Mesfushori i Mançester Junaited, Angel Di Maria, beson se bashkëatdhetari i tij i Barcelonës, Lionel Mesi do të ishte i lumtur që të punonte me trajnerin e Çelsit, Hoze Murinjo.
27-vjeçari është përfolur shpesh për një transferim nga “Kamp Nou” në muajt e shkuar dhe Çelsi është një ndër klubet që raportohet se mbajnë nën vëzhgim situatën e tij.
Duke qenë se ka punuar si me Mesin, ashtu edhe me Murinjon, Di Maria nuk ka dyshim se të dy do të punonin pa problem bashkë nëse bashkëatdhetari i tij do të vendoste për t’u transferuar në “Stamford Bridge”, edhe pse Di Maria pret që Mesi të qëndrojë te Barcelona.
“Nuk besoj se Mesi do të kishte ndonjë problem për të punuar me Murinjon”, – tha Di Maria për faqen zyrtare të FIFA-s, duke shtuar:
“Megjithatë unë mendoj se Leo nuk do të largohet nga Barcelona. Është e vështirë të largohesh nga një klub që të ka dhënë gjithshka, ku praktikisht je rritur”.
Ish- mesfushori i Realit të Madridit më pas diskutoi në lidhje me krahasimet mes Mesit dhe Kristiano Ronaldos duke u shprehur:
“Gjithmonë e kam thënë, ata të dy janë futbollistë krejtësisht të ndryshëm. Leo është protagonist në çdo ndeshje me shpërthimet e tij, dribilimin e dy apo tre futbollistëve dhe kontrollin fantastik të topit në hapësirat e vogla. Kristiano ka të bëjë më tepër me potencën dhe goditjet nga distanca. Nëse unë do të isha FIFA, do të jepja dy Topa të Artë, një për Mesin dhe Ronaldon në luftën ndërmjet tyre dhe një për gjithë të tjerët”.