Të manipulosh me fatkeqësinë

13 Shkurt 2015, 11:58Blog TEMA

 Nga Imer Mushkolaj

 

Në vend që të reflektojnë e të punojnë për ndaljen e migrimit, qeveritarë e oborrtarë të tyre përpiqen të manipulojnë me qytetarë të shkretë që po ia mësyjnë Europës. Dëshpërimisht provojnë të na bindin se gjithçka është veç një mashtrim optik dhe fajësojnë mediat për projektim të një tjetër realiteti

Harroni pamjet trishtuese të autobusëve me qindra vetë që çdo natë nisen nga Kosova drejt Serbisë. Harroni skenat tmerruese të qindra kosovarëve gra, burra e fëmijë që në të ftohtë ecin maleve të Hungarisë. Harroni arsyetimet e shumë prej tyre se po largohen nga vendi për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe në kërkim të një jetë më të mirë. Harroni edhe statistikat e azilkërkuesve nga Kosova në vendet e Bashkimit Europian. Harroni gjithçka për eksodin masiv të kosovarëve gjatë muajve të fundit. Autobusët janë fiktivë, kurse mijëra qytetarë që enden maleve, rrugëve e qendrave të azilantëve nëpër Europë s’janë tjetër veç mashtrim optik. E shifrat për numrin e azilkërkuesve janë veç manipulime.

Këtë fotografi surreale po provojnë të na shesin këshilltarë të qeveritarëve e zyrtarë të lartë të Qeverisë, në përpjekje për të larë veten nga përgjegjësia për atë që po ndodh në prag të shtatëvjetorit të pavarësisë.

Në përpjekje dëshpëruese për të kamufluar një realitet te dhimbshëm, për të projektuar një tjetër realitet, oborrtarë të pushtetit madje nuk ngurrojnë që fajin për migrim t’ua hedhin mediave e analistëve. Deklarata të tilla irrituese e të papërgjegjshme nuk mund t’i arsyetojnë shefat e këtyre tipava që e kanë sjellë vendin dhe qytetarët në gjendje të pashpresë. As mund t’i fajësojnë të tjerët që përpiqen të raportojnë e analizojnë shkaqet që sollën një situatë të tillë alarmante.

Duhet të jesh i verbër që të mos shohësh, i shurdhër të mos dëgjosh dhe ta kesh trurin e shpërlarë të mos kuptosh gjendjen e qytetarëve të Kosovës, të cilëve rrugë shpëtimi iu ka mbetur Europa.

Është e vërtetë se të gjithë ata që po marrin rrugën e vështirë të migrimit nuk po e bëjnë këtë për arsye tërësisht ekonomike. Por, edhe arsyet tjera gjithsesi lidhen me pafuqinë e shtetit për t’iu siguruar një të ardhme më të mirë. Të shtetit që tregohet jomiqësor me ta, por që është në funksion të pasurimit të qeveritarëve.

Nuk është e vërtetë se gazetarët e mediat po mbjellin panik me raportimet për përmasat alarmante të migrimit. E vërteta është se qytetarët po ikin në panik nga ky vend që ua ka tretur edhe shpresën se do të bëhet mirë.

Nuk janë gazetarët dhe mediat ato që po e manipulojnë, manifakturojnë a nxijnë realitetin, por pushtetarët janë ata që ua kanë nxirë e vazhdojnë t’ua nxijnë jetën qytetarëve të varfër që kërkojnë veç pak dinjitet.

Andaj, të përpiqesh të arsyetosh diçka që s’mund të aryetohet, është vërtet budallallëk. Budallallëk që s’paguhet me para.

Përpjekje dëshpëruese për t’ua mbushur mendjen qytetarëve që të mos e braktisin vendin duket se po bën edhe e para e shtetit. Në vizitat e saj nëpër Kosovë, ajo po ua sjell ndërmend kosovarëve se ku kanë qenë para 15 vjetësh, por po harron t’iu thotë se kush e solli vendin në këtë derexhe 15 vjet pas çlirimit.

Qytetarëve, shumë nga të cilët nuk e kanë një vend pune, ndërkohë që të tjerët paguhen ligsht për punën që bëjnë, presidentja po iu kërkon që të durojnë, sepse do të bëhet më mirë.

Ajo paguhet thuajse dhjetëfish më shumë se ata qytetarë të shkretë, që veç durimi nuk iu ka munguar gjatë gjithë këtyre viteve kur politikanë të të gjitha llojeve dhe jo vetëm plaçkitën e çoroditën shtetin, për të cilin mijëra luftuan e u flijuan para 15 vjetësh.

T’iu thuash qytetarëve që të durojnë – e kjo nënkupton të bëjnë sehir deri sa të ngopen të pangopshmit e të mbushen mend të pafytyrët – është si të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit. Presidentja mund të vazhdojë t’u kërkojë qytetarëve që të durojnë e të mos migrojnë, por ajo duhet ta ketë guximin që t’i tregojë me gisht dhe t’i thotë qartë emrat e të gjithë atyre që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje. Ajo duhet ta ketë kurajon që të paktën, si shenjë e vullnetit të mirë, duke filluar nga vetja të kërkojë nga të gjithë zyrtarët publikë që t’i ulin rrogat e tyre të majme, luksin e privilegjet dhe të ndërmarrin veprime konkrete për rritjen e mirëqenies ekonomike e sociale. Përndryshe, askush nuk do t’u besojë asaj dhe të tjerëve se e kanë seriozisht kur thonë ndonjë fjalë për ata që po ikin masivisht.

E dija që prapë Serbia do të jetë një ndër fajtorët kujdestarë pse qytetarët po migrojnë. Se hipokritët e demagogët do të gjenin shpejt arsyetime. Kështu edhe ndodhi. Një ndër zyrtarët e lartë të njërës parti qeveritare fajësoi pikërisht Serbinë, thua se Beogradi paska qeverisur tash 15 vjet në Kosovë, thua se Serbia i paska pasuruar këta tipa që s’kanë lënë pa keqpërdorur e zhvatur gjithçka që iu ka dalë përpara.

Të provosh të gjesh fajin te tjetri, e jo përgjegjësinë te vetja nuk është e re për qeveritarët kosovarë. Ata ende mendojnë se qeverisin një popull që do të vazhdojë t’i durojë të bëmat e tyre mbi kurriz. Dhe nuk kanë faj. Sepse, askush nuk do ta duronte kaq gjatë arrogancën dhe mediokritetin e tyre. Asnjë popull nuk do t’i lejonte kaq gjatë që ata të tallen me të e oborrtarët e tyre të manipulojnë me fatkeqësinë e të shkretëve.

2 komente në “Të manipulosh me fatkeqësinë”

  1. Tirana says:

    Nje popull largpames nuk duhet ta gjej zgjidhjen duke u larguar,as duke duruar qeveritaret e pangopur ndonjehere ,por duke u bashkuar fuqishem per te bere ndryshime ,duke i larguar me cdo kusht keta pushtetar te korruptuar
    te cilet nuk jane te afte te drejtojne Kosoven .Gjitheshka varet nga populli .Nuk eshte turp te protestosh ,turp eshte te durosh ata qeveritare mashtrues .Ky popull trim beri gjitheshka per clirimin e vendit ,per panvarsine e tij ,si ka mundesi qe jane kaq te pafuqishem per te zgjedhur
    qeveritaret e denje ??Perpara Kosovare shkulini nga rrenjet keta qeveritare
    dhe jo ata polullin.

  2. .,.,.., says:

    @Tirana, logjikisht e shtroni problenin gati per zgjidhje. Por Problemi me i madh eshte se keta politikane kane perzier ne korrupsionin e tyre 99% te inteligjences dhe pjesa tjeter injorante nuk ka interesa, nuk di se c’behet. Une i shoh ne rruge secilin dhe te betohem dua shume te jem si ta…Jane te lumtur, qeshin, bisedojne…

    Eshte shume e vogel % qe ndien realisht poshterimin, eshte si te shohe femija prindrit …duke mos e perfillur faktin qe ai eshte prezent, ngaqe eshte i femije i pafuqishem…dhe ne perendim kjo denohet penalisht ekstremisht deri ne shkaterrim te familjes.

    por nese kjo pakice me gishta reagon publikisht te gjithe horrat pa perjashtim i hidhen ne fyt, dhe ata te pushtetin e vene ne pranga e poshterojne aq keq, sa edhe pjesa injorante fillon e indinjohet por jo te ngrihen ne kembe, por thone: Ja sa te vije dita e votimeve e do ta shohim. Ndersa ti kerkon ata te guximshmit…aha, ata e kane gelltitur tashme corben…ky eshte udhekryqi.-.-.-

    Kthem tek nje propozim i fatos Nanos dikur: Ky vend meriton te qeveriset nga nje guvernatori huaj.Ne ate kohe Sali berisha u cor e u hodh se po shitet atdheu.E mori dhe e solli ne kete gjendje. Edi Rama do te beje diçka te qendrueshme dhe une mendoj se zbatimi i ligjit permes shtrengimit do te funksionoje. Te tjerat jane lene te presin, ndersa mund te ecnin paralelisht e kjo ka dashur kapacitete te tjera e jo keta qe jane…dmth keta te corbes, keta e mbajne gojen cdo dite plot me nga nje luge e kane frike ta hapin se u derdhet ….

    E njoh shume mire situaten…fatkeqesisht jane bere te pakenaqur njerez qe kane sakrifikuar shume ne opozite sepse jane lenduar shume nga shqelmat qe gjuajne te gjithe pushtetaret pa perjashtim njeri-tjetrit…

    Nuk mund ti thush tjetrit: ” Duroje kete qe te bera (dhe akoma s’i ka dale fundi), sepse do bejme shtet. Sepse me tall praktikisht e kjo eshte shume e rende. Te besh shtet duke me shkaterruar mua?! po kush eshte ai budall qe e duron e ta fal kete?

    E Ka bere Sali Berisha ne kohen e vet:-i arrestonte i burgoste i nxirte prej burgut dhe i afronte duke u then se kete te keqe ta ka bere X apo Y.

    Kjo del jashte njerezores e nje njeri qe eshte njeri nuk ta fal kurre!!!
    Kjo eshte situata ne Shqiperi dhe ka shenja se po pergatitet nje sulm ndaj qeverise per ta ndallur qysh ne fillim, e te mos behet ajo qe ngjau me Enver Nexhmie Hoxhen e me pas Aliajn deri me 23 qershor.
    Jane hapur kartrat tashme…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje