Crown Agents, konsulenca e kushtueshme që nuk solli të ardhura shtesë

23 Mars 2015, 19:07Ekonomia TEMA

Nga Gjergj Erebara*

 

“Para se të vija këtu, punoja në Shkup. Atje cigaret qenë më të lira,” thotë David Smith, përfaqësues i kompanisë së konsulencës Crown Agents në Shqipëri ndërsa po pi një cigare në derën e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Smith ka të drejtë! Cigaret në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se sa në Maqedoni si dhe 50 lekë për paketë më shtrenjtë se sa kushtonin në vitin 2013, kur ai mbërriti në Shqipëri për të këshilluar qeverinë shqiptare si të mbledhë më shumë të ardhura doganore. Vetëm se buxheti i shtetit nuk ka parë ndonjë rritje mbresëlënëse të të ardhurave doganore pavarësisht konsulencës së kushtueshme të Crown Agents.

Qeveria shqiptare nënshkroi një kontratë në nëntor 2013 me kompaninë angleze Crown Agents, një korporatë ndërkombëtare me prani në dhjetëra shtete. Në bazë të kontratës, Crown Agents do të përfitonte 4.1 milionë euro në vit (të përjashtuara nga taksat) dhe në këmbim, do të ndihmonte doganat shqiptare për të zbatuar më mirë ligjet aktuale. Crown Agents merrte përsipër të kryente inspektime, të zbulonte shkelje doganore, të identifikonte të ardhura të munguara, të fuste praktika moderne në analizimin e rrezikut dhe rrjedhimisht, identifikimin e evazionit, të luftonte korrupsionin në dogana, të përmirësonte cilësinë e administratës përmes trajnimeve etj.

Në fund, të gjitha këto masa, duhej t’i jepnin Shqipërisë “një rritje prej 1% në vit në nivelin e të ardhurave doganore të mbledhura nga Administrata Doganore, shprehur si përqindje e PBB-së”. Kjo është çfarë është shkruar në kontratë.

“Ne zbatuam të gjitha kushtet e kontratës, por jo kushtin e të ardhurave,” tha Smith për BIRN.

Gjatë vitit 2014, doganat shqiptare siguruan 150.7 miliardë lekë të ardhura për buxhetin e shtetit. Vlerësimi i FMN-së për PBB-në e Shqipërisë qe afro 1.4 trilionë lekë, dhe të ardhurat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për vitin 2014 qenë afërsisht 10.8 për qind e PBB-së. Kjo qe vetëm 0.4 për qind të PBB-së më shumë se sa në vitin 2013. Por duhet të kemi parasysh se në fund të vitit 2013, qeveria shqiptare rriti taksat mbi cigaret dhe karburantet, të cilat mblidhen në dogana, atëherë qeveria duhej të mblidhte rreth 100 milionë euro vetëm nga rritja e taksave dhe 100 milionë të tjera nga puna e Crown Agents, ose, gati 2 për qind të PBB-së më shumë. Për këtë arsye, rritja e të ardhurave me 0.4 për qind të PBB-së sugjeron njëkohësisht që puna e Crown Agents nuk qe efektive dhe rritja e taksave qe një dështim total.

Në letrën e mirëkuptimit drejtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar më herët këtë muaj, qeveria e Shqipërisë pranoi se puna e Crown Agents nuk kishte dhënë rezultat. “Rritja e madhe e të ardhurave e pritur në kohën e nënshkrimit të kontratës nuk është realizuar ende,” thuhet në letrën e qeverisë për FMN-në, e cila deklaronte se gjithsesi kishte vendosur të vijonte me konsulencën e kësaj kompanie.

Qeveria në fakt në kontratën me Crown Agents i ka dhënë vetes të drejtë të ndërpresë marrëdhëniet pas vitit të parë në rast se nuk realizohen objektivat. Por qeveria, jo vetëm që vendosi të mos e përdorë këtë klauzolë, por tashmë ka në dorë ta ndërpresë kontratën në vitin e dytë, pra rreth nëntorit të këtij viti, ose ta zgjasë atë për një vit tjetër. Çdo vit i kushton taksapaguesve shqiptarë rreth 4.1 milionë euro.

Zyra e Kryeministrit Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjeve me shkrim të BIRN për komente.

Në një intervistë për BIRN, Smith, përfaqësuesi i konsulentit anglez, pretendoi se të ardhurat e qeverisë u rritën me 0.8 për qind të PBB-së, ndërsa shtoi se rritja e taksave nuk ka funksionuar për të krijuar të ardhura shtesë dhe se kontrabanda vijonte në shkallë të gjerë. Nuk është e qartë se si është llogaritur kjo gjë, por Crown thotë se shifrën prej 0.8 për qind e ka marrë nga një deklaratë e Ministrisë së Financave.

“Ne jemi zhgënjyer për raportimet në media mbi letrën e qeverisë për FMN-në për shkak qe objektivat janë arritur pothuajse tërësisht,” tha Smith.

Pyetur nga BIRN se si ai llogarit efektin prej 0.8 për qind të PBB-së, duke marrë parasysh rritjen e taksave të kryera në fillim të vitit 2014, Smith tha se sipas mendimit të tij, shifrat e PBB-së nuk janë ende të qarta ndërsa të ardhurat shtesë nga taksat e reja nuk u realizuan për shkak të evazionit fiskal.

“Me ndryshimet në taksim në janar 2014, ne patëm problemin që ndryshimet u njoftuan shumë më herët se sa të ndodhnin. Shumë njerëz blenë cigare para hyrjes në fuqi të ligjit”, tha ai.

“Ajo që pamë vitin e kaluar qe një rënie e madhe e importit të deklaruar të cigareve në Shqipëri. Ajo rënie qe një sasi domethënëse në të ardhura të humbura për qeverinë. Pyetja është se cilat qenë shkaqet e rënie,” tha ai.

Sipas tij, rënia i detyrohet pjesërisht rritjes së importeve para hyrjes në fuqi të akcizës së re por pjesërisht edhe për shkak të rritjes së kontrabandës. “Fakti është që rritja e akcizës në janar 2014 i bëri cigaret në Shqipëri në mënyrë më domethënëse se sa në vendet fqinje. Dhe kjo rriti trafikun,” tha ai.

Sipas Smith, trafiku i cigareve ilegale është një aktivitet profesional, i cili nuk mund të luftohet me inspektimet e Crown Agents. “Të nevojitet të kesh [shërbime] inteligjente për të luftuar atë lloj trafiku,” tha Smith për BIRN.

Një mrekulli që nuk ndodhi

Në prill 2013, gjatë fushatës elektorale, Edi Rama deklaroi se kishte ndër mend t’i jepte doganat në menaxhim të huaj. Sipas tij, kontrata me një agjenci ndërkombëtare të specializuar do të ulte në mënyrë drastike korrupsionin dhe arbitraritetin.

Në korrik 2013, pasi kishte fituar zgjedhjet por nuk ishte bërë ende kryeministër, Rama përmendi për herë të parë Crown Agents si agjencia që do të luftonte korrupsioni dhe evazionin fiskal.

Në nëntor, Crown Agents fitoi kontratën mes debateve që kjo kontratë pritej të kushtonte mbi taksapaguesit 4.1 milionë euro ndërsa përfitimet qenë të dyshimta.

Gjatë vitit të parë të qeverisjes, qeveria u mburr shpesh me rritjen e bollshme të të ardhurave doganore e tatimore në krahasim me periudhën paraardhëse. Por në fakt, të ardhurat ekzistonin vetëm në deklarata.

Sipas Smith, rritja e të ardhurave me 1 për qind të PBB-së ose afro 100 milionë euro falë administrimit më të mirë dhe falë luftës kundër korrupsionit e evazionit fiskal është një objektiv realist.

“Aktualisht vlerësohet se evazioni ha diku mes 15 dhe 20 për qind të të gjitha të ardhurave të mundshme doganore,” tha Smith. Kjo është e barazvlefshme me rreth 220 milionë euro të ardhura shtesë nga niveli i vitit 2014, pa marrë parasysh rritjen e taksave, e cila u krye edhe në janar të këtij viti.

Smith ia hedh fajin “mosbashkëpunimit” të administratës doganore si dhe ekzistencës së evazionit fiskal “profesional”, siç e quan ai, kontrabandë në nivel të lartë që nuk kapet dot përmes inspektimeve rastësore por që duhet të luftohet nga agjencitë ligjzbatuese si sektori i krimit ekonomik në Policinë e Shtetit.

Ai rendit një numër rastesh të kontrabandës. “Kemi gjetur në treg pulla fiskale të falsifikuara,” thotë ai, si dhe raste kur “hapnim një kuti me shishe birre ku në rreshtin e parë kishte shishe me pullë fiskale ndërsa në rreshtat e mëposhtëm nuk kishte më pulla fiskale,” thotë Smith.

Sipas tij, inspektimet e Crown Agents kanë sjellë deri tani identifikimin e rasteve të kontrabandës apo evazionit fiskal, të cilat teorikisht duhej t’i sillnin shtetit 20 milionë euro. Por kjo vetëm teorikisht.

Smith pranon se programi i konsulencës i kompanisë së tij është i shtrenjtë. “Administrimi fiskal duhet të kushtojë diku mes 1 deri në 2 për qind të totalit të taksave të mbledhura” thotë ai.

Kostoja aktuale është aktualisht 4.1 milionë euro në vit ndërsa përfitimet janë krejtësisht të paqarta. Por Smith është i lumtur. “Unë besoj që projekti ynë i konsulencës ia vlen dhe se duhet të zgjatet [sipas kontratës] për vitin e tretë, madje të rinovohet edhe për më vonë,” tha ai.

Në total, sipas statistikave të FMN-së për prodhimin e brendshëm bruto dhe statistikave të Ministrisë së Financave për të ardhurat buxhetore, rezulton se në vitin 2014, të ardhurat doganore u rritën me 0.4 për qind të PBB-së në krahasim me vitin 2013, ndërkohë që barra fiskale mbi karburantet dhe cigaret u rrit me gati 1 për qind të PBB-së duke sjellë një mungesë në të ardhura si përqindje e PBB-së ndoshta edhe më të lartë se sa në vitin 2013.

11 komente në “Crown Agents, konsulenca e kushtueshme që nuk solli të ardhura shtesë”

  1. aqifi (po i verteti ama) says:

    C’ja futin kot keta ciliminjte e BIRN!!! Nen udheheqjen e shyer (me falni, te shquar) te Rilindasve, Shqiperia shkon vetem nga fitorja ne fitorje…

    1. Alan Smajli says:

      Me gjitje balten qe ishte hedhur mbi doganat nga ish opozita pritshmerite ishin qe te mblidhej dyfishi.

      Me cfare po del doganat nuk paskan qene ne piken zero.

      Eshte korrekte qe te pranohen edhe gabimet dhe te njihen edhe meritat.

      Eshte e qarte qe Crown Agents e kane treguar qe jane totalisht te panevojshem ose sic e thone ne gjuhen e tyre “useless”.

      Ne disa raste shkojne pas bishtit duke kapur makina me targa te huaja. Ne raste te tjera (te rralla) kur kane ne dore peshkun e madh nje peshkaqen nderhyn dhe ooops peshku rreshket.

      Thjesht fakti qe ato thone qe kane kapur ne dogane birre pa pulle tregon deshperimin e tyre. Realisht pulla ne birre nuk ka lidhje me faktin nese paguhet apo jo detyrimi. Prapeseprape do ishte me vend qe nese kapen raste te shmangjes se detyrimit keto raste te behen publike dhe jo te thuhen nen ze. Kjo do te sherbente per te stimiluar mdermarrjet korreklte dhe per te penalizuar publikishte mashtruesit.

      Faleminderit Birn!

  2. bruins says:

    per me qesh,,,, i kane plotesu te gjitha pikat e kontrates vetem ate financiare jo…po athere cte duam ne ???????

  3. Billy says:

    Crow agent vetem drejtuesit ka te huaj. Ne terren veprojne shqipatare, te cilet tashme ne varesi te nje kompanie te huaj, nuk i kontrollon askush.
    Keta brenda vitit u bene miliardere. Ku e gjeten kete mik, qe u ben punonjes te Crown agent.
    Une vetem nje jave dua te me mare ne pune kjo kompani. Dhe te mos punoj me gjithe jeten.

  4. turisti says:

    Erebara si nje gazetar i mirfillte per analiza ekonomike, flet me gjuhen e shifrave.

    Ai nuk ben politike, por shkrimet e tij nxjerrin konkluzione te frikshme qe lidhen me faktin se 15 deri 20 perqind e importit te cigaeveve i shpetojne taksave doganore, si rrjedhoje e trafikut.

    Kjo te ben te mendosh se e njejta gje ndodh edhe me importet e mallrave te tjera.

    Nje konkluzion tjeter i ketij shkrimi eshte se politikat e rritjes se taksave te Qeverise(per te cilat jane zhvilluar debate te ashpra), shumezohen me zero si rezultat i ketyre trafiqeve, dhe evazionit fiskal.

    Shkrimet e Erebares jane therese per performancen e doganave dhe disa Institucioneve qe lidhen me te, si tatimet, policia antitrafik etj.

    Por keto shkrime nuk duhet te shihen nga Qeveria si armiqsore, perkundrazi.Ato duhet te konsiderohen si kritika teper konstruktive.Nqse keto mangesi serioze evitohen, kjo do te thote te arketohen qindra milion euro ne arken e shtetit.

  5. mitro says:

    Po kane shqiptaret e varfer te paguajne te huajt mor Z. Erebara.Mjafton te kemi
    miqte angleze mire dhe te na bejne lobime ne shkembim te parave te popullit.

  6. Rrumpall-hane says:

    Edhe pse me humbje po prap eshte me mire ta mbajne keta se ne , keta nuk e kane per zakon te mbajne gjera qe te deshtuara apo qe dalin me humbje, dhe kur shikojne qe nuk mund te permirsohen keto terhiqen. Kjo lloj edukate mungon te ne, ose per te qene te sinqerte kjo gje na pelqen me shume se nuk zbulohen me vjedhjet.Jam i sigurt se po te kete me shume bashkepunim midis firmes edhe administrates gjerat do permirsohen, ose keta nuk pretendojne ta mbajne akoma.

  7. lol says:

    Crown agent bene kishe po punon,qeveria kishe se ka marr nje firm konsulence’qellimi eshte si te vjedhim pa bâ asgje 4 million!

  8. rezi says:

    S’ka problem per 4 milion euro ne vit, e rendesishme eshte qe arrestohen per 100 euro ata qe nuk paguajne dritat, ky eshte shtet!!!

  9. Juri says:

    Si ekonomist i nje shoqerie private kam patur mundesine te kontaktoj me perfaqesues te Crown Agents.
    Pas rastit flagrant per korrupsion te administrates doganore iu drejtuam kesaj kompanie qe duhet te ruaje raste te tilla dhe te zbatoje drejte legjislacionin doganor Shqiptar. Konstatova se qellimi i tyre nuk eshte ky, por Anglezka kishte synimin e vetem qe shoqerite e rregullta te paguajne me shume tatime e taksa nga cfare i takojne duke shfrytezuar boshlleqet e shumta ligjore. Gjithe kjo pa na degjuar fare dhe vetem me nje fjale goje e pa shume shpjegime, duke i lene dore te lire doganiereve ne veprimet e tyre arbitrare.

    Shoqeria private nuk pranoi te bente korrupsion dhe si perfundim pagoi rreth 10-15% tatime e taksa me shume nga cfare i takonte realisht, duke ja ngarkuar barren konsumatorit final (popullit) ne cmimin e shitjes. Kjo sepse duke mos gjetur drejtesi tek Crown, te pakten te shmange kostot monetare dhe kohore ne gjykata si dhe konfliktet e mundshme ne te ardhmen me keta palo doganiere.

  10. Arben says:

    Per tu pergezuar analiza Gjergj Erebares. por mund te shtoheshin dhe disa tregues te tjere qe ulin performancen e administrates doganore per vitin 2014.
    1-Heqja e perjashtimeve per kompanite nxjerrese te naftes me efekt 12,5 mld leke
    2-Perjashtimi i doganave shqiptare nga projektet e BE, te cilat cdo vit kapnin shifren prej 4 mln eurosh.
    3-Pezullimi i projekteve te kontraktuara me BE.
    4-Krijimin e problemeve mes administrates doganore dhe biznesit. Kjo per shkakun se ligji anglez ka ndryshime me rregulloret e BE dhe per rrjedhim dhe me kodin doganor shqiptar. Ne 65% te rasteve nderhyrjet e Crown Agents kane qene te paligjshme. Kjo e vleresuar nga Deget Doganore te cilat nuk kane pranuar te marrin vendime per procesverbalet e mbajtura nga perfaqesuesit e Crown Agents.
    5-Ne koston e Crown Agents duhen shtuar pagat dhe dietat e doganiereve dhe punonjesve te policise, shpenzimet per karburant, makinat etj te cilat kapin shifren rreth 500 mije euro.
    Duhet theksuar qe z.Smith ka pase kontaktuar dhe me drejtuesit e meparshem te administrates doganore, por bashkepunimi me kete kompani eshte refuzuar per dy arsye:
    1-Formimi i eksperteve te Crown Agents nuk eshte i pershtatshem per bazen ligjore shqiptare dhe ata nuk mund te ndikojne ne ndryshimin e legjislacionit pasi ai eshte ne perputhje me rregulloret e BE.
    2-Dogana shqiptare asistohet nga DG-TAXUD, TAIEX dhe struktura te tjera te BE te cilat po e orientojne dhe trajnojne ate per tu integruar ne Bashkimin Doganor te BE.
    3-Mendimi qe ekspertiza e Crown Agents nuk eshte e pershtatshme per Shqiperine vjen dhe nga ekspertet e BE.
    4-Te gjitha keto probleme u bene prezent nga opozita por nuk u konsideruan nga maxhoranca. Dhe per fat te keq megjithe rezultatet e uleta qeveria shqiptare vazhdon me kokefortesi bashkepunimin ne kundershtim me marreveshjen e miratuar nga Kuvendi, perkatesisht me nenin 9 pika 2 ku thuhet se kontraktuesi mund ta nderprese kontraten ne fund te vitit te pare nqs kompania nuk arrin treguesit kryesore te performances.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje