Arrestohen 3 shtetas, përfitonin transferta bankare në mënyrë të paligjshme

18 Mars 2015, 18:29Kronika TEMA

3 shtetas janë arrestuar nga policia, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të përftojnë në mënyrë të paligjshme transfertat bankare përkatësisht në shumat prej 100.000 Euro dhe 39.000 Euro, nëpërmjet kartave të tyre bankare të lëshuara nga dy banka të nivelit të dytë në Shqipëri.

Operacionin policor “AIR-MONEY” është finalizuar nga Strukturat e Sektorit për Krimet Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Tre personat e arrestuar janë

• Fabian Kuqi, 24 vjeç
• Marsen Vathi, 26 vjeç
• Elvi Memaj, 26 vjeç

Transfertat bankare të paautorizuara janë kryer në si pasojë e ndërhyrjeve kompjuterike të paligjshme në sistemin kompjuterik të pagesave elektronike të kompanisë më të madhe të fluturimeve në Belgjikë “B.A.”, duke dërguar këto fonde si “rikthim pagesash” të cilat nuk ekzistojnë të justifikuara nga të arrestuarit si të rregullta dhe të ligjshme.

Në këtë aktivitet kriminal implikohen dhe persona të tjerë, me banim jashtë Shqipërisë për të cilët Policia e Shtetit dhe Prokuroria, bashkëpunojnë me autoritetet homologe të vendeve përkatëse, për vënien para përgjegjësisë penale të të gjithë pjestarëve të grupit kriminal

Gjatë arrestimit dhe kryerjes së veprimeve proceduriale, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale sendet e mëposhtëme, të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale:

– 3 Laptop
– 1 desktop
– 5 aparate telefonik Iphone
– 4 aparate telefonik të tjerë
– 8 karta bankare
– 1 kartë plastike me shirit magnetik
– 1 kartë SIM belge

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 143/b dhe 287 të Kodit Penal.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje