Nuk e di ç’lë pas, nuk e di ç’ke përpara

16 Prill 2015, 20:35Kulturë TEMA
Nuk e di ç’lë pas, nuk e di ç’ke përpara

(Mbresa nga vëllimi poetik “unë dhe Unë” i Sokol Olldashit)

Nga Pirro Dollani

Sapo mbylla fletën e fundit të librit të Sokolit “unë dhe Unë” dhe në mendjen time vazhdon jehona e vargjeve të poezisë “Krishtlindje” që mbyll vëllimin:

Më falni, njerëz

në ju gjykova

më fyet

pa të drejtë.

 

Tani. . .

Krishti

Kjo poezi tingëllon si një përfundim logjik i tërë jetës së trazuar, të rebeluar e shpirtit kryengritës të heroit lirik, pasojë e shëmtimit, hipokrizisë njerëzore që mbizotëron ku e keqja është bërë normë. Ai është i vetëdijshëm për peripecitë që do të ndeshë në luftë kundër së keqes, dhe kjo gjë e bën të vetëdijshëm edhe për fundin e tij. Ashtu si edhe Krishti që për t’u ngjitur në qiell, duhet më parë të vdesë—apo siç shprehet poeti “duke u ngjitur tëposhtë”—ashtu edhe ai tek poezia “Nuk di ç’të lë, nuk di ç’ke përpara” shkruan:

“Kufij ka përpara, kufij ka dhe pas,

Kufij anash, kufij lart, kufij poshtë,

Kalldrëmi mes hapësirës pa anë,

Unë mbi të duke u ngjitur tëposhtë.”

Prandaj fjalët “vdekje”, “varr”, “ikje” janë aq të shpeshta në poezinë e tij.

Që në poezinë “Kënga” që hap vëllimit me një varg migjenian, ai shpërthen: “Këndoje/ derisa qiellin të mbyllësh në grusht/ e me grushtin tjetër globit t’ia ngjeshësh.”

Të tërë poezitë e këtij vëllimi më shëmbëllejnë me një mozaik ngjyrash të ashpra e penelata të trasha që piktor si Rembrandi përdorën në autoportretet e tyre. Dhe ky vëllim është një autoportretizim i poetit. Madje, Sokoli është profetik në portretizimin e vetvetes, pasi është në gjendje të japë me saktësi, jo vetëm ç’bënë me të, por edhe të shohë vrasësit, hipokritët, servilët që qajnë gjatë ceremonisë së varrimit të tij:

“Në kortezh të përmotshëm, grumbuj dykëmbëshash pas një arkivoli që vrapon./ Ata e vranë./ Ata e përcjellin./ Ata e qajnë./ Në fund të fundit/ me dhé/ e mbulojnë./ Prifti bën Meshën e Fundit,/ u uron krimbave oreks.”

A nuk ndodhi vërtet kështu me të? Nxituan ta varrosin, sikur kërkonin të fshihnin diçka. Dhe në përvjetorin e parë të vdekjes, të këtij luftëtari, këtij trimi e intelektuali të mençur, në përvjetorin e parë të atij që nëse do të zbatohej MERITOKRACIA e DEMOKRACIA brenda radhëve të partisë së tij, Sokoli do të ishte në krye të Partisë Demokratike, të kësaj Partie, që sot është bërë për t’i qarë hallin. Në krye të së cilës është vendosur një njeri, çuditërisht i ngritur me katapult, pa pasur asnjë meritë e kontribut paraprak në luftën për demokraci. . .

Krahas poezive që tingëllojnë si aktakuza ndaj së keqës, padrejtësisë shoqërore, shëmtimit njerëzor, zënë vend dhe një mori poezish me temën e dashurisë. Ato janë kaq të ndjera që nuk mund t’i lexosh pa njomur sytë dhe faqet. Te tilla do të përmendja,”Dhe unë dhe ti”, “Mikut tim, Xhimi”, “Do të iki një ditë bashkë me vjeshtën”, Dashuri”, “Letra e fundit”, “Si tingulli i një bluzi”, “17 shkurt 1993”, etj. etj.

Një nga karakteristikat e poezisë së Sokol Olldashit që e bën atë tejet unikale është ajo që do ta quaja “forca/pesha e retiçensës.” Retiçensa zë një vend të konsiderueshme në poezinë e tij. Ajo krijon një lloj “misteri” që nxit imagjinatën e një lexuesi të mirë dhe rrit më tej anën emocionale të poezisë. Nga poezia “Letra e fundit” po citoj strofën e fundit:

“Tani, bëj si di ti,

unë të premtoj veç një gjë:

sido që të zgjedhësh në fund,

unë do t’vij, o iki,

. . . pa zë.”

Po kështu poeti Sokol Olldashi ka gjithashtu një sy të mprehtë për detaje dhe në poezitë më të mira ai është tejet spontan.

Këto janë disa mendime të shprehura nxitimthi, si të doja t’i regjistroja për t’u rikthyer përsëri. Natyrisht, një vëllim poetik nuk mund të lexohet siç lexohet një tregim a roman nga fillimi në fund, siç e lexova unë ngaqë s’mund ta hiqja nga dora. Poezia në përgjithësi, dhe poezia e Sokolit në veçanti, nuk duan lexim, por rilexim. Sokoli ishte një djalë me talent të shumanshëm, por ma do mendja që po të merrej seriozisht me letërsinë, ai do të ishte padyshim një nga majat e letërsisë sonë. Apo siç shprehet i madhi Dritëro Agolli për poezitë e këtij vëllimi: “. . .Poezi të një niveli të lartë dhe të çuditshëm të poetit të vërtetë Sokol Olldashi.”

Libri i tij “unë dhe Unë” edhe mua më bën krenar, pasi kam qenë mësuesi i rrethit letrat të pallatit të Kulturës të Durrësit që përbëhej nga nxënësit më të talentuar të gjimnazeve të qytetit. Por Sokoli shquhej mbi ta në të gjitha drejtimet. Madje, që kur hynte në sallë vëmendja e letrarëve të rinj përqendrohej tek ai. Pasi ai i kishte të gjitha: talentin, zgjuarsinë, çiltërsinë dhe bukurinë e trupit e të shpirtit. Ai jetoi pak, por për ato pak vite bëri atë që shumë e shumë njerëz nuk e bëjnë edhe sikur t’i kalojnë të njëqindat. Edhe pse jetoi pak, ai e plotësoi dhe e tejkaloi atë që bën njeriu në një jetë.

Tani. . .

Krishti

Po, ashtu je e do të jeshë nxënësi im i mrekullueshëm! Dhe si AI do të ngjallesh sa herë që lexuesi do të marrë në dorë librin e do të bashkëbisedojë me ty!

2 komente në “Nuk e di ç’lë pas, nuk e di ç’ke përpara”

  1. Flamur_Vlore says:

    SRB NA BERE GJEMEN SI BIR I DAL NGA HUNDA E HOXHES TI E KOPJOVE MJERISHT PO SHUME GJEME I BERE -BESIMIT- QE POPULLI TE DHA PASI KISH 50 VJET QE E HUMBI E CA BERE TI VRAVE PERSERI —TI ME PAK NE NUMER PO ME SHUME NE PESHE VRAVE DHE OLLDASHIN NJERIUN QE DO DINTE DHE DINTE SESI DO JA NDRISTE FAQEN SHQIPERISE DUKE BERE PD NJE PARTI SIC DUHET! TI I VRAVE TE GJITH SRB VEC BESES DHE SHPRESEN QE DIKUSH KA PER DIKE APO PER DICKA TI SRB -RE NGA FIKU-

  2. Z/K says:

    Njeriu qe u ngrit me katapult asht shoku dhe miku i vajzese te Berishes,e quajtuna Argita.Vajza dhe i ngrituni me katapult ishin koleg ne Mitrovice.Punonin bashk dhe kombinonin bashk.I sherbenin ne paraqitje kosovarve po ne thelb ashtu sic e ka te perzemer kete fjale Berisha i sherbenin serbakve ne cdo gjyqe,qe kishte te bante,per ti dhene drejtesin,te drejtit.Keto ia jepnin shkjaut serb.Te ardhurat mbushnin buxhetin e xhepit dhe sherbimi i mshefte bente punen e vet.Ndaj duhesh qe kryetari i partise te ishte trashigimtar i te parit te partis qe ishte babai i vajzes Argita.Si njeri dhe tjetri kur nuk e tregune pasurin.Edhe kur bane sikur e treguan.Ma shume kaloj si loje humore se nuk i hante kush ato brockulla qe donin te shiteshin te ndershe.Per hater te katapultimi kam frige se iku i ndjeri Olldashi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje