Në 25 vjetorin e rrëzimit të sistemit diktatorial, Shqipëria pritet të konkretizojë procesin e hapjes së dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.
Kuvendi ka miratuar përfshirjen në kalendarin e punimeve të tij shqyrtimin e dy varianteve të projektligjit “Për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit”.
Konferenca e kryetarëve vendosi së fundi të përfshijë në programin tremujor të punimeve shqyrtimin e dy drafteve, njëri i propozuar nga qeveria dhe tjetri nga shoqëria civile, i mbështetur edhe nga dy deputetë të opozitës, Mesila Doda (PD) dhe Shpëtim Idrizi (PDIU).
Kjo do të thotë që brenda sesionit parlamentar që mbyll punimet në verë, Shqipëria do të ketë një ligj për hapjen e dosjeve.
Drafti i qeverisë, i depozituar në parlament më 5 janar 2015, parashikon që procesi të bëhet nga Autoriteti i Informimit Publik, një strukturë me pesë anëtarë, që do të jetë në varësi të Kuvendit.
Shqipëria në këtë proces parashikon të ndjekë modelin gjerman, i cili ka rezultuar i suksesshëm. Pr/ligji merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias.
Ligji i ri ka fushë veprimi hapjen e dosjeve për periudhën nga 29 nëntor 1944, kur u çlirua Shqipëria dhe deri më 21 mars 1991, kur u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste në vend.
Drafti, që synon transparencën në këtë proces, përcakton se nuk do të ketë dënime kolektive, e shpallur kjo si antikushtetuese nga gjykata.
Pr/ligji i miratuar nga Këshilli i Ministrave pason nismën e shoqërisë civile, e cila krahas hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit, parashikon edhe procesin e lustracionit përmes ruajtjes, përpunimit, administrimit dhe përdorimit të të dhënave të arkivave të ish-Sigurimit.
Drafti parashikon të vërë në dispozicion të publikut dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së regjimit komunist 24 tetor 1944-31 mars 1991, për t’iu mundësuar atyre informacionin e plotë mbi ndikimin që kjo strukturë ka pasur mbi fatet e tyre.
Po ashtu, ai synon të garantojë aksesin individual në të dhënat personale, të cilat ish-Shërbimi i Sigurimit të Shtetit mblidhte e arkivonte për personin, për të njohur qëndrimin e gjykimin për të dhe pasojat; të sigurojë mbrojtjen e personit nga dëmtimi i së drejtës për privatësi të shkaktuar nga përdorimi i të dhënave personale të ruajtura; të sigurojë dhe të nxjerrë në pah aktivitetin e plotë historik, politik dhe juridik të ish-Sigurimit të Shtetit dhe ta verë atë në funksion të nevojave publike studimore dhe edukuese.
Nisma e shoqërisë civile, e dorëzuar në Kuvend më 1 dhjetor 2014, përcakton gjithashtu rregullat e lustracionit në politikëbërje duke kontrolluar pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24 tetor 1944-31 mars 1991, lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të diktaturës së proletariatit, si dhe drejtues apo punonjës operativ i ligjshëm ose i fshehtë, apo bashkëpunëtor sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, deri më 2 korrik 1991 kur u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar.
Lum ky popull …. !
Dosjet ?
Ato jane hequr apo zhdukur qysh ne 92-shin,
i pari qe ka vene doren si gjithmon “plane-prishuri” dhe
“mende-prishuri” eshte krimineli “Penicilina” Sali Berisha.