Beqaj: Të reformohet kujdesi shëndetësor parësor

10 Mars 2015, 12:41Sociale TEMA

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ishte i pranishëm në takimin e organizuar për prezantimin e raportit përfundimtar të gjetjeve të Studimit Kërkimor “Monitorimi i shërbimit të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri”, të kryer nga Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme dhe për Demokraci të Qëndrueshme, me mbështetjen e AssistImpact dhe USAID Albania.

Ambasadori amerikan Donald Lu theksoi rolin jetik që luajnë organizatat e shoqërisë civile në monitorimin e punës së qeverisë, dhe rëndësinë që ka informacioni dhe analiza për qytetarët shqiptarë, që të kërkojnë shërbimet e duhura nga qeveria e tyre.

Nga ana e tij, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj gjatë fjalës së tij, u ndal tek rëndësia e studimit kërkimor për kujdesin shëndetësor parësor.

“Unë besoj se ajo që kemi sot është një dokument i vyer sepse së pari është realizuar në mënyrë profesionale dhe krejt të paanshme. Së dyti, sepse na vjen në ndihmë në një kohë shumë të përshtatshme. Sistemi shëndetësor parësor do të duhet të reformohet dhe t’i përshtatet reformës së re territoriale, e cila do të fillojë të zbatohet në zgjedhjet e qershorit të pushtetit vendor”, u shpreh Beqaj.

Beqaj u ndal edhe tek një problematikë, që sipas tij, kërkon zgjidhje. Ai foli për efikasitetin e sigurimeve shëndetësore, sepse pas 20 vitesh që po zbatohet ky lloj sistemi, praktikisht gjysma e popullsisë në moshë punë është e pasiguruar dhe për pasojë nuk përfiton nga sistemi i sigurimit shëndetësor. Por edhe ata që kanë sigurimet praktikisht përfitojnë shumë pak prej tyre, pasi kemi një sistem burokratik”, nënvizoi ai.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë u ndal në rëndësinë e sigurimeve shëndetësore.

“Pjesa e sigurimeve shëndetësore është e rëndësishme për ne që qeverisim. Ne jemi angazhuar që brenda këtij programi të kalojmë në mbulimin universal nëpërmjet taksimit të përgjithshëm. Pra, çdo njeri që jeton dhe është rezident në Shqipëri dhe paguan taksa konsumi do të përfitojë të njëjtin kujdes shëndetësor pa pagesë”.

Nga ana tjetër, Beqaj tha se “për të shkuar sa më pranë qytetarit kemi filluar nga zbatimi i programit të Kontrollit Bazë Shëndetësor”.

Kjo funksionon në të gjitha qendrat e Tiranës dhe në 100 qendra shëndetësore të tjera. Sipas Beqaj, e rëndësishme është të parandalojmë dhe të diagnostikojmë sëmundje, sesa të kurohen dhe kjo bëhet nëpërmjet shërbimit parësor. Kjo, sipas tij, kërkon më shumë pajisje dhe sa më shumë dije nga personeli shëndetësor.

Beqaj ka përmendur edhe fillimin e një vlerësimi të plotë të Shërbimit Parësor në qarkun e Fierit dhe Dibrës.

“Investime të tjera do të ketë në Gjirokastër, Korçë, Tiranë. Në 1 prill do të dalë lista e re e rimbursimit për 2015, dhe recetat e rimbursimit do të jenë dy-mujore, por zbatimi i plotë i shëndetësisë elektronike do të bëjë që mjekët të kenë më shumë kohë në dispozicion. Do të duhet t’i japim mundësi mjekëve të mund të rrisin dhe dijet e tyre”, tha Beqaj.

Ai shtoi se, është menduar për një platformë të re online për të ofruar edukimin e vazhdueshëm, në mënyrë që shumë nga mjekët e parësorit ta shfrytëzojnë këtë platformë, që të kemi mundësi t’i japim mjekëve instrumentin e nevojshëm.

“USAID po na mbështet në hapat e parë në ngritjen e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës”, tha Beqaj.

Studimi përmban të dhëna të rëndësishme në lidhje me funksionimin e qendrave të kujdesit parësor shëndetësor, analizë në lidhje me pikat e dobëta e të forta të sistemit parësor shëndetësor në Shqipëri dhe rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë, vetë qendrat shëndetësore, Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) si dhe organizatat e shoqërisë civile shqiptare

1 komente në “Beqaj: Të reformohet kujdesi shëndetësor parësor”

  1. stela says:

    Ai e di ambasada dhe USAID, qe ekziston nje rregull per vizitat e thjeshta shendetesore (vendosur nga Vasili) , i cili le hapsira per zhvillimin e korrupsionit?????? Pothuajse per shumicen e shqiptareve te punesuar, nuk derdhen kontribute shendetesore nga punedhenesi dhe detyrimisht pjesa me e madhe e popullsise nuk kane libreze shendetesore, pervec pensionisteve edhe shkollareve.
    Nese te duhet te besh nje vizite te thjeshte te mjeku i lagjes ose ne urgjence, duhet te paraqesesh librezen shendetesore ose te paguash nje fature prej 1.500 lekesh. A e ka populli shqiptar kete luks, kur rroga mesatare eshte 15.000 leke/muaj?????? Detyrimisht populli do te korruptoje mjeken me 500 leke per nje vizite te thjeshte!!!!!!
    Ministria do beje mire te afishoje ne internet te ardhurat mujore, 3-mujore, 6-mujore e me rradhe, qe i shkojne ne rastet kur pritet kjo fature. A ben ministria analize per kete rregull? Ministria te beje minimumin, te n’a afishoje analizat ne internet, ne menyre qe dhe populli te qartesohet per prerjen e kesaj fature prej 1.500 lekesh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje