Deputeti Tom Doshi vijon t’i qëndrojë versionit të denoncuar publikisht prej tij për ekzistencën e një skenari vrasjeje ndaj tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi.
Doshi është paraqitur sërisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka qëndruar disa minuta.
Doshi është shprehur se ngjarja është e vërtetë, ndërsa hetimet do e zbardhin atë.
“Provat që kam depozituar përbëjnë sekret hetimor. Prokuroria ka material të mjaftueshëm për ta hetuar ngjarjen”, tha Doshi.
Kjo ishte hera e 7 që Tom Doshi paraqitet në organin e akuzës, që pasi denoncoi publikisht atë që ligjvënësi i Qarkut të Shkodrës e quan si skenar vrasjeje ndaj tij dhe deputetit Fufi me porosi të Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.
Prokuroria ka marrë në pyetje mbi 30 persona, mes të cilëve Kryeministrin Edi Rama, Kreun e Kuvendit Ilir Meta, ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, deputetët Spartak Braho, Petrit Vasili, Edi Paloka, Sali Berisha, Mhill Fufi. /gj.k/