Dy klubet e Mançesterit, Junaited dhe Siti, kanë hedhur vështrimin nga Karlo Anceloti, të cilin dëshirojnë ta kenë në stolin e skuadrave të tyre sezonin e ardhshëm.
Lajmi i bujshëm është publikuar nga e përditshmja spanjolle AS, e cila i referohet burimeve që vijnë nga Sky Sports.
Luis Van Gal dhe Manuel Pelegrini nuk i kanë bindur për asnjë moment drejtuesit e “Djajëve të Kuq” dhe “Citiziens”, dhe këta të fundit po mendojnë për Ancelotin.
Tekniku italian ka një kontratë me Realin e Madridit deri në verën e vitit 2016, por një fakt i tillë nuk do të thotë se 55-vjecari nga Rexhio Emilia nuk mund të largohet nga “Los Blankos” në përfundim të këtij sezoni.
Me humbjen 4-0 ndaj Atletikos, Anceloti i ka humbur disi kreditet në sytë e presidentit Florentino Perez dhe pavarsisht se sezoni i tij i parë me Realin ishte me të vërtetë fantastik, Karleto mund të largohet nga klubi merengues në fund të sezonit.
Skuadrat e Mançesterit janë duke qëndruar në pritje dhe janë të gatshme ti rihapin dyert e Premier Ligës, Ancelotit, pas eksperiencës që ky i fundit pati me Çelsin disa vite më parë.
Por, duke lënë mënjanë cështjen e të ardhmes së tij, trajneri italian më parë duhet të mendojë se si ta mposhtë Barcelonën në “El Klasikon” e radhës.
Ndeshja e cila me shumë mundësi do të vendosë fatet e La Ligas në këtë sezon do të zhvillohet të dielën e 22 marsit në orën 21.00.
Ishte vetë Federata Spanjolle e Futbollit që e zyrtarizoi një fakt të tillë.