Hoffman: Rruga e azil kërkimit nuk funksionon. Reforma territoriale duhet të jetësohet

24 Shkurt 2015, 14:19Politika TEMA

Të gjithë ata që kanë një kualifikim të lartë profesional dhe zotërojnë nivelin bazë të gjermanishtes, kanë shanse mjaft të mira për t’u punësuar në Gjermani.

Kështu u shpreh Ambasadori gjerman në Tiranë Helmut Hoffman, ndërsa shtoi se rruga e azil kërkimit nuk funksionon.

Gjatë një vizite në bashkinë e qytetit të Elbasanit, ku është pritur nga kreu i bashkisë, diplomati gjerman  ka deklaruar se, “me shumë kënaqësi kam nisur një tur në Shqipëri për të kuptuar jetën reale të shqiptarëve përtej Tiranës, ku në fokus të veçantë janë institucionet arsimore. Pata rastin të vizitoj universitetin e Elbasanit, e cila është një nga tre qendrat që ofron nivelin e gjuhës gjermane në nivel akademik, ndaj do përpiqemi ta mbështesim këtë universitet”.

Duke u ndalur tek fluksi i emigrantëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Kosova, që nisen drejt Gjermanisë si azilkërkues ambasadori e ka cilësuar si mjaft shqetësues këtë fenomen duke deklaruar se, “janë zhvillime që i ndjekim me shqetësim të madh. Vetëm në muajin janar janë shënuar një numër prej 1650 azil kërkuesish nga Shqipëria.

Kjo rrugë nuk  funksionon sepse në rastin e tyre janë njerëz që kanë një nivel të ulët arsimor, dhe se shumë shpejt ata do të rikthehen në vendin e tyre. 

Ne jemi krenarë që kemi pranuar azilkërkues për arsye politike, por nuk do të pranojmë azilantë ekonomikë. Gjermania mbështet fuqishëm përpjekjet e Shqipërisë drejt BE duke e mbështetur edhe nëpërmjet projekteve”.

Ndërsa pyetjes se gjermanët kanë gati një paketë ballkanike e cila është e ngjashme  me planin Marshall e cila ndikon në rritjen e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, por edhe të rajonit ambasadori u përgjigj se, “më lejoni t’u them se Gjermania është mjaft e angazhuar për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, ku vetëm një vit më parë kancelarja Merkel ftoi ministrat e Jashtëm dhe të Ekonomisë në një konferecë të përbashkët, e cila do të zhvillohet sërish këtë vit, dhe që do të vazhdojnë deri në vitin 2018. 

Në kuadër të kësaj konference vitin e shkuar u tha se, mund të identifikohen projektet të cilat mund të ishin të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të gjithë rajonit.

Në këtë drejtim janë duke punuar të gjithë faktorët përkatës, dhe bëhet fjalë për projekte që kanë të bëjnë me infrastrukturën, hekurudhat, etj”.

Ndërsa përsa i përket klimës politike në Shqipëri pak muaj përpara zgjedhjeve lokale ambasadori Hoffman tha se “mesazhi im i përgjithshëm është që të gjithë partitë politike të kontribuojnë dhe të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe se reforma territoriale duhet të jetësohet.

Sepse mendoj që kjo reforme është mjaft e rëndësishme e mbështetur nga shumë donatorë, dhe se kjo reformë do të sjellë një zhvillim pozitiv”. /gj.k/

1 komente në “Hoffman: Rruga e azil kërkimit nuk funksionon. Reforma territoriale duhet të jetësohet”

  1. Berlin says:

    Hoffman ke disa here qe del e flet dhe nuk na ke thone ndonje gje te hajrit deri tani. Gjermani po mbushet me te papune dhe ti thua se kush ka kualifikim dhe di gjuhen gjen pune ne gjermani !!! Se kuptoj se pse genjen miletin e pafajshem dhe te vuajtur shqiptar?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje