Një nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, fitues i çmimit “Goncourt” flet ekskluzivisht për “Milosao”-n. “Pasojat e të gjithë asaj që po ndodh në Lindje, po i ndjen dhe perceptimi ndaj botës myslimane”, shprehet. Njeh Shqipërinë vetëm përmes Kadaresë, ndërsa fokusi i tij gjatë intervistës ka mbetur te perceptimi i sotëm për botën myslimane…
Shpreson të vijë në Shqipëri dhe për të pasionuarit pas letërsisë dhe citateve të saj, mos prisni një intervistë kilometrike!
Tahar Ben Jelloun, një nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, fitues i çmimit “Goncourt”, flet ekskluzivisht për “Milosao”-n. Pasojat e të gjithë asaj që po ndodh në Lindje, po i ndjen dhe perceptimi ndaj botës myslimane, shprehet.
Intervista jonë ka filluar që në Dhjetorin e shkuar. Fillimisht kemi gjetur kontaktet dhe pastaj, pas një dialogu të stërgjatë, i jemi drejtuar botës virtuale kibernetike për ndihmë. Përmes dy ekraneve kemi shkëmbyer pyetjet, ndërsa përgjigjet e tij kanë qenë gati telegrafike.
Tahar Ben Jelloun ka lindur në Marok, në atë pjesë të ashtuquajtur Maroku frëng dhe shkruan në frëngjisht, megjithëse gjuha e tij e parë është arabishtja. Ai është bërë i njohur në letërsinë botërore për romanin e tij, që është botuar më 1985 me titullin: “Fëmija i rërës”. Tani jeton në Paris dhe është vazhdimisht një nga kandidatët e “Nobel”-it. Karrierën e ka filluar në mesin e viteve ’60 në vendin e tij me një grup rinor, që mblidhej rreth një organi letrar “Souffles”. Ai shkroi shumë artikuj për të, por pasi mori pjesë në një rebelim studentor kundër “akteve represive dhe të dhunës” të policisë marokene, më 1966 u detyrua të përfundonte për dënim në një kamp ushtarak. Pas botimit të një përmbledhjeje me poezi, u zhvendos në Paris nga ku do të fillonte të shkruante për Le Monde. Vazhdoi të shkruante por famën ndërkombëtare e arriti pak vite më vonë me L’Enfant de Sable (Fëmija i Rërës) që mbahet si kryevepra e tij. Më 1987 mori çmimin “Goncourt” për romanin e tij “La Nuit Sacrée” (Nata e shenjtë). Ai u bë kështu magrebini i parë që e merrte këtë çmim të madh, që do hapte udhë pastaj dhe për të tjerë autorë. Ka marrë shumë çmime nderimi, pas kësaj, por më 2005 meritoi dhe çmimin “Uliks” për karrierën.
Është nderuar edhe për angazhimet e tij sociale dhe më 1 shkurt të vitit 2008, presidenti Nicolas Sarkozy do ta vlerësonte me Kryqin e Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit.
Për fat, në Shqipëri është botuar falë të gjithë të drejtave nga Shtëpia Botuese “TOENA” dhe është përkthyer mjeshtërisht nga Nonda Varfi, një punëtor i hershëm i frëngjishtes…
Intervistoi Ben Andoni
Intervista jonë ka filluar që në dhjetorin e shkuar. Fillimisht kemi gjetur kontaktet dhe pastaj, pas një dialogu të stërgjatë, i jemi drejtuar botës virtuale kibernetike për ndihmë. Përmes dy ekraneve kemi shkëmbyer pyetjet, ndërsa përgjigjet e tij kanë qenë gati telegrafike. “Toena” ka ndihur për garancinë, një element që sot e kërkojnë shumë nga shkrimtarët e njohur në botë. Është përgjigjur shumë shkurt. Po, çfarë mund të thuash vallë më shumë sesa përgjigjet që të vijnë direkt nga zemra?! Ai bën pjesë në atë komunitet autorësh që i është afruar “Nobel”-it, por që duhet, po ashtu, t’i kënaqet asaj që ka arritur. Dhe ka shkuar falë krijimtarisë së vet te Goncourt, një nga çmimet më të mëdha europiane për letërsinë frënge. Përmes librave të tij i kupton realisht myslimanët, ndërsa përmes fjalëve të tij do kuptosh realisht atë që po ndodh sot në botën arabe. Pyetja më e vështirë për ne mund të jetë: Po pse atë? Përgjigjja e thjeshtë: Pasi ai shpjegon shumë më mirë këtë realitet, që e prek disi dhe vendin tonë.
Tahar Ben Jelloun, nga ana tjetër, njihet shumë mirë për ata që e duan librin shqip. Në gjuhën tonë, ka të përkthyer me të gjitha të drejtat prej “TOENA”-s, romanet: “Me sytë ulur”, “Nata e mëkatit” (është gati në shtyp), “Nata e shenjtë”, “Në vendlindje”, “Me zjarr”. Romani kryevepër i tij është “Fëmija i rërës”, i përkthyer në shqip, por që ka humbur në morinë e romaneve të tjera. Në shqip është përkthyer mjeshtërisht nga Nonda Varfi, i cili ka marrë përsipër të përkthejë të gjithë veprën e tij. Ai punon shumë me elementët teknikë të veprës dhe ka vepra si “Në vendlindje”, që vjen gati pa dialogë, e ku duhet të jesh i kujdesshëm të kuptosh se ku drejtohet narracioni, pasi është një libër teknikisht shumë i vështirë. Në përgjithësi, librat e tij janë përkthyer shumë mirë në shqip, por për hir të vërtetës nuk kanë marrë vlerësimin e duhur.
I nderuar z. Jelloun, Ju jemi mirënjohës për gatishmërinë e treguar për intervistën tonë. Ju jeni një autor bilingue. Në procesin tuaj të shkrimit, mendimi juaj, vjen më së shumti në arabisht apo frëngjisht? A mund të shkruani kaq këndshëm edhe në arabisht?
“Të shkruarit në frëngjisht m’u imponua qysh në fillim. Formimi im në gjuhën arabe nuk ishte i mjaftueshëm që të mund të krijoja në këtë gjuhë. Përveç kësaj, doja të tregoja aftësitë e mia në gjuhën e vendit që ushtronte një protektorat mbi Marokun. Më pas, unë mund të shkoja nga një gjuhë në tjetrën, por zgjodha të përqendrohesha te frëngjishtja. Do të doja të kisha lehtësinë e një Samuel Beckett-i që kalonte nga anglishtja në frëngjisht me një natyrshmëri të mrekullueshme.”
A ndiheni disi jo mirë, që nuk e keni përdorur një nga gjuhët gati më të shenjta të njerëzimit në krijimtarinë tuaj? Apo thjesht frëngjishtja komunikon më një publik shumë më të madh ndërkombëtar?
“Jo, jo siklet. Do të thosha se fakti që arabishtja është gjuha e Kuranit më bllokonte ; unë do ta kisha pasur të vështirë t’i përdridhja qafën, ta keqtrajtoja. Atëherë e respektoj dhe e lë të qetë këtë gjuhë për më tepër që populli im nuk flet arabishten klasike por atë dialektore.”
A ka një lloj paragjykimi të gjatë të kulturës perëndimore ndaj botës së kulturës arabike edhe pse një pjesë e trashëgimisë së saj klasike është prej dekadash në duart e saj?
“Perëndimi ka pasur gjithmonë marrëdhënie të vështira me botën arabe, me kulturën, me traditat e saj. Paragjykimet janë gjithmonë aty. Kolonizimi, pastaj dyndja e emigrantëve nga vendet dikur të kolonizuara nuk është se i kanë rregulluar gjërat. Ka pasur njohës të shkëlqyer të kulturës arabe, orientalistë që kanë bërë shumë për ta bërë të njohur këtë kulturë. Por kjo nuk mjafton për të thënë se marrëdhëniet janë të begata. Në këtë moment me terrorizmin, kultura arabe do të lihet mënjanë.”
Ju keni disa libra të botuar në shqip prej “TOENA”, njërës prej shtëpive më të mëdha botuese në vendin tonë. Sa e keni njohur Shqipërinë në eksperiencën tuaj jetësore?
“Jo, nuk e njoh Shqipërinë; e njoh vetëm përmes veprës së Ismail Kadaresë, vetëm kaq.”
Disa nga librat tuaj, që janë përkthyer në shqip, si “Le nuit sacrée”, “Au pays”, “Les yeux baissés” i flasin direkt publikut tonë për temën e migracionit, por edhe dashurisë për vendlindjen. A keni pasur në kokë, për të komunikuar, një popullsi më të madhe se ajo e vendit tuaj, Marokut?
“Kur shkruaj nuk mendoj se kujt publiku i drejtohem. Sigurisht si të gjithë shkrimtarët mendoj për publikun e gjerë, por nuk vendos autori, është pikërisht ky publik që vendos. Unë përpiqem të merrem vesh me lexuesin, ta marr për dore dhe t’i rrëfej një histori,nëse ai mërzitet, do të ma lëshojë dorën.”
Bota arabe ka një fytyrë disi fundamentaliste para Perëndimit të sotëm, ndërkohë që trashëgimia e saj që me “Një mijë e një netët”, flet për një erotikë të mrekullueshme dhe tepër fine. A mund ta lehtësonte përfytyrimin e Perëndimit, përkthimet më të mëdha prej botës arabike dhe myslimane në përgjithësi?
“Bota arabe ka një imazh të keq. Për shkak të diktaturave, për shkak të naftës, për shkak të mungesës së lirisë dhe të demokracisë. Të gjithë menduam se Pranvera Arabe do ta zgjonte këtë botë, por ajo u çorodit nga xhihadistët dhe kasapët e të pafajshmëve. Shpresa e vetme: Tunizia. Është momenti të përkthehen shkrimtarët arabë. Por botuesit bëjnë llogaritë e tyre. Kush do ta blinte një libër të përkthyer nga arabishtja në një kohë kur ca të marrë presin koka gazetarësh ? Shpejt e shpejt futen të gjithë në një thes.”
Ju ka ndihmuar poezia në krijimtari, apo e anasjella? Cilët janë poetët më të preferuar: frëngë apo të huaj?
“Poezia është mënyra ime e privilegjuar e të shprehurit. Për më tepër, kam bindjen se poezia do ta shpëtojë një ditë këtë botë. Unë i dua poetët francezë të rezistencës antifashiste : René Char, Paul Eluard, Louis Aragon ; më pas Mahmoud Darwich, Pessoa, Yves Bonnefoy etj”.
Çmimi “Goncourt” juaji, ndiqte atë të një autori tjetër afrikan. A ishte harruar deri më atëherë letërsia e komunitetit të shkrimtarëve që vinin nga Afrika në Francë apo duhej kohë të maturohej?
“Po, u desh vërtet të prisja me dhjetëra vjet. Ҫ’rëndësi ka, me çmimin tim ‘Goncourt’, u hapën dyert për të tjerë shkrimtarë jo francezë për nga origjina si Amine Maalouf, Andrei Makine, Atiq Rahimi, etj”.
“Le nuit sacrée”, e çmimit tuaj, është përkthyer në shqip dhe është përcjellë mirë nga publiku ynë. A ishte e vështirë për Ju të përshkruanit jetën e një femre dhe metamorfozën e saj?
“Shkrimi i këtij libri ka qenë më i lehtë se ai i librit të mëparshëm “Fëmija i rërës”, sepse ky është vazhdim i tij. Por jam zbavitur dhe besoj se censura fetare asokohe nuk ishte aq mizore sa sot”.
Pjesa më e madhe e historive tuaj janë nga Maroku. Si ka të ngjarë, që ju jeni kaq shumë i ndikuar prej Marokut dhe e keni kudo në veprën tuaj?
“Maroku ka një imagjinare të mrekullueshme. Është një shoqëri gjithë jetë, me probleme, me vështirësi, po ia dalim gjithmonë mbanë. Maroku më frymëzon. Marokeni është një personazh romani. Ai është i çuditshëm, nuk thotë kurrë jo, dhe ju tregon rrëfenja. Është një burim i pashtershëm për mua.”
Nga cilët autorë keni ndierë ndikimet më të mëdha dhe cilin ose cilët vlerësoni personalisht për teknikën e rrëfimit?
“Unë jam ndikuar më shumë nga kineastët, sepse kam mësuar të rrëfej historira duke parë filmat e Fritz Lang, e Orson Welles, e Hitchcock, e Bunuel etj,. nga shkrimtarët gjithashtu: Faulkner, James Joyce, Céline, Proust etj.”
A ka pika takimi të letërsisë së Realizimit Magjik me letërsinë tuaj? Kë nga shkollat e letërsisë perëndimore apo të Lindjes, ndjeni më të afërt?
“Mendoj se e gjej veten te Realizmi Magjik i letërsisë latino- amerikane. Shoqëritë tona shëmbëllejnë. Gjithçka është e mundur. Ҫmenduria sikundër urtësia, e mira sikundër e keqja, poezia si dhe e kundërta e saj, etj”.
Në mënyrën sesi shkruani duket se imazhi ju ka ndikuar shumë dhe ju vetë jeni shprehur se e doni dhe ju ka ndihmuar kinematografia. A ka momente që kinematografia “e lodh” shkrimtarin?
“Po, imazhi më ka dhënë shumë; dashuria ime për kinemanë është po aq e rëndësishme sa pasioni im për leximin”.
Një pyetje direkte për një detaj. Pse i vuri zjarrin vetes Muhameti te “Par le feu”. Mund të kishte një rrugë tjetër. A mos vallë dhe gjykimi juaj për revolucionet arabe, ka qenë pak i ashpër?
“‘Nga zjarr’ është një roman i bazuar në një ngjarje të vërtetë. E kam imagjinuar jetën e atij burri, e kam ndjekur deri në çastin kur sakrifikohet duke u djegur. Është një apel dhe shenjë e një dëshpërimi të madh. Ky gjest bën pjesë në historinë jo vetëm të Tunizisë, por të gjithë botës arabe.”
Ju e keni vlerësuar shumë miqësinë në një libret të vogël, që keni shkruar, e për të cilin kam lexuar shumë konsiderata. Çfarë roli ka miqësia për ju dhe ndikimi në artin tuaj?
“Kam shumë besim te miqësia. Ajo jepet falas, është dhuratë dhe afeksion pa interes. Por plagët e miqësisë janë më të thekshme, më të dhimbshme se ato të dashurisë seksuale”.
Si e organizoni ditën e punës dhe kur është koha më e mirë e shkrimit për ju?
“Unë punoj në mëngjes. Nuk dal kurrë në mëngjes. Ulem në tryezën e punës dhe nuk luaj më vendit”.
Edhe njëherë për procesin e punës. Kush ua prish më shumë humorin:lajmet e këqia, teknologjia apo zhurma përreth apo diçka tjetër?
“Ajo që më prish humorin është mashtrimi, vlerat e rrema, hilet, vjedhja, gënjeshtra, budallallëku, etj.”
Çfarë jeni duke shkruar momentalisht dhe a keni ndonjë indikacion për ndonjë temë, prej ngjarjeve të fundit që vijnë nga zona e luftimeve?
“Në këtë moment unë po punoj mbi ngjarjet e fundit në Francë, mbi origjinën e këtij terrorizmi ; po punoj mbi atë që quhet ‘ky islam i cili të shtin frikën’.”
Botuesi juaj ka bërë shumë për njohjen e veprës suaj. A mendoni të vini ndonjëherë në Shqipëri?
“Me kënaqësi, ndoshta vitin e ardhshëm”.
-*-*-*-
Me sytë ulur
Nga Ben Tahar Jellouin*
…Deti. I vizatuar me laps të zi, i thyer me një vijë të kuqe, i fshirë nga goma “Specia”, i harruar, i rigjetur në një libër me figura të përmbytura me ngjyrë blu. Deti. Personazh i çuditshëm i ëndrrave të mia. Herë një çarçaf i nderë mes qiellit dhe tokës, i fryrë nga erërat; herë zhurmë valësh të imagjinuara, që shkaktojnë fërgëllima. Deti. Një premtim për të mbytur në tërbimin e tij fshatin, bagëtinë dhe fytyrat e tij të pandryshueshme dhe të shkretuara. Imazh i një qielli të zbritur poshtë reve mbi tokë, që lyen me blu fjalët “fusha” dhe “rrugë”.
Ujë me valë të njëpasnjëshme të sjella nga era. Ngjyra e tij ndryshon në varësi të motit. Natën, i zi me disa reflekse të hirta. Ditën, i kthjellët, i përshkuar nga dielli, ngrihet, zbret dhe përplaset te shkëmbinj të kuq.
Deti. Një fiksim që kur mbërrita në Francë. Nuk flisja për të. E dija se një ditë do ta shikoja nga afër. Prisja me padurim. Kisha frikë se, pasi ta takoja, nuk do të ëndërroja më për të.
Një vorbull drite dhe uji më mori me vete në një trallisje, si potere dhe mërmërimë, dhe u gjenda e vetme në një varkë peshkimi, e ndriçuar nga hëna e plotë. Deti, më tepër se mendim, ishte imazh, copë qielli e shkëputur, pasqyrë që mbante fytyrën time ndërkohë që rrija e varur në një pus për të matur thellësinë dhe për të pastruar paretet. Një fushë me dyer të larta dhe të mbyllura mbi qepallat e mia. Një fërgëllimë e shkaktuar, jo nga era, por nga dëshira për të rrëshqitur mbi dallgë dhe për të përfunduar në një ishull të vendosur si vesk në duart e një njeriu shumë të moshuar, ndoshta të katragjyshit tim, atij që varrosi thesarin në mal. Deti mund të ishte vetëm ajo fytyrë e qetë dhe e bukur, shumë herë qindravjeçare, besnike ndaj fjalës së dhënë, krenare për rrënjët, për besimin dhe për tokën e saj. Si burrë vegimtar, ai e dinte se pjella e tij dhe brezat e tjerë të mëpasmë ishin të padenjë për të fshehtën dhe për mirësinë e saj. Por deti ishte atje, në pëllëmbën e dorës sime së djathtë, i skicuar, lëvizës dhe, nëpërmjet shtigjesh plot dredha, më shpinte te vendi i thesarit. Që kur gjyshja, që po jepte shpirt, më kishte treguar të fshehtën, duke më pëshpëritur një fjalë të paqartë në vesh, e dija se një ditë apo një tjetër rruga do të më shfaqej në heshtje dhe në soditje shpirtërore. Do të verbohesha dhe do të bëhesha robinë e asaj drite. Do të më mjaftonte, pikërisht para frikës së brendshme, pikërisht para gëzimit të madh, që shkakton lot dhe shkundje, të zgjasja dorën e djathtë, të hapja pëllëmbën e asaj dore të paracaktuar, dhe të shikoja atje detin mbi fytyrën plot hijeshi dhe mirësi të atij stërgjyshi më të fortë se koha. Sytë e tij të ëmbël, të mbushur me kujtime, do të drejtoheshin nga vendi, ishulli, ose ndonjë shpellë nënujore, dhe unë do të ecja me lehtësinë e një akrobati mbi rrugën e caktuar nga vështrimi i tij, deri në çastin kur këmbët do të vendoseshin mbi një shkëmb përvëlues, ndoshta në qendrën e një vullkani të shuar apo mbi trupin e një detari me lëkurë të nxirë nga dielli dhe drita, të harruar nga ekuipazhi.
Thesari duhet të ishte atje, te dora. Do të prisja ditën, orën, stinën dhe hënën për ta hapur atë dorë mbi një ujë të kthjellët, lëvizjet e vetme të të cilit do të ishin ato të frymëmarrjes dhe të pulsit tim.
Ja përse atë ditë, kur babai vendosi të më çonte të shihja detin, isha e zbehtë dhe e shqetësuar, jo në qejf dhe disi e përgjumur. U nisëm për rrugë, vetëm ne të dy. Ishte ditë shkurti. Rrugët ishin të shkreta, qielli i zymtë. Isha unë ajo që nuk shikonte njeri në rrugë dhe vendoste një vel trishtimi në qiell. Brenda meje, kisha frikë se mos bëja gabimin e pandreqshëm, shqetësoja bukurinë që mbështillte të fshehtën, e tradhtoja ose e humbisja, e shihja të thyhej si një dallgë e furishme, që përplaset për shkëmbi. Deti ishte brenda meje, i thellë, i mbrojtur, bashkëfajtor. Nuk kisha të drejtë të shkoja një të diel t’i bëja një vizitë të rëndomtë, pa u përgatitur shpirtërisht. Isha në ankth se mos i humbisja të gjitha.
Ai nuk ishte as blu, as i zi më gri, por gri. Nuk ishte atje. Mungonte. Kishte shkuar larg vështrimeve tona. Rërë kishte, por det jo. Qielli ishte me një ngjyrë blu të çuditshme. Qielli kishte pirë detin dhe askush nuk e kishte vënë re. Isha e lehtësuar. Babai ishte i zhgënjyer. Belbëzonte disa fjalë për të kërkuar ndjesë. E kuptova se as ai nuk e kishte parë kurrë detin. Që nga ajo ditë, vendosa të bëja gjithçka që t’ia tregoja, ta lidhja me ëndrrën time. Gjithsesi, gjërat nuk duheshin përshpejtuar. Duhet ta lija kohën të bënte punën e vet.
Në mungesë të shëtitjes përgjatë bregut, më shpuri në kinema. Kishte pak salla në lagjen tonë, por, gjatë vitit, shfaqeshin të njëjtët filma: filma me dhunë, masakër, vrasje dhe skena të tjera të frikshme. Ndoshta ajo lagje nuk i meritonte filmat me dashuri. Vështroja afishet dhe nuk kuptoja përse na propozonin aq shumë egërsi.
Filmi, që zgjodhi babai, ishte një film me karate. Ne ishim larg detit. Shikoja trupa të imtë që lëviznin në errësirë, ku çdo goditje shoqërohej me fishkëllima. Nga njëra anë, ishin të mirët; nga ana tjetër, të këqijtë. Ishte edhe një grua-gjarpër, që, kur kërcente, e mbyste kundërshtarin me këmbët e saj të vogla. Për mua, ato nuk ishin imazhe. Gjithçka duhet të ndodhte pas një çarçafi të bardhë, të varur në krye të sallës. Magjinë e kinemasë do ta njihja shumë kohë më vonë.
Në darkë, isha e lodhur dhe e dërrmuar, por e lumtur ngaqë kisha arritur ta ruaja të fshehtën. Deti më përkiste mua. Nuk guxoja ta hapja dorën e djathtë. Ruaja gjithçka thellë brenda vetes. Deti ishte ai kopsht ku, një ditë, do të hiqesha mënjanë, larg zhurmës. E, megjithatë, ushqeja pasionin për qytetin. Më ndodhte të rrija orë të tëra te dritarja, duke vështruar gëzimin e njerëzve përgjatë bulevardit. Lagjja jonë, pak nga pak, ishte braktisur nga francezët. Tregtia kishte mbetur në duart e arabëve; trotuaret po shndërroheshin nga mëngjesi në darkë në pazare afrikane. Senegalezët këndonin dhe kërcenin për të shitur sendet e tyre. Kur i shikoja që jetonin dhe qeshnin, pyesja veten nëse ruanin edhe ata në shpirt ndonjë të fshehtë, ndonjë fjalë stërgjyshore, ndonjë fytyrë të ndriçuar nga koha, ndonjë pemë të madhe, që do t’i mbronte dhe do t’u jepte energji për të jetuar dhe duruar kurbetin.
Një ditë, herët në mëngjes, ndërkohë që të gjithë flinin, si në film, lagjja u rrethua dhe veturat e policisë pushtuan rrugët. Brenda disa minutash, u rrethuam nga një ushtri policësh, me automatikë në sup. Ata hynë në apartamente, kontrolluan ngado, kthyen përmbys tryeza dhe hodhën jashtë nga dritaret sende e rraqe. Ndërtesa jonë shpëtoi nga kjo rrëmujë dhe nga ky panik. Gratë ulërinin. Policët bërtisnin dhe shanin. Fëmijët vraponin nga të mundnin. Mbi trotuar, kishte karrige të thyera, kanape, valixhe, tenxhere, pjata… Ata flaknin jashtë gjithçka me një egërsi të tillë sikur të ishim në mes të luftës. Ndoshta kështu ishte lufta. Ishim në duart e çmendurisë të asaj ushtrie policësh, që sulej me tërbim ndaj sendeve të jetës sonë të përditshme. Ata kishin ardhur për të thyer gjithçka. Ne duhet të ndëshkoheshim dhe nuk e dinim përse. Por çfarë kishim bërë që, në mëngjes, pa gdhirë mirë, të ishim objektivi i një dhune të tillë? Befas, një burrë me pizhame doli nga ndërtesa përballë, duke bërtitur e ulëritur i zemëruar. Policët kishin hedhur Kuranin nga dritarja, pasi e kishin shkelur me këmbë. Ai hoqi festen, e shqeu me duar dhe me dhëmbë. Sillej vërdallë në shesh dhe përsëriste të njëjtat fjalë: “Mëkat! Mëkat!” Pastaj iu drejtua turmës:
– O myslimanë! Keni qenë të pranishëm në mëkat, jeni dëshmitarë. Ata guxuan të prekin Librin e Shenjtë! Bij të pabesish, të krishterë, armiq të islamit; ata e përbuzin dhe tallen me fenë tonë. Janë çmendur. Zoti i ndëshkoftë! Na zgjojnë nga gjumi me pushkë, na shqyejnë dyert, shikojnë gratë dhe vajzat tona dhe shkelin me këmbë fjalën e shenjtë. Oh, Zoti i madh, çfarë rrëgjimi! U duket vetja sikur janë ende në Algjeri gjatë periudhës koloniale. Por ç’dreqin kërkojmë këtu, në këtë vend, në këtë tokë armike? Përse kemi mërguar? Zoti na ndëshkoi; nuk kemi ditur ta duam, as ta adhurojmë. Sot, të krishterët e armatosur me pushkë dhe me urrejtje hyjnë në vatrat tona, na hedhin jashtë plaçkat dhe na fëlliqin fenë. Drejtësi! Drejtësi!
I ngjaka Kadarese, i merr ere cmimit nobel, por asnjehere nuk e shijon.
Si i themi ne Shqipetaret, keta artiste myslo JANE FTOF NE TAJARE ~{~.
e thote mire fain kryesisht e kane diktaturat e korrupsioni por fatkeqesisht ne shumicen dermuese te xhamive ne vendet arabe mbase e gjetke si ne kosove shqiperi bosnje etj femijet e te rinjte mesohen se kush nuk eshte myslyman shte qenie e piste dhe duhet te kethehet myslyman me hir ose pahir kjo duhet te mare fund dhe kete duhet ta bejne intelektualet arabe
1 pjese te pergjigjes perse paragjykohet do ta gjeni ne kete link.
http://www.veteranstoday.com/2015/02/27/evil-with-a-nice-face-part-ii/