Tre të rinj u arrestuan nga policia si autor të dy grabitjeve të ndodhura gjatë javës së fundit në autostradën Laç-Fushë Krujë në afërsi të Fushë-Mamurrasit.
Në kuadër të operacionit “Autostrada” policia arrestoi 18-vjeçarin Ervis Aliu banues në Shperdhet, Emiklen Vokshi 24 vjeç banues në Mamurras, Andri Ndreka 18 vjeç banues në Thumanë, ndërsa një i katërt me emrin Edison Ajazi është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Sipas policisë, të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë autorë të dy grabitjeve të ndodhura me armë dhe maska në këtë zone.
Uniformat blu kanë bërë të ditur se konkretisht këta persona janë autorë të ngjarjes së ndodhur datë 05 prill në Fushë Mamurras Kurbin, ku Kreshnik Perndoj i cili drejtonte makinën dhe personave që udhëtonin me të, iu kanë vjedhur katër telefona, një sasi lekësh dhe disa bizhuteri.
Gjithashtu është bërë e ditur se dy prej këtyre personave të arrestuar janë edhe autor të grabitjes së ndodhur me 11 Prill rreth orës 03:40 në Fushë Mamurras të dy telefonave celular, 400 Euro, 7000 lek të rinj dhe disa dokumente identifikuese shtetasve Englert Çupa dhe Osman Çupa të cilët udhëtonin me makinë.
Sipas policisë së Kurbinit tre të rinjve në cilësinë e provës materiale u janë gjetur disa telefona celular të cilët ju kishin marrë udhëtarëve, ndërsa sendet me vlerë rezulton t’i kenë shitur.
Grupi hetimor ka nisur një hetim të gjerë për aktivitetin e këtij grupi kriminal, ndërsa po vijon puna për dokumentimin e aktivitetit të ushtruar prej tyre, pasi dyshohet se këta shtetas janë edhe autor të ngjarjeve të tjera. /gj.k/
Bjeruni kremineleve atje ku u dhemb me shume dhe mos kini fare meshire,vetem keshtu do te behet shqiperia dhe rruge tjeter nuk ka dhe nuk mund te kete. Bravo policia e vertete e ketij populli qe e priti per 23 vjete rrjeshte dhe ja me ne fund e ka dhe po vepron konforme ligjeve.