MB: Abuzimi seksual me djem të mitur shqiptarë në Selanik? Nuk ka dëshmi që informacioni të jetë i vërtetë

8 Prill 2015, 18:58Kronika TEMA

Ministria e Punëve të Brendshme dhe koordinatori Kombëtar Antitrafik janë vënë në lëvizje të menjëhershme për të verifikuar informacionet e publikuar sot në media, lidhur me pretendimet e medias greke për abuzim seksual të djemve të mitur shqiptarë në Selanik të Greqisë.

Sipas gazetës greke “Espresso”, në Selanik, djem të vegjël shqiptarë e nga vende të tjera të rajonit, dyshohet se janë viktima të abuzimit seksual të pedofilëve grekë, mes tyre dhe priftërinj. Dëshmitë shokuese të banorëve të zonës tregojnë për raste të përsëritura të trafikut seksual të fëmijëve romë, nga zona të largëta të Greqisë, ashtu si dhe nga vendet fqinje, si Shqipëria e Bullgaria.

Gazeta përshkruan skandalin në rrugën “Afrovitis” në Selanik, ku djem të moshës 12 deri në 17 vjeç, e ndonjëherë akoma më të vegjël, shesin trupat e tyre tek klientë pedofilë që vizitojnë zonën në orët e vona të natës.

Pas interesimit të koordinatorit Kombëtar Antitrafik, njëkohësisht Zv.ministre e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, autoritetet greke kanë informuar se kanë nisur procedimin penal me qëllim hetimin e plotë të vërtetësisë së informacionit të publikuar në gazetën greke “Esspreso”.

Nga hetimet e kryera deri më tani, si nga Prokuroria por edhe nga Policia e Selanikut nuk ekzistojnë prova apo dëshmi që ky informacion të jetë i vërtetë.

Aktualisht nuk ka asnjë kallëzim konkret për abuzim seksual të shtetasve të mitur shqiptarë apo bullgarë, siç pretendohet në shkrimin e gazetës, e megjithatë hetimi vazhdon.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme nëpërmjet strukturave të Policisë së Shtetit i kushton një vëmendje të posaçme zbatimit të procedurave standarde, për të miturit që kalojnë kufirin, qofshin këta të shoqëruar nga prindërit ose jo, duke i intervistuar në çdo rast për qëllimin e udhëtimit dhe qëndrimit, në hyrje dhe dalje të kufirit shqiptar.

Sipas procedurave ligjore, një i mitur i pashoqëruar nga të dy prindërit ose vetëm njëri prej tyre, mund të largohet nga territori shqiptar vetëm kundrejt paraqitjes së një deklarate noteriale të lëshuar nga prindërit ose njëri prej tyre në mungesë.

Që nga Shkurti 2014, bazuar në një marrëveshje të përbashkët me Dhomën e Noterëve, në aktin noterial për të miturit që kalojnë kufirin citohet dhe paragrafi: “Në rast të mos respektimit të klauzolave të këtij akti, veçanërisht në lidhje me destinacionin e deklaruar të djalit/vajzës sonë, por edhe në lidhje me kushtet e vendosura në kuadër të liberalizimit të vizave, si përgjegjës civil, ne angazhohemi të marrim përsipër dhe të sigurojmë kthimin e tij në gjirin e familjes, në kuadër të një bashkimi ligjor familjar në Shqipëri, pavarësisht se cili është vendi apo kushtet ku gjendet fëmija ynë, angazhim i cili nuk na përjashton nga ndjekja penale për braktisje të fëmijëve të mitur, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi”.

 Ky deklarim është një garanci më shumë për parandalimin e çdo rasti të mundshëm të kalimit të paautorizuar të kufirit nga të mitur të pashoqëruar duke i prerë rrugën çdo forme të mundshme abuzimi me të miturit.

Nga Janari 2015, nga të dhënat e Policisë së Kufirit dhe Migracionit rezulton të jenë lejuar të udhëtojnë në drejtim të Greqisë 645 shtetas të mitur me prokurë noteriale.

Ndërkohë iu është refuzuar dalja nga ana e Policisë shqiptare për mosplotësim të kushteve të udhëtimit, (mungesë të deklaratës noteriale, apo probleme të ngjashme), 93 shtetasve shqiptarë të mitur.

Për të njëjtën periudhë kohore janë kapur në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit 18 shtetas të mitur, të cilët pas intervistimeve u janë dorëzuar familjarëve.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe strukturat e saj garantojnë opinionin publik për angazhimin e plotë e serioz lidhur me zbardhjen e kësaj çështjeje si dhe parandalimin dhe ndëshkimin e çdo akti të paligjshëm në dëm të të miturve, shtetas shqiptarë.

 

3 komente në “MB: Abuzimi seksual me djem të mitur shqiptarë në Selanik? Nuk ka dëshmi që informacioni të jetë i vërtetë”

  1. Zig Zag Man says:

    Vaftisuni qe te shpetoni.

  2. Nëse kërkohet një deklaratë,kjo nuk do të thotë detyrimisht se deklaruesi ka treguar sinqerisht të vërtetën..Por,edhe paragrafi që është cituar në shkrimin e mësipërm..tregon se sa i dobët qenka ligji shqiptar mbi mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi..Si është e mundur të thotë ministrja..se nuk është e vërtetë..kur një gazetë e specializuar për kronikën e zezë..publikon një shkrim të tillë..Si është e mundur që ministrja bëri kaq shpejt verifikimet e nevojshme dhe arriti në përfundimin se nuk ka fëmijë të tillë shqiptarë me të cilët abuzohet…?!Turp për ministren dhe qeverinë që nuk tregon pikën e interesit për qytetarët shqiptarë..Mendoni se sa interes mund të tregojë një shtet i tillë për të huajt që bien pre e abuzimeve të tilla në territorin shqiptar..Kërkojeni të vërtetën zonja ministre..se nuk je atje vetëm për të marrë miljonat..dhe për qejfe…Bëni një punë që tu duket…më në fund..!

  3. analist-politolog Nurellar-Beu says:

    Ku eshte Erdhion Verdhiaj ne kete rast…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje