Trishtimi grek dhe apatia shqiptare

25 Janar 2015, 14:18Blog TEMA
Trishtimi grek dhe apatia shqiptare

Ilir Yzeiri

Zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Greqi, të dielën, më 26 janar, kanë tërhequr vëmendjen e gjithë opinionit mediatik europian e më gjerë, sepse kandidati që parashikohet si fitues në këto zgjedhje, Syriza, po përpiqet t’i japë një përgjigje trishtimit të thellë grek, duke shpallur tani në fushatë se ai do të kundërshtojë politikën e shtrëngimit që Europa ka aplikuar ndaj Greqisë për shkak të borxhit skandaloz e tragjik në të cilën e kishin futur vendin elitat politike për vite e vite me radhë. Gjithë ky patetizëm negativ dhe retorika e heroizmit pa ide e kanë bërë Syrizën popullor në Greqi dhe nuk është çudi që ai të dalë fitues nga këto zgjedhje. Është tjetër gjë se si do të sillet ai pasi të ulet në poltronin e kryeministrit. Ajo që ka interes tani është se Syriza përfaqëson një pjesë të madhe të europianëve të zhgënjeyer me Europën. Ai përfaqëson edhe trishtimin portugez, spanjoll dhe italian, ai, në një farë mënyre, për shkak të mungesës së traditës së gjatë europiane, ka gjetur përkrahje të gjerë në popullin folklorik grek, gjë që nuk ka ndodhur me Grillon në Itali. Grekët po paguajnë mendjelehtësinë ballkanike dhe orientaizmin europian që manifestuan sa kohë që bilancet dhe financat e tyre nuk i kontrollonte njeri. Në vitet ’90 Greqia ishte një model për në shqiptarët që dolëm nga diktatura dhe për, hir të së vërtetës, ndihma e Greqisë dhe e Italisë sidomos, nuk duhen harruar kurrë. Në atë vend gjetën punë, shtëpi dhe ndërtuan një mirqënie dinjitoze mijëra e mijëra shqiptarë. Mirëpo, sot, Greqia po bëhet gati t’i thotë jo Europës së shtrëngimit, të rregullave, sot Greqia ka zgjedhur që të kundërshtojë vendimet e Bashkimit Europian për mënyrën se si duhet ta shlyejë borxhin skandaloz që ka në shpinë. A do të arrijë Syriza që të mbajë premtimet që ka bërë? Për hir të së vërtetës, klasa politike greke megjithë defeketet që ka, për një gjë duhet përshëndetur, përkatësisht për respektimin e procedurave demokratike. Syriza është pjesë e asaj elite. Nëse ai nuk e realizom plotësisht programin e tij, nuk e ka për gjë që të japë dorëheqjen. Institucioni i dorëheqjes njihet në atë vend si një vlerë demokratike. Rasti i fundit kur Parlamenti grek nuk arriti të zgjedhë Presidentin dhe shkoi në zgjedhje të parakohshme e ilustron këtë që sapo thashë. Kujtoni se çfarë ka ndodhur këtu te ne që nga zgjedhje e Bamir Topit kur Fatosi shiti ose i shkëmbeu si në një ex-change katër deputetë në mënyrë që vendi të mos shkonte në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që askush të mos rrezikonte pushtetin. Po le të kthehemi të kriza greke. A do ta shpëtojë Greqinë retorika negative e Syrizës? Duhet të presim. Ajo që thonë të gjithë ekspertët është se Greqia do shumë e shumë kohë që të dalë nga kriza e rëndë ku është futur.

 

Nëse do të kthejmë sytë nga Shqipëria, këtu jo vetëm që nuk ka një reflektim të thellë për atë që ndodh në Greqi, por në mënyrë qesharake, Tritan Shehu boton një shkrim për të mbështetur një parti që është e afërt me PD-në sikur të ishte ndonjë zëdhënës i humbur nga ndonjë ishull i Greqisë. Në asnjë rast tjetër kriza greke nuk ka qenë objekt për refleksion. Shqiptarët dëgjojnë të flitet për borxhin publik, por nga që nuk e kanë ende të lidhur fatin e tyre me fatin e shtetit shqiptar, e shohin këtë si një problem mes palëve politike dhe ose hymnizojnë arkitektin e shkatërrimit të ekonomisë shqiptare përmes borxhit publik, Sali Berishën ose me gjysmë zëri mbështesin aksionet e qeverisë së sotme për ta ndalur atë rrokullisje drejt greminës ku ishte futur Greqia. Situata duket pardaoksale. Greqia është e nervozuar, e mërzitur, gati e urryer me Europën, ndërsa në shqiptarët e kemi ëndërr Europën. Për shumë kohë është spekuluar me identitetin europian dhe ngjarjet e fundit treguan se shqiptarët që kanë një popullsi të gjerë myslimane, megjithatë janë europianë nga më të vjetrti në Ballkan dhe e kanë dëshmuar se janë të tillë edhe në bashkekzistencën me europianët e tjerë. Në qoftë se problemi i identitetit ishtë në një farë mënyrë faza romantike e afrimit me Europën, ekonomia është faza realiste e bashkëjetesës me të. Greqia, të paktën, sa i përket vendeve ballkanike është dëshmia kuptimplote se diferencat e bashkëjetesës ekonomike mes nesh dhe europianëve janë të llahtarshme. Aktualisht, për hir të së vërtetës, qeveria e Edi Ramës po kryen reforma të guximshme dhe të thella. Ajo e ka ndalur rrokullisjen e borxhit publik, po lufton të vendosë kontrollin mbi territorin dhe Lazarati është një provë, po përballon me kosto të lartë luftën për të paguar energjinë elektrike e megjithatë ende nga Europa nuk ka një sinjal të qartë për mbështetjen e projekteve ekonomike. Shqipëria, ashtu si Greqia është futur vetë në morsën e masave shtrënguese dhe të gjithë po e shohim se kjo e ka pasur një kosto gjithsesi, mirëpo, krahas kësaj, do të duhej të shihnim se ku do të shkojë Shqipëria nga ana ekonomike. Shkatërrimi i sistemit informal të ndërtimeve pa leje, të universiteteve private dhe të gjithçkaje tjetër, do të duhej të shoqërohej me zgjerimin e mundësive, kapaciteteve dhe garës. Mirëpo Shqipëria mbetet ndër vendet tipike që po ndërton një kapitalizëm jo sipas modelit të konkurencës, por të klientelës. Militantët politikë janë të vetmit njerëz konkurues në këtë vend dhe gara apo konkurenca zhvillohet mes atyre që vijnë në pushtet dhe atyre që lënë pushtetin. Po të shohësh deklaratat e opozitës së sotme do të vëresh se lufta e tyre politike ka vetëm një objektiv – të mbrojë militantët. Shqipëria ngjan e ndarë mes repartesh ushtarake militante dhe konkurenca kapitaliste kuptohet vetëm si garë për t’ia hipur njërit e për t’ia zbritur tjetrit. Kohët e fundit në Tiranë po qarkullon një legjendë urbane sa i takon Televizionit Publik Shqiptar. Drejtuesit aktualë të këtij institucioni thonë me siguri lart e poshtë se TVSH-në do ta marrë LSI-ja, se ajo komandohet nga zyrat e kuadrit të asaj partie, etj. Nëse sot aty janë punësuar edhe më qindra vetë mbi kapacitetin kjo ndodh se TVSH-ja është e LSI-së, thonë ata dhe kjo ka marë fund, ata mund të bëjnë çfarë të duan aty. Aferim ! Kjo është një legjendë urbane. por edhe legjendat më mistike kishin një të vërtetë. E vërtetë nuk ishte ngjarja, e vërtetë ishtë filozofia. Me atë që po ndodh në Shqipëri pse të mos e besosh edhe këtë legjendë si filozofi të konkurencës në Shqipëri?

1 komente në “Trishtimi grek dhe apatia shqiptare”

  1. safo says:

    U be si mode tani, kushdo merr penen dhe shkruan artikuj per Greqine, aq me shume Iliri qe ka jo shpesh nje qendrim objektiv ndaj dukurive shoqerore. Por edhe ai nuk ka mundur ti shpetoj injektimit te informacionit qe zakonisht jepet me syrin e interesave te caktuara. Para 5 vitesh borxhi i Greqise perbente 120% te prodhimit te pergjithshem bruto dhe Greqia nuk mund te paguante dot as interesat pa le me borxhin. Duket sikur u gjet nje zgjidhje, shtetet europiane dhe banga boterore blene borxhin e bankave private dhe tashme Greqia ja ka kete borxh disa shteteve europiane. Atehere keto krijuan nje mekanizem, qe Greqia te mos shpallte falimentin, ti jepeshin asaj pare borxh per te paguar interesat dhe me detyrimin per te bere strukturime ne ekonomi. Rezultati eshte qe masat e marra ndaj Greqise pas 5 vjetesh sollen qe borxhi jo vetem te mos zvogelohej por te rritej nga 120% e prodhimit te pergjithshem bruto ne 180%. Te ashtuquajturat paketa borxhi qe i jepeshin greqise ne fakt ishin vetem letra transaksoni dhe asnjehere keto para nuk arriten ne Greqi, ato riktheheshin tek borxhllinjte direkt nga banga qendrore europiane.
    Edhe nje tuaf e kupton se borxhi eshte shume me i madh sesa mundesia per ta paguar ate dhe pas pese vjetesh te tjera prashikimi eshte qe ky borxh te arrije mbi 300% e vleres se pergjitheshme e produktit bruto. Reformat qe u ndermoren nen detyrimin e trojkes sollen tkurrjen e metejeshme te ekonomise. Politika e ndjekur ndaj Greqise nuk solli praktikisht asnje rezultat. Ne keto kondita lindi problemi se si mund te dilet nga ky lemsh. Njera zgjidhje eshte qe Greqia te shpalle falimentin ashtu si nje kompani, nje praktike e njohur kjo ne sistemin kapitalist. Rruga tjeter eshte per rishikimin e borxhit i cili eshte shumfishuar edhe si rezultat i normave te larta te interesit qe fajdexhinjte europiane i kerkojne greqise. Pikerisht e njejta gje u be me Gjermanine ne 1953, borxhet e saj te reparacioneve te luftes u ristrukturuan ose u eleminuan. Dhe Cipra, kryetari i Sirizes thote se kur nje gje e tille eshte bere me nje vend i cili kreu krime lufte te tmereshme, perse te mos behet dhe me Greqine.
    Nga ana tjeter Gjermania kur pushtoi greqine ne 1942 morri nga Greqia “hua te detyrueshme” ne shumen e 3.500.000.000 Μάρκων,pervec arit te grabitur. Kjo, duke qene “hua”, duhej ti kthehej shtet grek (nuk po flasim per reparacionet e luftes). Kjo shume parash e konvertuar sot perben nje borxh afer 300 miliard evro qe Gjermania i ka Greqise (aq sa eshte sot borxhi i Greqise), nderkohe qe Gjermania e sotme i dhene Greqise veten 60 miliarde evro borxh.
    Qe te sherbehet nje borxh, vendit borxhli duhe ti jepet mundesia ta beje ate, por pa strukturim te borxhit kjo eshte e pamundur dhe ky fakt eshte pranuar gjithe ekonomistet e pavarur qe nuk perfaqesojne interesat e bankave.
    Vlen megjithate te thuhet se pjesa me e madhe e ketij borxhi i eshte dhene bankave duke e quajtur kete si borxh te vendit,gjete te cilen psh Islanda e refuzoi me kete argument: kur bankat ishin ne fitim ato nuk i ndanin fitime me popullin. Pse atehere borxhi i dhene bankave greke duhet te konsiderohet borxh i shteti dmth i popullit? Keto jane disa hollesi qe shumica e njerezve apo gazetareve folklorike nuk i dine, por ato perbejne kycin e domosdoshmerise se negociimit te borxhit. Dhe pikerisht kete synoon te beje Siriza. Nuk mund te marresh borxh per te shlyer nje borxh tjeter ne kohen qe pagesat e borxhit shkojne vetem per interesat dhe jo borxhin fillestar.
    Te pakten le te sherbeje si shembull se cmund te beje nje klase e korruptuar politike, qe ndersa e ka varferuar vendin, vete keta individe jane pasuruar. Psh ne disa vite Berisha morri borxh ndaj kompanive dhe ndertoi rruge e hidrocentrale. Ne fakt ai i detyroi kompanite te punojne dhe ato shkuan me shprese per ti marre keto para ne te ardhmen. Sikur sundimi i tij ne shqiperi te kish zgjatur edhe disa vjet, keto borxhe do dyfishoheshin apo trefishoheshin ne ate mase qe shqiperia nuk do te mund ti paguante, po te mos e kishte marre PS pushtetin dhe lidhur mareveshje me Bangen boterore per ti paguar ato.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje