Luis Enriken e pret një javë e vështirë.
Një ditë pas disfatës në Anoeta, e treta në La Liga dhe e katërta për gjithë sezonin për Barcelonën trajneri asturian akuzohet si përgjegjësi kryesor për humbjen nga mediat katalanase, që në vend të ngushëlloheshin nga disfata e Realit, kanë ngritur tonet e kritikave, duke e konsideruar rrëshkitjen ndaj Sociedad një shans të humbur nga Barca në luftën për titullin, raporton Sport News.
E përditëshmja “Sport” është me tone te ashpra në akuzat e saj ndaj trajnerit të blaugranave.
“Luis Enrike humbet pikët” është titulli i saj, ashtu si shumica e mediave të tjera spanjolle.
“Sport” kritikon ashpër mungesën në formacionin titullar të Mesit, Neimar dhe Dani Alvesh, të cilët hynë në lojë vetëm në pjesën e dytë, ndërkohë që në faqet e brendshme të gazetës opinionisti i “Sport”, Josep Kapdevila në kolonën e tij të titulluar “Luis Enrike trazon tifozët e Barcelonës”, shkruan se ndeshje pas ndeshje po kuptohet se problemi i kësaj Barcelone nuk është sjellja në fushë, por futbolli që luan dhe kjo është dicka për tu shqetësuar.
“Sport” gjithashtu publikon edhe rezultatet e një sondazhi të realizuar me lexuesit e saj, me 95% e të anketuarve që sinjalizojnë Luis Enriken si fajtorin për disfatën në San Sebastian, ndërsa në fund nënvizon se Barcelona e Enrikes ka koleksionuar 4 ndeshje pa shënuar asnjë gol në 17 javë kampionat, ndërsa Barcelonës për të arritur te një numër i tillë ju deshën 27 ndeshje.
“Çfarë turpi!’ është titulli i të përditëshmes tjetër katalanase “El Mundo Deportivo”, ndërkohë që në edicionin online të kësaj përditëshmjeje shkruhet se Luis Enrike humbet besimin.
“El Mundo” shkruan ndër të tjera se Barcelona nuk i mëson leksionet pasi Anoeta ishte vendi ku u gropos Tata Martino dhe i njëjti vend mund të rezultojë i tillë edhe për projektin e Luis Enrikes, me gazetën shumë pranë Barcës që nënvizon se besimi te trajneri asturian ishte celësi i gjendjes shpirtërore të tifozëve të Barcelonës, që tashmë ndihen të zhgënjyer nga sjellja e tij arrogante që shkaktoi një humbje të pajustifikueshme.