Roma, 45 milionë euro për një gol

20 Prill 2015, 15:49Sport TEMA

Iturbe, Ibarbo, Doumbia, tre sulmues, 45 milionë euro dhe vetëm një gol i shënuar.

Janë këta tre lojtarë pasqyra më e qartë e merkatos së dështuar të Romës.

Barazimi me Atalantën ka rindezur gjakrat në Trigoria, ku tifozët nga njëra anë po kontestojnë me çdo mjet të mundshëm skuadrën dhe presidentin, ndërsa ekipi nuk arrin të dalë nga kurthi i barazimeve.

Goli i vetëm i skuadrës verdhekuqe i shënuar nga Totti reflekton shterpësinë e sulmit verdhekuq, edhe pse shoqëria ka bërë investime të rëndësishme.

Iturbe, nga i cili pritej shumë në fillim të sezonit, po rezulton një zhgënjim i vërtetë.

Edhe pse Sabatini ia rrëmbeu Juventusit në ditët e fundit të merkatos, argjentinasi ka shënuar vetëm një gol deri në këtë pikë të sezonit.

24,5 milionë euro iu paguan Veronas për lojtarin që numëron 1 mijë minuta, por vetëm një rrjetë.

Nuk ndryshon shumë situata edhe për dy emrat e tjerë, Doumbia dhe Ibarbo.

Afrikani u transferua nga CSKA-ja e Moskës për 16 milionë euro, ndërsa ish- sulmuesi i Kaljarit u huazua për 2.5 milionë.

Roma rrezikon vendin e dytë dhe një peshë të madhe faji mban reparti i avancuar, ku ai që ka arritur ta bindë plotësisht trajnerin Garsia, është Ljajic.

Lojtari serb arrin të krijojë situata të rrezikshme në zonën kundërshtare, por mbetet i vetëm në këtë betejë, prandaj për të merituar biletën e Champions League sezonin e ardhshëm, ekipi verdhekuq ka nevojë për një sulm në formë.

Eshtë trajneri Rudi Garsia njeriu i vetëm që mund ta shkundë skuadrën e përgjumur nga efekti i barazimeve.

Radhën e ka Interi, një transfertë e vështirë ku Roma mund të humbasë terren ndaj Lacios dhe shpresa e vetme në këtë situatë mbetet sulmi që duhet të shënojë për të mos u dorëzuar në fund të një sezoni plot ulje-ngritje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje