Nëse dikush do të shkojë tani në Gërdec dhe nuk do t’ia dijë historinë, ka të ngjarë ta quaj zhvillimin e fshatit si një faqe të re të suksesit demokratik shqiptar. Paqësi, njerëz që shkojnë e vijnë në punë dhe tym i qetë, që lartësohet prej shtëpive të gatitura drejt qiellit t’pastër. 26 të vdekurit tashmë janë tretur, kurse 28 të akuzuarit pothuaj i kanë mbyllur punët me drejtësinë. “Çuditërisht”, një nga akuzuarit kryesor Luan Hoxha, shefi i shtabit të ushtrisë gëzon azil politik; Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes vazhdoi sërish në politikë; të tjerët janë ‘harruar’ dhe kanë rifilluar bizneset. Ne, të paktën, gjejmë dy nga personazhet tona të dikurshme…
Nga Ben Andoni*
Si për fat të mirë, zgjedhim të njëjtën makinë, të njëjtën udhë dhe të njëjtat personazhe. Dita ka të parashikuar reshje, por prej ditësh parashikimi i motit në google për Tiranën është i gabuar. Është kohë e pastër, pastaj shi. Vrenjtet sërish. Dhe, sërish koha hapet. Nuk e marrim me ngut. Njësoj më 2008 nuk jemi ngutur. Po pse duhej vallë? “Gjylja e madhe” kishte plasur kurse neve na mbetej thjesht të mblidhnim ciflat e ngjarjes, pak orë më vonë bashkë me të gjithë kolegët gazetarë. Shpërthimi kishte marrë jetën e 20 e ca personazheve, që u shtuan me kalimin e ditëve, muajve dhe viteve me emra të tjerë. I gjithë Gërdeci ishte i gjunjëzuar. Nuk do t’ia uroja ndonjë qendre tjetër të banuar atë katrahurë, kudo qoftë…
Të gjitha i mendojmë teksa afrohem drejt Gërdecit. Ismetin, personazhin tonë të parë të asaj dite, e gjejmë sërish në dyqanin e vet. I vendosur në të dalë të Vorës, ai me katandinë e vet ishte në kufijtë më maksimalë ku arriti shpërthimi. Djemtë i janë rritur, kurse vetë duket po aq. Qesh, ndërsa do të vazhdojë të pyesë me pyetje, që ua di përgjigjet. “Qamet ore qamet”, më përsërit dhe qesh.
Ismeti
Në shkrimin e botuar më 15 Mars 2008 në revistën MAPO, autori i këtyre rreshtave përshkruan atë ditë në një shkrim publicistiko-letrar: Punëtorë, bujq, dasmorë…Njerëz të thjeshtë, në orët dhe minutat e një dite të zakonshme që do të shndërrohej në një makth të paharrueshëm
Më 16 mars dikush lajmëroi në Vorë se po vinte një shpërthim, më i madh se një ditë më parë në Gërdec. Familjes së Ikbales, e Ramazanit, Ruzhdiut e shumë e shumë fshatarëve, nuk u bëri asnjë përshtypje. Më shumë se ajo që u ndodhi më 15 mars nuk kishte se ku të shkonte. U kthyen të shikonin ç’kishte mbetur nga tmerri.
Ismeti, gruaja, djemtë, me makinën e një mikut të tyre, që kishte ardhur për t’i parë në Vorë, mbërritën në Tiranë duke mbledhur vetëm pak sende të nevojshme. Lekët e xhiros së merkatës së tij, 48 vjeçari, i fshehu në kasafortën shtëpiake…që e kishte për dreq pa çelës. Ikën të gjithë. Kurse, ushtria dhe policia morën në dorë Gërdecin gërmadhë.
Një ditë më parë shpërthimi i Gërdecit, familjes së Ismetit i ka thyer të gjithë fasadën e merkatës dhe berberhanen e djalit. Shumica e skamnorëve nga Gërdeci, matanë rrugës, janë borxhlinj tek ai. Tani pak rëndësi ka. Hajdutët plaçkisin të qetë…
Shtëpia e Ismetit, në fakt, është rregulluar. Berberhana, pranë tij, punon sërish dhe djali që shërben në kafe, në orët e pasdites merret dhe atje me shokët e tij. E shoqja e Ismetit e këqyrim teksa po punon pas shtëpisë me një bel, në mos gaboj. Është krejt indiferente, ndërsa e admiroj për forcën me të cilën punon. Ismeti sorollatet kot dhe ankohet, pastaj qesh dhe flet.“Jo nuk mundem, të vi. Na tregon krahun. “Shikoni! E theva në Greqi. Mu desh të bëja diçka por s’ia dola dot”. Shiko, dhe vizaton në fytyrë dhimbjen. Dhimbja nuk vjen te ne, ndaj dhe fytyra e tij kthehet në vend. Me pak fjalë nuk do të vi. Por, ka gjithsesi kohë të na flasë. Ka marrë këstet e shpërblimeve, por nga ana tjetër, di shumë që s’kanë marrë dot aq sa duheshin. “I ndanë, si donin”, më thotë me një mimikë tejet të sforcuar dhe si gjysmë nënzë. Në pak minuta ka kohë që të kujtojmë të gjithë skenarin e asaj dite. Atë ditë ishte më kureshtar se ne. E kujtojmë habinë e tij që edhe me dëmet që mbarte në shtëpi, habitej me katrahurën e Gërdecit, kujtojmë si na ndihte. Dhe, ngutej. Nuk e di pse atë ditë kishte një ndjesi, që do të kishte sërish një shpërthim…
Ikbali
E lemë shpejt dhe ikim në shtëpinë ku kemi bërë një nga intervistat më të gjata të asaj kohe. Ikbalen, tashmë të paqtuar, e hasim mu te gardhi i shtëpisë, që flet me dikë. E ka sërish rulotin, por nga ana tjetër ka një shtëpi krejt të re…Është personazhi ynë i dytë, i asaj dite.
Shtëpia 300 metra nga uzina e vdekjes – Ikbale Alliu, 47 vjeç, u ngrit fiks të shtunën e një jave më parë më 05.30. U shtriq dhe pak në krevat. Pastaj, deri në orën 06.00 i bëri përtesë ngritjes. Pak më vonë, pasi mbaroi gjërat më të nevojshme u la dhe shkoi të milte lopën. Hodhi një sy nga dhoma matanë. Të tre djemtë ishin në gjumë. Më i vogli i ka lënë porosi se do të shkojë diku.
Më mban mënd, i them. “Hëm, prit. Po të mbaj mënd! Ti je ai gazetari. Hëm e kam ende revistën… Nuk është kaq e thjeshtë me gruan. I kërkoj të kthehem në shtëpi dhe të fotografoj. “Jo jam vetëm”, ma pret. Më vjen për të qeshur, pasi jemi dy veta përballë. Dialogu kthehet në absurd. Ajo na shikohen pak skiç dhe mezi kthehet të flasë përballë. Flet në mënyrën tipike të fshatarit tiranas. “Ho, po ti? Jo. Ene kët…I kena mor. Jo nuk du”. Gjithsesi, ajo pas gardhit, por në nivel më poshtë dhe ne sipër vazhdojmë bisedën e pakuptimë. Kujtojmë ditën. Ia sjellim afër bisedën dhe mundohemi të vendosim pikat e barabarta, të asaj dite të dhimbshme. “Ku e ke orën e murit?”-ia pres. Të gjithë imazhet e ditës së shpërthimit i kam fiksuar në fotot me orën, që kishte varur në mur. Atëkohë, ishte e fiksuar më 12.12. Po, e kam ma pret. Krenohet. Shpejton dhe sakaq vjen nga shtëpia me një qese laramane, ku ka futur orën kineze. “Ja, e shikon, që se kam hedhur”. I lutem sërish, pasi e fotografoj në të gjithë anët e jashtme, që të më marrë pak minuta në shtëpi sa të fotografoj. “Jo, nuk është burri”. Nuk kuptoj nëse tallet, apo kështu e mendon…”Ja shtëpinë e kemi bërë. Çunat i kam martu”. I keni marrë dëmshpërblimet? Qesh, me atë të njeriut që i kanë marrë. Po ata të tjerët? E kam fjalën për vdekurit. “Ç’u bo u bo?”-ma pret pragmatiste me hilenë e fshatarit të zakonshëm shqiptar.
Retrospektivë, Ora 11.45,
(15Mars 2008)
Befas. Errësohet. Tundet dheu. Tmerr. Dëgjohet një shpërthim i madh. Është i pari. Vjen një valë e madhe goditëse. Ankthi pushton. Pak minuta më vonë, shikohen njerëz që vrapojnë. Të parët nga uzina. Zhurma. Ulërima. “Sefte isha te veranda. I thashë djalit të madh të dalim nga shtëpia. Erdhi komshija bashkë me një fëmijë. Kam dhe një fëmijë tjetër sipër, më tha”, kujton Ikbalja.
Flaka e parë duket bajagi e tmerrshme. “I thashë nuses së vogël nisu dhe merr fëmijën e komshies dhe ajo erdhi dhe mori dhe të dy fëmijët. Ikëm”. I kap një panik i patreguar. E kanë përfolur disa herë “uzinën” tutje. Lë bukën në zjarr, i derdhet kafja. E pushton tmerri. Dasma ka filluar ahengun, por zhurma i ngrin. Thyhen xhamat. Kuzhinerit i mbeten pjatat e fërgesës në dorë. Ka llogaritur që t’i shërbejë rreth orës 12.00, por zhurma e ka kapur të shtangur. Ka marrë fëmijën e tij dhe e ka futur në një cep. “Më mirë të shpëtojë ky ka thënë”. Ka ndjerë tmerrin e vërtetë. Vala ka thyer xhamat e makinave para dhe i ka trandur dasmorët, që janë përplasur kudo keq. Panik. Të gjithë bien mbi njëri-tjetrin. (MAPO)
Ramazani
Jemi larguar nga Ikbalja, me ndjesinë jo të mirë të mikpritjes, por edhe me ngutjen për të kapur një nga personazhet e tjera. Në Gërdecin e rregulluar është e vështirë të kapësh konfigurimin e dikurshëm, por pas shtëpisë së gruas, tashti filloj e orientohem me fshatin. Kujtesa fillon e davarit imazhet e asaj dite mbetur në zgëqe të trurit. Po, aty ishte ai burri. Ramazani, atë ditë, në fshatin e braktisur dhe mbathur me njerëz të medias e policë, dilte te dera dhe bërtiste e bërtiste. Shante Berishën, Mediun, këdo që kishte përballë. “Na vratë…Iu bofsha robt”. I bie ziles, dhe befas nga pjesa tjetër e derës nga grua e re më shfaqet. Ia shpjegoj me pak fjalë, por Ramazani, i ati, ai burri që këlthiste s’është më aty. E dimë që është në fshat tjetër, por si është, e pysim. “Baba… i kanë heq pensionin. Rri me bagëtinë dhe është shumë i mërzitur. Është gjithë inat. Po, kujt t’i themi. U ankua për diçka, kurse ata i hoqën pensionin menjëherë”. Afrohet dhe e vjehrra, që ditën e shpërthimit ka qenë në spital. Tashmë bëhemi disa dhe i futemi dhe njëherë kujtimeve…
…Ramazani, 100 metra tutje dasmës, del dhe nxjerr fëmijët. Zhurmë dhe nuk e kupton pse është ndalur muzika. Kanë filluar njerëz të ikin. Kalojnë makina. Nxitojnë të gjithë. Ik. Të ikim, dëgjohen kudo. Ka marrë edhe ai ç’të mundet. Nga lokali vinë shumë njerëz. Të tjerë kanë mbetur aty të shokuar. Nusen e largojnë. I kalojnë para syve.
Kthim në Gërdecin e dikurshëm
Ndërsa bisedojmë, pak metra më andej një grup punëtorësh po ngrenë një shtëpi të re. Gërdeci i vitit 2015 është i mbathur me enigma, por më e madhja syresh është se kush e bëri të gjithë këtë. Drejtësia nuk na ndihmon dot me këtë. Banorët ca më shumë. Duket se t’gjallët e Gërdecit e kanë lutur katrahurën. Drejtësia u përpoq të merrte të pandehur plot 28 persona, disa syresh janë jashtë vendit, por një pjesë e tyre janë të dalë nga burgu dhe madje kanë filluar qetazi bizneset e tyre. Viktimat e Gërdecit nuk mbaruan me t’gjorët që dhanë shpirt nga shpërthimi. Të tjerë do t’i shtoheshin. Të afërm. Prindër.
Krimi ekonomik, që kishte mbi bazë trafikun e municioneve, e ku mes emrave rrinte sigluar dhe vetë emri i djalit të ish-kryeministrit i mbështetur nga gjithë struktura e shtetit shqiptar që nga ministrat e Mbrojtjes, të drejtësisë, që ai i përdorte si ushtarët e vet me leje biznesi, shkresa, mjete…, të trand me cinizmin e vet të paanë. U vranë dy dyzina, por u gjymtuan rëndë 56 të tjerë, ndërsa u plagosën 342 persona. 3000 banesa e biznese të shkatërruara do të fillonin një jetë krejt të re. Helmi prej rrezatimit radioaktiv pushtoi 125 ha, kurse pushtetarët e kohës do gjendeshin para akuzave direkte, prej të cilave duhej të jepnin dorëheqjen. Jo vetëm nuk ndodhi, por PD do të fitonte zgjedhjet në këtë fshat dhe vetë formacioni i Berishës, një vit më vonë, do merrte dhe zgjedhjet e mëdha. Memorie e këtyre njerëzve është e trishtueshme. Ikim.
Epilog
Me Ismetin takohemi në të njëjtin vend. Jemi të sigurt se po në të njëjtin do e takojmë dhe shumë vite më vonë. Nuk ia ndjen më se çfarë ka ndodhur, por do t’ia dijë mirë që biznesi t’i shkojë si duhet. I janë rritur djemtë. Ikbalin e kemi lënë diku. Ajo i ka martuar djemtë. Edhe për atë Gërdeci ka mbaruar. I tanishmi s’ka lidhje me atë kohë, qyshkur është dëmshpërblyer. Sa? Sipas premtimit dhe dëmit? Ç’të duhet ty?-më vjen në kokë reagimi i saj me kuturisje. Ka bërë shtëpinë, kurse ata që e kanë bërë katrahurën, hiç fare s’i duhet. Familjes së Ramazanit po ashtu nuk i duhet, por babën na e morën në qafë!!!-më thotë vajza.
Fabian Kati ka bërë një gjë të mrekullueshme me një degë antropologjia, por duke u zhvendosur deri në Dukagjin. Dua t’i them të vi këtu. Gërdeci është një ngjarje, ku ne mund të nisim një eksperiment me antropologjinë vizive apo disiplinat e tjera afër kësaj, por edhe ku të shohim veten sesa nuk e duam dhe sesi i ruajmë kujtimet. Largohemi. Në Tiranë po përgatitin një protestë dhe mu “njerëzit e akuzuar të Gërdecit” kërkojnë tashmë drejtësi. Ndaj kujt? Të gjithëve që janë në fuqi. Kjo është Shqipëria jonë. Shqipëria e shekullit XXI. Me të njëjtën makinë, me të njëjtin njeri kthehem. Fillimpranverë. Por, 2015.
E njejta gje qe ndodhi sivjet ne fshatrat e Fierit dhe Vlore qe u permbyten nga rrjedha e Vjoses.
-Ata qe u permbyten:- Uh, shyqyr qe u permbytem. Edhe me ndihme u mbytem. Aq sa nuk kemi ku ti çojme.
-Ata qe nuk u permbyten:- Po si nuk erdhi deri tek ne ajo dreq rrjedhe.
-Dhe gerdecaret: – He ta lumsha Sali Berisha, qe na hodhe ne erë shtepite e vjetra dhe na bone te reja. Ata qe vdiqen, vdiqen. Hajt mo, ashtu desh zoti. Ajo qe u bo, u bo. Lene ma!
POR MOSE TE HARROJ SALI KRIMINELI AS MEDI E SHKELZEN TROPOJA SE GJAKU ESHTE GJAKE E NUKE BEHET UJE LLALLA NUKE KA PERTE NEJTE PER JETE NE DETYRE K.P.