Hinduizmi në Kosovë

17 Shkurt 2015, 10:09Blog TEMA

Nga Ahmet Dursun

 

Te këmbët e shkronjave NEW BORN llustraxhiu e la klientin e tij me një këmbë në ajër dhe ia mbathi mes pune me gjithë sënduk…

Në Klinë, dasmorëve u iku orkestra, dy orë para këna gjegjit. Krushqit filluan t’u bien kusive, sahanëve e sinive që të vallëzonte nusja…

Në Ferizaj, mësuesi ditën e hënë kur hapi derën e klasës, gjysma e fëmijeve nuk ishin. Pas pak edhe mësuesi nuk dukej gjëkundi…

Në Obiliq, iku shoferi i ministrit dhe ministri u kthye ministri me autostop në kullë: “nonën bre, shka ke kjo punë”!

Në pushim të ndeshjes mes Prishtinës e Gjilanit, u zhduk arbitri anësor, trajneri i portiereve, stoli rezervë, tribuna karshi. Për pak bashkë me ta edhe Fadili…

Infermierja e devotshme i gjëmoi me shiringë në dorë pacientit deri te stacioni i autobuzëve. Ngulte këmbë që tia ngulte për herë të fundit! Ia nguli…”.

Në 2-3 muaj rreth 50 mijë njerëz “avulluan” nga Kosova! 5% e popullsisë. Aq sa në Siri. Ndryshimi, ata në luftë, Kosova në paqe!

Për të kuptuar se ç’po ndodh në të vërtetë në Kosovë, them se duhet bërë një udhëtim deri në Indi.

Lopët në indi janë të shenjta, janë me imunitet.  Jeshile u ndizet çdo dritë kur kalojnë rrugën. Po ndaloi njëra, i gjithë trafiku qëndron në vend. Më mirë të shtypësh Gandin, sesa lopën! Nëse hyn lopa në një lokal psh. i lirohet bash vendi. Gjithë fakirët shtyhen me njëri tjetrin që tia krehin qimet e bardha! Ajo gëzon privilegjin e të qënurit pasardhësja e lopëve që me qumësht shpëtuan miliona jetë, në skamjen e tejskajshme të Indisë…

Është e çuditshme! Po e njëjta lopë nëse ngatërron istikametin e hyn në mëhallën e myslimanëve në sekonda ndahet në anatomi, në minuta përfundon në tenxhere e brënda orës serviret si birjan!

Po dhija?! Ajo që ka bërë gjithnjë historinë?! Ajo që ka dhënë ç’ka ka patur, deri edhe brirët ?!Ajo që nuk ka kërkuar salltanet, por është kacavjerrë në buzë të humnerave për të këputur një gjethe?! Që nuk është nënshtruar, përkulur, jargavitur ndaj askujt?!!!

Dënohet, dënohet në vënd, madje prej të dyja palëve. I harrohen të mirat menjëherë. Sa ta kapin, ndezin furrën e tandërit si një vullkan dhe e fusin të tërën që tia zbusin mishin e forte me gjithfarë errëzash, përpiqen tia ulin krenarinë, edhe pas vdekjes saj!

Gjithashtu, në hinduizëm ekziston sistemi i kastave. Psh. nëse ke lindur në një familje të pasur ska “perëndi” që mund ta ndryshojë këtë gjë. Një dorë në mjaltë, një dorë në kajmak të shkon jeta! Por ama, nëse babai yt i fryn fyellit për ta ngritur gjarprin në këmbë që ti zgërdhihet turistëve, jo lumi Ganxh, por as oqeani Indian s’ta ndryshon dot taksiratin. Ke lindur i varfër dhe do të vdesësh i tillë! Ske ç’bën! Duhet ti bindesh fatit, të rrish urtë! Tia mbushësh mendjen vetes se në jetën e mëparshme ke pas bërë prapësira e prandaj tani je në këtë gjëndje! Të rrish urtë e të besosh se pas vdekjes do rikthehesh në këtë jetë si fëmija i një pasaniku e do jetosh i lumtur!

Si u instalua hinduizmi në Kosovë?

Fill pas lufte “Brahma” evropiane (Perëndia Krijuese) zgjodhën “lopët” më të bindura të Kosovës . I ndanë sipas llojeve. I krehën, i vaksinuan e ia hapën kanalet e qumështit. I vendosën në kullotat më të njoma dhe i shenjtëruan si shpëtimtaret e ardhshme prej varfërisë pas lufte. Ua bënë reklamën në media, në forume, në konferenca se sa e yndyrshme është, çfarë djathi, kosi, gjize mund të bëhet me “qumështin” e tyre.

“Dhitë” u lanë mënjanë, ato që i kishin shpëtuar “tandërit” jugosllav të ‘69-ës dhe ’81-shit, të burgosurit gra e burra, të lexuarit, të diturit, luftëtarët me penë…mjerimisht u mënjanuan.

U shpikën ca shkrimtarucë që edhe analizën në gazeta e fillojnë ndryshe, e zhvillojnë dhe e përfundojnë krejt pa lidhje. Kryeveprat e artit të mendimit abstrakt i gjen sot të këta “mendimtarë”. I bënë këshilltarë, më hijerëndët e tyre; i bënë opinionbërës, madje deputetë e ministra. “Brahmanët” ia lanë në dorë këtyrë që të numëronin sesa luftëtarë pati U.Ç.K-ja dhe këta, shto ujë e shto miell, e katërfishuan numrin, nga 15 mijë e çuan në 60 mijë. Ata, të vërtetët, mjerimisht i mënjanuan!

“Brahmanët” pasi e krijuan këtë realitet ia lanë vendin perëndisë tjetër “Vishnu”. Kjo perëndi mbrojtëse nisi të mbledhë bulmetin. Ndërsa “lopëve” vizionare ua mbrojti baxhot, mullarët, cicat. Por nëse një qytetar kërkonte një copë djath, i duhej të bënte gjimnastikë mbi paralelet e tyre dhe në fund, veç një tas hirr…

Eksodi është treguesi më i qartë se tashmë ka mbërritur “Shiva”, perëndia e shkatërrimit. Ata që ikin, e kanë kuptuar se kjo jetë është e shkurtër dhe nuk pranojnë të vdesin me shpresen se do të kenë një jetë më të mirë kur të ringjallen… shkurt nuk duan më të jetojnë me hirr!

Sot gjithsesi Evropa po del me përfitime të pa imagjinueshme. Me ndërrimin e besimit nga republikë në hinduizëm, po shton diversitetin brënda saj, një diversitet që i ka munguar ndër mijëra vite!

Një diversitet që e provuan ta krijonin përmes Greqisë, Italisë, Spanjës, Portugalisë e deri edhe me Islandën, por që nuk i eci, i doli huq. Doli huq, sepse shoqëritë e këtyre vendeve ua liruan sheshet “dhive” dhe perëndia e shkatërrimit e ka tmerr të përballet me dhitë. Kjo është arsyeja që Aleksis e shokët e tij në Evropë nuk vënë kollare…

Po Kosova, a ka mundësi ti kthehet edhe njëherë republikës? Ka, madje e ka shumë të lehtë. Mjafton tu lirojë sheshin “dhive” e ti grahin “lopët” për andej nga mahalla e myslimanëve…

2 komente në “Hinduizmi në Kosovë”

  1. Dritani says:

    Mjeshtri fjalesh, fjalie, simbolike, Sarkazem, ironi. Shpresoj qe elita Kovsovare ts lexoj me kujdes kete artikull dhe jo anashkaloj si “lopet” qe enden ne rruget e Indise.

  2. pjatalarsi says:

    S.d.q., Kosoves do i vij dhe ndonje lakshmi e mire, jo keshtu erotike si Kallashi, por me sensible. Shkrim i bukur!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje