Kryetari i Kuvendit, njëherëz edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta duket se nuk ka fshehur pakënaqësinë për mënyrën e funksionimit dhe punën e Ministrisë së Bujqësisë.
I pranishëm në përurimin e një qendre të re grumbullimi për produketet bujqësore në Divjakë, Meta i drejtoi një apel punonjsëve të Ministrisë së Bujqësisë që të mësojnë nga kjo sipërmarrje sesi punohet.
“Duhet të mësojnë të gjithë punonjësit e Ministrisë së Bujqësisë, se si duhet të punohet dhe se si mund të arrihet që me këto kapacitete njerëzore të mund të sigurohet një marrëdhënie korrekte me fermerët dhe me partnerët ndërkombëtarë, pasi imazhi mund të rritet vetëm përmes seriozitetit në punë dhe cilësisë e besueshmërisë, dhe kjo vjen vetëm nga puna.
Kam thënë shpesh sikur t’i merrnim gjithë qytetarët shqiptarë që ankohen për cilësinë e tokës e t’i çonim në Izrael, për të parë se si një vend i thatë falë punës e përkushtimit është një nga më konkurrueset në fushën e bujqësisë dhe ushqimit, ndërsa ne kemi një tokë të pasur dhe jemi në nivele të ulëta të shfrytëzimit dhe përfitimit prej saj”, u shpreh Meta.
Duke e konsideruar këtë qendër një arritje të re në fushën e prodhimit dhe eksportit të prodhimeve bujqësore, Meta tha se ajo çel një perspektivë të re për eksportuesit shqiptarë, të cilët do të çojnë prodhimet e tyre në 19 vende të Bashkimit Europian, vendet e rajonit dhe gjithë kontinentit.
Kryetari i Kuvendit tha se përmes këtij investimi të standardeve europiane garantohet blerja e prodhimeve tek fermerët e Divjakës, Lushnjës, Fierit, Beratit e Shkodrës, por dhe do të sigurojë ruajtjen e cilësisë së tyre, duke bërë të mundur uljen në maksimum të humbjeve.
Kreu i Kuvendit shprehu besim se bujqësia është një degë e rëndësishme për rritjen e ekonomisë dhe punësimit për të gjithë komunitetin, duke nënvizuar se jemi ende në nivele të ulëta të shfrytëzimit të burimeve tona.
Ai tërhoqi vëmendjen që me këtë ritëm të punohet kudo, ndërsa kërkoi që kjo qendër e re grumbullimi dhe eksportesh të shndërrohet në një shkollë, mes të tjerësh, dhe për drejtorët e bujqësisë në të gjitha qarqet e vendit.
Në këtë përurim ishin të pranishëm dhe ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie. /gj.k/
punonjesit e ministrise disa i ke direkt nga shkolla, dhe disa kane 20 vjet atje. Ata nuk e mbajne mend kur i ka lagur shiu per here te fundit…
Zyre, ministri, makine, zyre, ministri, seminar, zyre, makine, shtepi!!
Ca lidhje kane ata me fushen dhe fermerin…???