Dortmundi arrin të mundë Mainzin në shtëpi me rezultatin 4-2 duke marë tre pikë të çmuar. Java e 21 në Bundesligë startoi me një ndeshje të zjarrtë në të cilën nuk mungonin golat, spektakli dhe përmbysja e rezultatit.
Ndeshja nisi keq për vendasit të cilët u gjendën në disavantazh që në minutën e 1′ ku Soto shënon pas daljes të gabuar të portierit të Dortmundit . Vendasit nën presionin e atmosferës elektrizuese që përcillte Iduna Park zhvilluan një lojë të bukur por pa arritur të shënojnë gol në pjesën e parë.
Me fillimin e pjesës së dytë në minutën e 49’ mbrojtësi Subotic shënon duke barazuar rezultatin 1-1. Kaq i mjaftonte që ekipi verdhezi të gjente golin e avantazhit në minutën e 55’ ku Marco Reus shënon pas një aksioni model. Festa e Dortmundit nuk zgjati më shumë se 1 minutë pasi miqtë kundërpërgjigjen duke barazuar 2-2 me anë të sulmuesit Malli, i cili befason përsëri mbrojtjen e verdhezinjve.
Ekipi i Kloppit reagoi mjaft mirë falë formës së mirë që po kalon sulmuesi Abamejang duke shënuar në minutën e 71 e duke rikthyer përsëri në avantazh Dortmundin e tij. Ndërsa për të dyfishuar diferencën mendon mesfushori Sahi i cili shënon në minutën e 78’ duke mbyllur takimin me rezultatin 4-2.
Ekipi i Klopp mbrëmjen e djeshme ishte në një formë mjaft të mirë dhe të kujtonte Dortmundin e vitit 2013 i cili ishte i papërmbajtshëm kundrejt çdo lloj kundërshtari. Për verdhezinjtë kjo është fitorja e dytë rradhazi ndërsa pas javës së 21 pozicionohen në vendin e 14-të duke dalë nga zona e e rënies nga kategoria./ O.M