Shkolla kërkon përkushtim, jo kapardisje

7 Maj 2015, 16:26Blog TEMA

Nga Jorgji Puraveli

 

I befasuar nga emisioni “Opinion” i televizionit Klan për dhunën në shkollë, detyrohem të shkruaj.

Moderatori i këtij emisioni, një bir mësuesi, paraqiti dy sekuenca të stisura filmime që jo vetëm nuk tregonin dhunën e vërtetë në shkollë, por se si mund të përbaltet ajo.

Dy ndeshje boksi që njëra fitohej me pikë nga një mësues ndaj një nxënësi, që veç mësues nuk mund të ishte dhe tjetra tregonte një nxënës të trimëruar nga drogimi, që veç nxënës nuk mund të ishte, i cili hidhte në nokaut një mësues. Përsëritja e ripërsëritja e këtyre frekuencave a thua të qe një kënaqësi golash në një ndeshje futbolli?

Jo, ato qenë autogola të një mediumi partiak që kërkonte të nxiste realitetin e shkollës e të çedukonte.

Dëgjova në atë emision një profesor, që dikur ka qenë në elitën e vlerave të shkollës tonë, por që fatkeqësisht tranzicioni e kishte konvertuar në një politikan që kishte lënë zananë e kishte marrë zurnanë. Pashë shqetësimin e një mësuese të përkushtuar që qe pezulluar nga shkolla për shkuljen e veshit të një nxënësi çamarrok (që askush s’e miraton) dhe m’ u dhimbs ajo, por, më shumë shkolla ku jepte mësim, se do t’i mungonte një mësuese e vlerave aq të larguara e të munguara në shkolla në këtë tranzicion të stërzgjatur e shterpë. Dëgjova një kompetente të qeverisë të fliste me pasion për dhunimin e të drejtave të fëmijëve në shkollë, në një kohë që kryeministri i vendit po ngre me të madhe vënien në vendin që meriton të dinjitetit të përkëmbur të figurës së mësuesit. Kjo kompetente na shpjegoi sesi po shkelen udhëzimet e ministrisë në mbrojtje të të drejtave të nxënësve qoftë edhe nga shkulja e një veshi, na tregoi përralla nga e kaluara për “parazitët”, por nuk na tha asnjë fjalë se kush po ia shkul veshin shkollës.

Shkurt, shumë zhurmë për asgjë! E vetmja gjë që u arrit në këtë emision qe dhunimi i të vërtetës absolute: “Gjuha vete ku dhemb dhëmbi”, duke i vënë foljes vete një “s” përpara.

Kush po e pengon shkollën në arsimimin cilësor të shoqërisë?

Elita intelektuale shkollore ka heshtur me papërgjegjshmërinë e saj. Opinionistët mediatikë mbetën duke u përdredhur pas fustaneve blu e rozë të partive, duke bërë gam-gam, u shkul, s’u shkul veshi. Elitat politike dyngjyrëshe vazhdojnë paturpësisht lojën e zhurmshme të pingpongut partiak hidh-prit, arritje-dështime. Mësuesve të vërtetë u është mbyllur goja se druhen se mos partiokracive të tranzicionit gjatë ngatërrimit të pushteteve bën vaki u erret shikimi e ngatërrojnë m-në me p-në në emërimin e tyre e u pritet korromania.

Ata që duhet të përgjigjen e që mbajnë përgjegjësi, jo vetëm që bëjnë të paditurin, po ç’ është më e keqja, dështimet në vite me paturpësi po i trumbetojnë për arritje e risi.

Që në fillim, shkolla vuri në themel të punës së saj postulatin e babait të pedagogjisë botërore, Komeniusit: “Shkolla pa disiplinë, si mulliri pa ujë.”

U sanksionuan deri në detaje të drejtat e detyrimet e nxënësve e mësuesve në procesin mësimor, duke vendosur një simbiozë pune dypalëshe në orën e mësimit.

Edhe kontradiktën e heshtur në këtë simbiozë meritë-preferencë, shkolla e zgjidhi duke ia deleguar ekzigjencës pedagogjike të mësuesit, duke këmbëngulur të prevalonte merita. Përmbysja e kësaj prevalence, është jo shkulje veshi, po grusht kokës për shkollën, pasi cenohet merita, mësuesit e vlerave e nxënësit cilësorë, gjë që po e vuan sot shkolla.

Që në fillimet e tranzicionit e në vazhdimësi elitat partiake qeverisëse i imponuan heshtazi shkollës skenarin e arsimimit masiv global. Edhe retorikat e demokratizimit dhe depolitizimit të shkollës qenë pjesë e politikave mashtruese të tranzicionit, tashmë të dala boje. Konkurset për gjoja përzgjedhjen e të plotfuqishmëve për gjithçka e mbi gjithçka për administrimin e arsimit në rrethe u kthyen në tender me fitues të paracaktuar kolltukofagët e thekur partiakë të ngjyrës qeverisëse, sekserë të korrupsionit. Fenomeni shoqëror i informalitetit ka zënë rrënjë dhe në punën e shkollës. U godit procesi mësimor, globalizmi zbehu punën e diferencuar në orën e mësimit, rutina punën e gjallë me nxënësit.

Vlerësimet fiktive, kjo flamë e papërgjegjshmërisë së shkollës, vazhdon nga vitit në vit duke ngritur stekën e shterpësisë së dijeve të nxënësve e që në maturën shtetërore shfaqet e frikshme. Në lëndët me ngarkesë vështirësie në vend që të këmbëngulet në përsosjen e mësimdhënies së tyre në orën e mësimit, shpesh zgjidhet rruga me më pak bereqet, ajo e informalitetit me orë të shumta kursesh, duke zbehur dhe dy urdhra ministrash e kompetentja hesht. Vetëm pjesëmarrja në këto kurse, që shpesh u imponohet masës së nxënësve është garanci për kalueshmërinë e pamerituar dhe notat cilësore fiktive. Në vend që të hidhet shikimi në modernizimin e procesit mësimor, shpesh lihen në harresë dhe parimet bazë të didaktikës që të mësuarit fillon nga konkretja tek abstraktja, nga e lehta tek e vështira.

Që kur hordhitë e injorancës në atë fillim tranzicioni u turrën dhe në tempujt e dijes e mirësisë e s’ lanë mjet mësimor pa shkatërruar, s’kujtohet kush për bazën materiale mësimore. Tri kompletet individuale të nxënësve me të cilat fillonte mësimdhënia e matematikës që në klasën e parë s’janë më se ndërmarrjes së mjeteve mësimore i është vënë kyçi me kohë e s’kujtohet kush. Altertekstet e matematikës nuk kanë asnjë nga punët e shumta përgatitore që nxisin punën e pavarur të nxënësve në marrjen e njohurive. Mungesa masive e mjeteve mësimore gjeometrike në orën e mësimit është një papërgjegjshmëri e ligjëruar. Investohet për ndërtime shkollash për risuvative e zbukurime të fasadave jashtë e brenda, por për bazën materiale mësimore, merrja këngës: “Vajta në bash odë e pashë tavanë.”.

Kompetentët e zyrave qeveritare mbetën ngre e lësho kurrikullat e programet mësimore një herë për sistemin 8-vjeçar, pastaj për atë 9-vjeçar me cikle një herë 5+4 dhe më pas 6+3 duke u tollovitur e duke krijuar mundësinë hartuesve e miratuesve të alterteksteve të majmen. Tani, së fundmi u kujtuan për hartimin e teksteve nga një grup autorësh. A thua të mos e dinin këta kompetentë se që 30 vjet më parë në kuadrin e modernizimit të mësimdhënies së matematikës, shkolla jonë kishte fituar një përvojë të admirueshme bashkëkohore?

Tekstet që nga klasa e parë e në vazhdimësi hartoheshin nga një grup i mirëfillte specialistësh, eksperimentoheshin në shumë shkolla të vendit deri dhe me klasa kolektive dhe pasi siteshin nga vërejtjet e eksperimentuesve, hidheshin në qarkullim duke u shoqëruar nga tekstet metodike për mësuesit, edhe pse këta të fundit ishin kualifikuar më parë.

Me sajesën e maturës shtetërore u kujtua se u zgjidh drejtësisht kontradikta meritë-preferencë për të drejtat e studimit në shkollat e larta. Keqadministrimi që iu bë asaj në vite, bëri që edhe në të drejtat e studimit të prevalonte informaliteti i preferencës. Matura shtetërore jo vetëm që solli shterpësi dijesh, por tronditi dhe motivet e shkollimit. Me 66% e arritur vitin e fundit dhe me disa konvertime thuhet se maturës shtetërore iu kthye dinjiteti. Harrohet se në këtë tregues kanë pjesën e tyre dhe hileqarët e provimeve. Gjithashtu treguesit cilësorë ka vite që janë lënë në harresë se janë të frikshëm e diskreditues. Matura shtetërore do të qe arritje nëse do të kishte me meritë tregues të lartë sasiorë e cilësorë. Kjo kërkon përkushtim nga mësuesit e djersitje mbi libra nga nxënësit, jo vetëm në vitin e maturës, por në të gjitha vitet e shkollimit. Edhe mbirja e universiteteve private si kërpudha pas shiut qe një blof i atyre që i lejuan të hapeshin.

Fenomeni i informalitetit me shit-blerje provimesh e diplomash, si dhe mbyllja e një pjese të universiteteve pa u hapur mirë, ia hoqi kallajin butaforisë virtuale të Shqipërisë së dijes.

U vodhën dijet e meritat në shkollë, kusarët fërkojnë duart, shkolla rënkon, shoqëria paguan haraçin për sot e për të nesërmen e saj.

Tani, dëgjojmë për nismën e ministrave tanë për të marrë në patronazh nga një gjimnaz. Mua më kujtohen brigadierët mjeranë të kooperativave bujqësore, që vrisnin mendjen për pehlivanllëqet që do të bënin që parcelat e patronazhit të marra nga drejtuesit e partisë e pushtetit në rreth të ishin pararojë të rendimenteve të larta: A thua se dhe shkollat e patronazheve janë si parcelat e rendimenteve të larta?!

Në kuadrin e modernizimit të mësimdhënies të matematikës shkollore, pata privilegjin që për vite të tëra të ndodhesha midis mësuesve të ciklit të ulët, si mësues. Aty pashë se sa përkushtuese, se sa e vështirë, sa e lodhshme, po dhe sa fisnike është puna e mësuesit të ciklit të ulët për aftësimin cilësor të nxënësve për të marrë informacionin nëpërmjet fjalës së shkuar. Puna mes tyre kërkonte që të mos heshtej ndaj mendësive të atyre që kërkonin rinovim.

Edhe kualifikimi dhe klasifikimi i mësuesve është cilësor kur bëhet në funksion të modernizimit të procesit mësimor. Ai nuk bëhet në palestra të mbyllura me testime, por në shkolla me veprimtari të hapura mësimore me mësuesit, në punën e gjallë me nxënësit duke mos harruar asnjëherë vlerësimin material për punën vetëmohuese të mësuesve.

Në këtë 7 Mars ministria e arsimit dërgoi një mesazh urimi e detyrimi: “Mësuesit e vërtetë nuk kërkojnë, jemi ne ata që duhet t’u japim atyre atë që meritojnë.”

Egoja partiake brenda llojit me inteligjencë gazetareske nxitoi karshillëkun me sentenca donkishoteske… dija e mosdijes …, shkolla rënkon.

Konica i madh flet nga thellësia e shekullit: “Fatin e botës nuk do ta ndajë komandanti i topit, por mësuesi i shkollës, mendimtari i kohës.”

Përgjigjet rubini i gjuhës shqipe Ilia Dilo Sheperi: “Jemi dhe ne mësuesit e Shqipërisë, shpirt nga shpirti i mëmëdheut, asht nga ashta e tij.”

Veteranët e arsimit edhe pse zë në shkretëtirë, buçasin:

Ministre! Edhe heshtja e Mësuesve të Vërtetë ka një kufi domethënës durimi. Ata kërkojnë urgjentisht reformimin e sistemit arsimor parauniversitar. Niseni të paktën duke ngritur ato të mira që u hodhën poshtë e u shkelën në këto 24 vjet shkollë, por pa arnime të qepura keq. Është detyrimi juaj. Sa më parë që ta bëni, aq më mirë për shkollën e shoqërinë.

 

 

 

1 komente në “Shkolla kërkon përkushtim, jo kapardisje”

  1. Drejtori says:

    Shkolla kerkon perkushtim dhe jo kapardisje eshte nje titull I goditur por duhet te ishte edhe me I goditur pasi kjo qeveri te jep komoditetin qe te vendosesh cdo lloje titulli ! Shqiperia vendi qe do shkohej ne shkolla me IPAD sote eshte vendi ku shkolla eshte degraduar ne nje pike qe nuk mund te imagjinohet ! dje po shikoja nje video te disa femijve te nje shkolle ketu ne kryeqytet dhe nen tingujt e nje kenge te quajtur COCO benin sikur poinin kokaine ! Per kete I cojme femijet ne shkolla ? apo per ndonje poshtersi si ajo e blerjes se provimeve ne vlore me lek ? jo eshte Casti qe gjithe studentet dhe familjaret ti kerkojne qeverise Seriozitet apo dorheqje !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje