Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 92 persona të arrestuar nga policia e Tiranës për vjedhje të energjisë elektrike. Që nga nisja e aksionit kombëtar në fundin e tetorit të kaluar, vetëm në kryeqytet janë zbuluar mbi 870 raste të abuzimit.
Mes të arrestuarve, 6 janë punonjës të OSHEE-së.
Gjysma e të arrestuarve nga policia, do të hetohen jo në qeli, por me masën “detyrim paraqitje”, ndërsa për 75 të tjerë Gjykata ka dhënë masën “arrest në shtëpi”.
35 të ndaluar janë në pritje të masës. Për 2 familjarë Gjykata ka vendosur lirimin e menjëhershëm.
Një numër i madh personash, rreth 290, janë të shpallur në kërkim për vjedhje të energjisë.
Në gjithë Shqipërinë, janë ushtruar mbi 130 mijë kontrolle për zbulimin e abuzuesve me energjinë elektrike.