Babai i një prej viktimave të vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Selitë, e cila fillimisht u raportua se ndodhi për grabitje, hedh dyshime se krimi nuk ka ndodhur për këto arsye.
Gëzim Shaba, babai i Ervin Shabës, thotë se djalin e tij e kanë marrë në telefon me numër të fshehtë dhe kishte dalë më rrobat e gjumit nga shtëpia.
Gjë që sipas tij, tregonte se i biri do të kthehej sërish në shtëpi.
Sipas tij, djalin e tij mund ta kanë marrë për ta vrarë diku dhe më pas e kanë çuar tek shtëpia e Flamur Ymerit, për ta treguar si grabitje.
“Djali im ka dalë nga shtëpia rreth orës 01:30 minuta të natës së të martës dhe nuk është kthyer më në banesë, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur mëngjesin e ditës tjetër.
Djali im ka qenë në shtëpi, e kanë marrë në telefon me numër të fshehtë dhe ai ka dalë te porta jashtë me rroba gjumi, edhe portën e ka lënë hapur, – veprime që tregojnë se ai do kthehej sërish në shtëpi. Unë jam i sigurt se djalin tim atë natë e ka thirrur dikush për ndonjë sqarim dhe prej asaj nate ai nuk u kthye më në shtëpi”, ka thënë ai për “GSH”.
“Unë dhe familja ime kemi dyshime të forta se ngjarja nuk ka ndodhur fare në banesën e Flamur Ymerit. Edhe shokun e djalit tim atë natë e kanë marrë në telefon me numër të fshehtë dhe dy djemtë janë takuar me një person të tretë, që nuk e dimë se kush është, dhe mendojmë se janë vrarë që atë natë jashtë shtëpisë së Flamur Ymerit. Madje, mendojmë se ai nuk i ka vrarë vetë, por i kanë vrarë persona të tretë, të cilët kanë lidhje me Ymerin”, thotë më tej ai./b.l