Fillimi i sesionit të ri parlamentar do të shënojë edhe rregullimin e situatës në KQZ, e cila prej prillit të 2013-s funksionon vetëm me 4 anëtarë.
Duket se mazhoranca ka hequr dorë nga zëvendësimi i kryetares aktuale të këtij institucioni. Në këtë mënyrë, Lefterie Luzi do të drejtojë edhe zgjedhjet vendore të 2015-s dhe me shumë gjasa do të përfundojë mandatin e saj të plotë, shkruan Dita.
“Nuk shoh arsye që të preket kryetarja. Kryetarja është në detyrë”, deklaron ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi.
Por edhe pse kryetarja e KQZ-së, Lefteri Luzi do të vazhdojë të drejtojë KQZ-në, mazhoranca është e vendosur të marrë shumicën në këtë institucion.
Burime nga shumica parlamentare bëjnë të ditur se një prej rrugëve për të marrë 4 anëtarët e KQZ-së është që të zhbëhet vendimi i parlamentit për shkarkimin e Ilirjan Muhos si anëtar i këtij institucioni, pasi për shumicën aktuale, ky vendim i marrë nga legjislativi në prillin e 2013-s është i paligjshëm.
Me zëvendësimin e Klement Zgurit me Ilirjan Muhon në KQZ, PS do të plotësoje dy vendet vakante të krijuara nga dorëheqja e Denar Bibës dhe Albana Shtyllës, ndërsa ende nuk dihet nëse anëtari i tretë do t’i jepet partisë së Vangjel Dules apo aleatit tjetër të socialistëve, Mark Frrokut.
Në këtë mënyrë, edhe pse koalicioni qeverisës nuk do të ketë drejtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ai do të ketë 4 vota dhe do të kontrollojë rrjedhimisht pjesën më të madhe të vendimeve. Problem do të mbetet sërish miratimi i atyre vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar, pra 5 vota.
Të tilla janë edhe miratimi i listave zgjedhore, shpallja e rezultatit, ndarja e mandateve etj. Në këto raste, mazhoranca do të jetë e detyruar që t’I drejtohet Kolegjit Zgjedhor, i cili do të “noterizojë” edhe vendimin që nuk mund të marrin anëtarët e KQZ-së.