Pak orë pas atentatit me eksploziv në makinë të drejtorit të burgut të Fushë Krujës, ministri i Drejtësisë urdhëron forcimin e masave të sigurisë në burgje.
Gjithashtu, ai kërkon informimin në mënyrë periodike-ditore mbi situatën dhe zhvillimet e brendshme të këtij sistemi.
“Me marrjen e njoftimit mbi ngjarjen, ministri i Drejtësisë, z.Nasip Naço ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për marrjen e masave që do të mundësojnë forcimin e sigurisë në sistemin penitenciar në tërësi, duke informuar në mënyrë periodike-ditore mbi situatën dhe zhvillimet e brendshme të këtij sistemi.”
Gjithashtu ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, inkurajon organet përkatëse të vënë sa më shpejt përpara përgjegjësisë autorët, ndërkohë që janë marrë të gjitha masat që kjo ngjarje e rëndë të mos ketë asnjë pasojë dhe të mos ndikojë në mbarëvajtjen e mëtejshme të punës në sistemin penitenciar.
Ministria e Drejtësisë i gjendet pranë z. Arben Suloj dhe familjes së tij, ndërkohë që shprehim vullnet të plotë për të vijuar punën në forcimin, ruatjen dhe zbatimin e plotë të ligjit duke mos u tërhequr përballë ngjarjeve të tilla”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Drejtësisë.