Debatet në Kuvend/ Gjiknuri: Çmimi i energjisë që paguajnë shqiptarët 3 % më pak se mesatarja

9 Prill 2015, 13:23Politika TEMA

Kuvendi ka vijuar debatet në lidhje me amendamentet e propozuara nga opozita për uljen e TVSH për energjinë elektrike nga 20 % që është aktualisht në 6 %.

Ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri duke marrë fjalën në Kuvend tha se borxhi i trashëguar për energjinë elektrike ishte 1.2 miliardë dollarë, por si rezultat i masave të marra ky borxh është ulur.

“Mbledhja e detyrimeve janë borxhe që duhen mbledhur. Dhe kur flisni këtu për borxhet e CEZ, harroni se paratë ishin këtu, dhe për herë të parë u aplikuat vetëgjyqësinë financiare, duke i thënë CEZ nuk po të paguaj unë, dhe ti mos paguaj KESH”, theksoi Gjiknuri duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.

Ministri i Energjisë tha se qytetarët shqiptarë sot paguajnë 9.5 lekë ose 3 % më pak se cmimi mesatar i energjisë elektrike.

Gjithashtu Gjiknuri tha se në fund të vitit humbjet e energjisë parashikohen të shkojnë në nivelet historike 32 %, ndërsa uljet e mëteshme të humbjeve në rrjet do të vijë i rezultat i investimeve që kanë nisur të bëhen.

Ministri i Energjitikës shtoi se sistemi energjitik kërkon qëndrueshmëri financiare dhe masa që ndërmerr Qeveria duhet të mbështeten nga të gjithë, përfshi edhe opozita.

“Ishte detyrë e vështirë për tu përballur dhe populizmi juaj sado atraktiv nuk i bind qytetarët shqiptarë. Unë më duhet të përsëris ato që kam thënë sepse edhe ju po përsërisni të njëjtat bllofe. Ato të mira që kanë të bëjnë me uljen e humbjeve janë prioritetet e këtij sektori. Në fushatë kemi marrë përsipër ta reduktojmë tarifën energjetike, por pasi të rimëkëmbim sektorin e energjisë. Borxhi në energji ishte 7% e GDP. Ju nuk morët parasysh rrisqet kur bëtë privatizimin.

Falë reformës së guximshme u arrit një marrëveshje, dhe falë performancës kompanitë po paguajnë, ndryshe nga gropa e akumuluar që na latë ju në 700 milionë dollarë. Çfarë do të thotë kjo? Është përmirësim që sektori të ecë me këmbët e veta. Paratë e buxhetit po shkonin vetëm për të mbajtur dritat ndezur. Ishit ju që nuk kishit energji në 2008 për orë të tëra. Dhe madje i çuat borxhet për KESH në 260 milionë dollarë. Kjo sepse paratë e buxhetit shkonin për sektorin energjetik. Po të mos rregullohej moti ju rrezikonit të jepnit edhe pagat. Ne ndoqëm ajo që është më e drejta. Unifikuam tarifat, duke targetuar vetëm të varfrit, dhe ata po marrin sot kompensim nga shteti.

Çmimi i energjisë mesatar sot me standardin e konsumit duhet të ishte  9.78 lekë/kw për familjarin. Ka qenë një hile e luajtur për publikun, edhe faturimi 0.

Janë 300 mijë klientë që nuk faturoheshin fare dhe llogariteshin tek çmimi mesatar. Çmimi që po paguajnë qytetarët është 9.5 lekë. Për ne puna nuk ishte te numrat por tek sistemi i matjes. Çelësi i suksesit këtu është pagesa e energjisë, deklaratat populiste dimë të bëjmë të gjithë. Energjia është një nga elementët bazë të jetës. Ju për shkaqe që dihet se dështuat, e futët sistemin në kolaps.

Ndoshta jo gjithçka nuk po shkon siç duhet. bënin amnisti përpara kësaj foltoreje dhe faturat qëndronin në sistem. Në këtë mënyrë ky sistem kështu falimenton”, tha Gjiknuri.

Ndërsa ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj theksoi se nëse nuk do të ishin ndërmarrë reformat në sistemin energjitik, atëherë sistemi do të falimentonte.

“Besoj se kur flasim se çfarë ka bërë qeveria jonë për energjinë, statistikat janë shumë të rëndësishme. Nëse qeveria nuk do të bënte atë që bëri, sistemi do të falimentonte duke marrë të gjithë pjesën tjetër të ekonomisë. Nuk dua të fokusohem në këtë sepse ajo që ka ndodhur në sistemin energjetik, sepse jo vetëm që po merr veten por në 2018 do të ecë me këmbët e veta. Ish-kryeministri foli për 24% rritje të faturës. Në vitin 2015 konsumi në kë/orë për kategorinë familjare është 225 milionë kë/orë. Tarifat e mbledhura 2.76 miliardë lekë. Çmimi mesatar është 11.7 lekë. Në vitin 2014, çmimi mesatar në bazë të konsumit është 11.7 lekë. Në 2013 çmimi mesatar është 11.9. në vitin 2012, kur këta kanë qenë në pushtet, çmimi mesatar ka qenë 12.4 lekë”, tha Ahmetaj.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se deputetët e Kuvendit duhet të miratojnë uljen e TVSH-së së energjisë në 6 %, në të kundërt sipas tij duhet të rikthehet fasha mbrojtëse për çmimin e energjisë elektrike, duke u hequr kështu çmimi i mesatarizuar që miratoi mazhoranca.

“Pse kërkojmë uljen e TVSH-së? Sepse kryetari juaj bëri fushatë duke kërkuar vota se do heqë TVSH e energjisë, as nuk skuqet nga gënjeshtra.

Të kthejmë fashën t’i mbrojmë njerëzit, por është bërë i papërballueshëm çmimi i energjisë dhe i them shqiptarëve se do rritet edhe më tej dhe këtu do jemi.

Ne me rrogat që e marrim si deputetë e përballojmë, po ata që marrin rrogë 10 herë më pak se ne ata do shkojnë në qeli. Ndaj dhe ju ftoj siç votuat për rritjet e rrogave tuaja, votoni edhe për të varfrit e Shqipërisë, të heqim TVSH ose të kthejmë fashën, mbrojtjen me 300 kilovat.

Jam në favor të pagesës së energjisë, por është i paimagjinueshme veprimi më stalinist, ligji juaj për të prekur shtëpinë qytetarit për energjinë.

I keni vënë kazmën shtëpisë me një ligj që përveç imagjinata e sëmurë e njeriut që ka dëshirë të shfrenuar të burgosë të tjerët mund t’i lejojë vetes një gjë të tillë”, u shpreh deputeti Sali Berisha.

Ish-kryeministri bëri një tjetër propozim, kur foli për një amnisti të përgjithshme të të gjithë debitorëve të energjisë.

“Është jetike një amnisti për ata që kanë prapambetje në këtë fushë. Të bëhet një fillim i ri dhe qeveria të garantojë pagesën për të gjithë ata që skano mundësi të paguajnë mbi bazën e përllogaritjeve të sakta. Të tjerët të paguajnë pa asnjë mëdyshje. Por siç e keni nis ju doni politikë policeske”, tha Berisha.

Deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati tha se propozimi i opozitës për të ulur TVSH-në energjisë elektrike qëndron jashtë kontekstit, sepse tashmë sipas tij, sektori i energjisë nuk konsiderohet më si një “peshë e varur në qafën e ekonomisë, por si një sektor që mund ta çojë para atë”.

“Është dashakeqëse kjo fushatë me prapavijë politike e PD kundër një sektori që po ecën shumë mirë. Duhet të pranoni se ka ndërgjegjësim për faturat elektrike, dyfishimi i arkëtimeve. Në 3 muaj mblodhëm saç ju mblidhnit në 6 muaj”, tha Bushati.

Duke argumentuar se përse tre vjet më parë socialistët propozuan uljen e TVSH-së për energjinë, Bushati tha se ndryshe nga qeveria e mëparshme, tashmë çmimi i energjisë i përafrohet kostos.

Ne nuk luajmë me kostot”, tha ai.

Deputeti Ervin Bushati shtoi se tashmë qeveria ka bërë skema që familjet të marrin lekë për kompensim.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj gjatë fjalës së tij në Kuvend theksoi se qeveria ka realizuar të gjitha angazhimet e marra. Ai theksoi se me uljen e taksave mjekët dhe infermierët paguajnë më pak.

“Debati për taksat është i shëndetshëm. Bazuar në çfarë është thënë këtu në seancë, sidomod nga parafolësi, besoj që ia vlen që t’i themi ca të vërteta.

Unë dua t’iu kujtoj se cfarë ka ndodhur në taksat, ne kemi thënë që do e heqim taksën e sheshtë, dhe kjo është e vërtetë. Policë, infermijrë paguajnë më pak. Në kohën tuaj ministri i shëndetësisë pagunate shumë më pak se mjekët. U angazhuam se do ulim tatimin mbi biznesin e vogël dhe e bëmë realitet. U angazhuam që do falim gjobat që u vunë në prag të fushatës dhe e bëmë realitet.

Po ashtu ulëm TVSH për barnat. Brenda partisë së tij duhet të ketë një grup armiqësor, dje deputetët e tij kanë mbrojtur të kundërtën. Ju e këni ngritur çmimin e energjisë.Problemet në energji janë të mbatura, por kolapsi ku u gjet ky sistem nuk qëndron më.

Kemi miratuar kredi qindra milionëshe që do mbështesin sistemin energjitik. OSHEE e kemi nxjerrë nga ngërçi ku e latë ju. Edhe pagat, taksa e ndershme i ka rritur të ardhurat neto. Iku koha kur u merrej paga e 13 mësuesëve që të realizoheshin detyrimet për përmbytjet në Shkodër” , tha Beqaj. /gj.k/

2 komente në “Debatet në Kuvend/ Gjiknuri: Çmimi i energjisë që paguajnë shqiptarët 3 % më pak se mesatarja”

  1. kryetari says:

    3% më pak se çfarë mesatare? Nga doli ky defiçent e u bë ministër?

  2. drejtesia says:

    Sali Berisha ka shume te drejte, popullit po i merret fryma nga taksat e rilindjes, cmimi energjise nder me te lartat ne planet ne raport me pagen mujore,nje qeveri amatore qe nuk ja ka haberin fare, sali berisha duhet te kthehet urgjentisht ne pushtet, ishte kryeminister i te gjithe shipetareve, keshtu nuk mund te vazhdohet me tej, rilindja ngriti taksat ne te gjitha nivelet e sherbimet,duke bllokuar ekonomine, emigrantet kursimet e tyre nuk i depozitojne me ne shqiperi per shkake te taksimit na hoqi energjine e ne ju kthyem llambes me vajguri, sepse rama kerkon miljona leke nga familjet shiptare per te paguar energjine qe vete drejtoret e tij e kane vjedhur,vjedhin, nje anomali e gjithaneshme. diskutohet per TVSH e energjise kur ne fakt cmimi energjise duhet te ulet se paku 80 perqind, jepi rilindja sa ti nxjerresh themelin ketij vendi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje