politikës shqiptare në këto vite të pluralizmit mund të japë një pamje të pandryshueshme të saj: opozita ka gjithmonë të njëjtat probleme, për shembull pabarazi në proceset zgjedhore, manipulim të rezultateve, dhunë që ushtrohet kundër saj. Këto janë probleme që nuk ndryshojnë nga ngjyrat e ndryshme që kanë pasur opozitat në Shqipëri. Këto kalvare ka kaluar PS-ja, këto kalvare ka kaluar dhe PD-ja duke dëshmuar se politika shqiptare i ngjan një portokalli me maja dhe rripa, në të cilin pushteti hip e zbret me rradhë. Tani është hera e PD-së që mbas mallkimeve të pafundme që i ka bërë bojkotit të Kuvendit nga kundërshtarët e saj, të jetë në ditët e fundit para djegies kushtetuese të mandateve të saj. Dhe të qëndrojë në pritje të një “deus ex machina”, domethënë, në pritje të të huajve që zbresin me avion në Tiranë për të gjetur një kompromis mes palëve. Kjo pritet të ndodhë në këtë javë dhe javën e ardhshme. Si për të kuptuar dhe njëherë tjetër se gungën e gungaçit, e drejton vetëm Perëndia. Një Perëndi, që e “mishëruar” në formën e partnerëve ndërkombëtarë që vizitojnë Tiranën, me siguri nënqesh me bezdi e ironi kur shohin sa arrë gungë është politika shqiptare. Dhe sa e pagdhendur për shkak të mungesës së dialogut.
Ashtu sic eshte karakteri i shqiptareve ashtu eshte dhe ai i politikaneve shqiptare, si rrjedhim po ashtu eshte dhe politika, s’mund te presim mrekullira, no comment
ne fakt deri diku ke te drejte pasi shpesh themi qe ky popull meriton ma shume po une mendoj se edhe kete qe ka e ka shume se eshte popull budalla
http://bit.do/SEX-me-te-medhenjte
titulli duhet te ishte kur puthen pederaste ose kurvat.
Doktor Saliu dhe piktor Edi po i bejne gjimnastike kineze kombit shqiptar: majtas – djathtas!
Dhe puthen qelbesirat e kombit…
Po te vem re, kompromiset jane bere mes dinosaureve te politikes duke mos perfshire qytetaret ne ZGJIDHJET e medha per vendin. Kjo pikerisht sepse politika nuk do te NDAJE pushtet me qytetaret, por ta trasferojne butonin nga nje dore tek tjetri me premtimin per NDRYSHIM PA NDRYSHIM dhe pa humbje te privilegjeve. Atje ku dominon Privi/legji humb Ligji.
Tallin allatat me popolo albaneze!