Një njësi “Task Force” për dekriminalizimin

13 Maj 2015, 17:02Blog TEMA

Nga Xhovani Shyti *

Tetë kandidatë të vendosur në garë nga opozita për postin e kryebashkiakut, në zgjedhjet e pritëshme vendore të 21 qershorit 2015, janë të papërshtatshëm për të qenë të tillë. Kjo pasi del të kenë patur precedent penal ndër vitet e ikura.

Kështu, është publikuar se kandidatët e koalicionit opozitar për Bashkinë e Cërrikut, Qamil Boja, Zef Hila, kandidat për Bashkinë e Vaut të Dejës, Ilir Krosi, kandidat për Bashkinë Dibër, Bajazit Karriqi, kandidat për Bashkinë Prrenjas, Gjergji Mero kandidat për Bashkinë Korçë, Kreshnik Bozho, kandidat për Bashkinë e Sarandës, Fran Frrokaj, kandidat për Bashkinë  Lezhë dhe Grida Duma, kandidat për Bashkinë Durrës, mbartin në veprimtarinë e tyre të ditëve të shkuara precedent kriminal.

Zbulimin e ka bërë media, televizioni “A1 Report”, i cili ka cituar si dhenës informacioni një burim konfidencial të Partisë Socialiste. Kjo ka ndodhur pak orë pas një debatI të mbajtur në Komisionin parlamentar të Dekriminalizimit, ndërkohë që në kundërpërgjigje është bërë e ditur qënia “të inkriminuar” edhe e tre kandidatëve të mazhorancës të përfshirë, po ashtu, në listën e garuesve për postin e kryebashkiakut.

“ Shqiptarët sot vuajnë për bukën e gojës, ndërsa kandidati socialist për Bashkinë e Policanit, Adriatik Zotka është kallzuar penalisht për fshehje të 1.5 milionë eurove.  Qytetarët burgosen dhe shtyhen drejt vetëvrasjes për 30 mijë lekë të vjetra, ndërsa trafikantët e drogës dhe protistucionit janë sot kandidatë për kryebashkiakë, si Artur Bushi në Krujë, Ervin alias Elvis Roshi ne Kavajë e gjetkë…”.

Zbulimin e tyre edhe, në këtë rast, e ka bërë një forcë politike, Partia Demokratike, e cila e ka publikuar atë në media nëpërmjet një deklarate shtypi.

Si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, zbulimi i kandidatëve të inkriminuar është bërë jo nga një strukturë zyrtare e specializuar për të qenë kompetente në verifikimin, në qënien apo mosqënien e personave të propozuar “kandidat të kriminalizuar”. Siç duhet të ndodhë në një shtet normal. Ku jo gjithçka lihet në dorën e në dëshirën e politikës, e cila, në pandalshmërinë për ta hedhur vallen gjithmonë në interesin e vet, nuk pyet fare për cënimin e dinjitetit dhe të të drejtës morale të individit. Mbrojtja e të cilit është e drejtë kushtetuese.

Mirëpo kush duhet të jetë struktura kontrolluese, që të filtrojë individët kandidatë garues si për zgjedhjet vendore, ashtu edhe për ato parlamentare: Prokuroria, Policia, ILDKPP, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendëshme, SHISH, apo ndonjë strukturë tjetër e specializuar për këtë qëllim?

E çrendësi ka, shprehen specialistët, një rol të tillë mund ta luaj edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke i kërkuar bashkëpunim detyrues ligjor gjithë institucioneve të sipërpërmendura, të cilat pa asnjë diskutim disponojnë të dhena të mjaftueshme për të çertifikuar zyrtarizimin e qënies apo jo të inkriminuar të kandidatëve.

Një njësi e përherëshme “task force” në funksion të KQZ-së, që të funksionojë sistematikisht në periudhat e zgjedhjeve, qofshin ato vendore apo parlamentare, ku objektiv i vetëm të jetë filtrimi i personave të përzgjedhur nga forcat politike për të qenë kandidate garues, është zgjidhja më e mirë që ofrojnë jo pak prej specialistëve, të cilët nuk shohin zgjidhje të situatës nga Komisioni në detyrë parlamentar për Dekriminalizimin. I cili edhe pse ka muaj që është ngritur asnjëherë nuk ka funksionuar në përmbushje të detyrës, por duke gjeneruar konflikt, ngërç institucional dhe politik.

“Është një Komision parlamentar si gjithë të tjerët, me kahje tërësisht poltike ndaj dhe si për gjithë paraardhësit e tij nuk duhet pritur ndonjë rezultat pozitiv. Një Komision parlamentar nuk është asgjë më shumë se një çështje më shumë në kalendrat greke”, përkufizon Fred B., specialist i njohur në fushën e jurisprudensës, i cili, sikurse edhe disa kolegë të tij zgjidhjen e procesit e sheh tek ngritja e një strukture të posaçme. Me përfshirje pluriinstitucionale që të funksionojë si një e vetme.

Një tip njësie “Task Force” për të realizuar dekriminalizimin.

Sigurisht, për t’ja arritur kësaj, partitë garuese në zgjedhje duhet të detyrohen me ligj ti dorëzojnë listat e kandidatëve garues pranë KQZ jo si deri më sot, dyzetë e pesë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, por brenda një kohë optimale të përllogaritur për të lejuar verifikimin e biografisë së gjithësecilit kandidat.

Është një praktikë inekzistente deri më sot, ndaj dhe lejon ndezjen e sherreve politike, rënien në ngërçe e kriza, por edhe hedhjen e akuzave e kundërakuzave politike ndaj individëve kandidatë, sakaq të zyrtarizuar, por që mund të hiqen nga listat nëse ato çka publikohen për ta rezultojnë të mirëqëna.

Edhe pse emrat e dymbëdhjetë kandidatëve të sipërpërmendur janë denoncuar si “të inkriminuar”, me praktikën e mish-mashin aktual legjislativ, kriminalizimi i tyre nuk duhet konsideruar i mirëqenë për sa kohë vula e inkriminimit të ketë si burim mediatik partitë politike dhe jo institucione kompetente, me tagër ligjor për ta zyrtarizuar kriminalizimin.

*Kryeredaktor i shtypi.net

3 komente në “Një njësi “Task Force” për dekriminalizimin”

  1. Gimi says:

    Eshte mese e drejte kjo qe thote ky zotria , por une ju bej nje pyetje , Se Qeveria mire qe eshte e kriminalizuar deri ne rrenje dhe e shkoqur , por si do e beje kete dekriminalizim kur keta ndryshojne dhe ligjin e Medias, bejne propaganda per vende pune dhe dergojne njerzit ne eksode massive? Kush do beje kete taskforce ? Rama , Koco, Meta , apo cetat e tyre ?

  2. opozitari ndershem says:

    Godtije ne shenje zoterinj vetem nje task force e pavarur dhe me perberje shumice pluraliste mund te mos i bindet politikes.E ka shume te drejte z. shyti kete ide qe vlen jo vetem per dekriminalizimin por per ti shpetuar futjes se militanteve dhe nderrhyrjes se partive. Je vezhgues i mprehte z.shyti dhe dhenes i zgjidhjeve reale.Respekte

  3. Berati says:

    Te lumte pena o krenaria e Beratit. Si gjthmone i sakte. Shkurt, sakte,qarte. Po duan vertete te heqin te kriminalizuarit te bejne kete qe shkruan tu por une them se nuk duan xhove. Nuk i intreson. Nuk eshte Edi me i mire nga Saliu, njesoj jane i kane qejf kriminalet se i futin kollaj nen sherbim te tyre. Respekt patriot. Te fala Meros

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje