Daniele De Rosi është lojtari që e përfaqëson më denjësisht Romën, pas Francesko Totit.
Me siguri kur kapiteni të tërhiqet do të jetë pikërisht De Rosi ai që do të mbajë në krah shiritin.
Gjithmonë nëse ky i fundit vendos të përfundojë karrierën te skuadra kryeqytetase, pasi për 31-vjecarin italian kanë shfaqur interes dy skuadrat amerikane, Nju Jork Red Bulls dhe Nju Jork Kosmos.
De Rosi aktualisht është shumë i lidhur me ngjyrat verdhekuqe dhe kurrësesi nuk mendon largimin, megjithatë përpara disa vitesh jo vetëm ai, por edhe kapiteni Francesko Toti ishin vetëm 1 hap larg lamtumirës nga Roma.
Dicka të tillë e konfirmoi vetë mesfushori në një prononcim për mediat:
“Në futbollin e sotëm ndodhin gjëra të paparashikueshme.
Duhet të përshtaten shumë elementë që t’i të ndërmarrësh zgjedhjen që të duket më e drejtë.
Ka patur një moment që si unë, ashtu edhe Toti kemi rrezikuar t’i jepnim lamtumirën Romës”.
Gjithsesi, De Rosi vendosi të qëndrojë te klubi kryeqytetas dhe aktualisht ai është shumë i lumtur për një vendim të tillë:
“Si bazë është dashuria që unë dhe Toti kemi për këtë fanellë dhe për këtë skuadër, por mbi të gjitha është dashuria qe kemi për tifozerinë.
Fansat e Romës na kanë qëndruar gjithmonë pranë dhe për mendimin tim ata janë më të mirët në botë”.
E vështirë ndërkohë të fshish disa momente nga jeta e tij si romanist. De Rosi tregon disa prej tyre:
“Mbaj mend ditën e parë që kam hyrë në Trigoria.
Isha vetëm një fëmijë dhe ndoqa nga afër sesi stërviteshin idhujt e mi.
Cilat janë datat që mbeten të paharrueshme për mua?
Ndeshjet nga të cilat kam kujtimet më të mira janë të gjitha ato ku ka triumfuar skuadra.
Unë nuk vendos asnjëherë veten në radhë të parë dhe nuk mendoj se një gol i imi është më i rëndësishëm se suksesi i ekipit.
Kam shënuar ndoshta golin më të bukur në sfidën më të keqe të historisë së Romës, pikërisht në humbjen 7-1 përballë Mançester Junaited.
Kujtoj gjithashtu me një kënaqësi shumë të madhe fitoren 2-1 në Bernabeu ndaj Realit të Madridit, triumf që na dha kualifikimin për në cerekfinalet e Uefa Champions League”.