Tirana e paraluftës, më shumë librari sesa kryeqyteti i sotëm i internetit

27 Maj 2015, 10:11Kulturë TEMA

Ka pasur aq shumë librari të njohura dikur, saqë Tirana vetëm në vitin 2015 mundi t’i afrohet kryeqytetit shqiptar të paraluftës. Në çdo kënd të Tiranës së atëhershme kishte nga një librari, që në një farë mënyre i shkonte edhe logjikës së klubeve, rreth të cilës po mblidhej elita e re shqiptare, që po krijohej në metropolin e ri…

Nga Ben Andoni, JAVA

Një nga gjërat më të trishtueshme për tiranasit intelektualë të viteve të fundit ishte kur bukinistët e rrugës, në ato kushtet mizerabël sesi e tregtojnë librin, kishin shtënë në dorë dhe shisnin shëmtuar koleksionin bibliotekor të profesor Androkli Kostallarit. Kërkonin myshteri, por shumë njerëz që afroheshin largoheshin sakaq, pasi librat profesionalë pakkujt i hynin në punë. Ndërkohë librat e profesorit të ndjerit të gjuhësisë dergjeshin, aty ku sot gjendet Ambasada e “Federatës Ruse”, në kangjellat e shtëpisë së Enver Hoxhës në pritje të ndonjë blerësi që do u dinte vlerën, mbushur me autografë njerëzish të njohur, profesorësh të shquar, emrash të mëdhenj shkence, njësoj të vdekur si autori.

Libraritë e Tiranës së atëhershme
Problemi nuk ishte se ku do mund të shkonte biblioteka e tij, por mungesa e vendeve të shquara se ku shiten libra të tillë, përveç edhe një problemi madhor, sesi duhej të ishte fati i bibliotekave të tilla. Fenomeni solli një stuhi shkrimesh në Tiranë dhe autori i këtyre rreshtave nisi një apel, që nuk u ndoq por u mirëprit, e vetëm vitet e fundit ngjalli kërshëri për frikën e fatit të botimeve postmortum të njerëzve si ai…
Në fakt, gati 90 vjet më parë, mori jetë biblioteka e parë kombëtare. Ajo u vendos në Ministrinë e Arsimit në Tiranë dhe në vite u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës, falë dhe koleksioneve me karakter albanologjik, që u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës së qytetit. Mes tyre përmendim të ashtuquajturën “Karnarvone”, që mbaroi së ndërtuari në kohën kur Tirana po plotësonte kuadrin e librarive të radhës, që shtriheshin në çdo cep të qytetit dhe që po imitonin klubet, ku grumbullohej elita e re kryeqytetase. “Karnarvone” u inaugurua më 12 maj 1929. Ajo iu kushtua të rinjve të Tiranës dhe ndaj u quajt “Për Djelmërinë”. Do ndërtohej në Lagjen e Tabakëve dhe zoti Mervin Herbert, që e inauguroi përcillte në ngjarjen festive amanetin e të ëmës. Sot, një nga imazhet më të spikatura në foto që kemi nga kjo rrugë, është ajo e autoriteteve shqiptare, që shkojnë në Godinën e Legatës Italiane (sot Godina e të Përndjekurve) tek pushtuesit dhe pak ditë më parë edhe sesi qytetarët e Tiranës ndjekin të trallisur parakalimin e motorrave pushtues.

Rruga do të ndryshojë disa emra. “Punëtorët e Rilindjes” është më e bukura dhe mbijeton në socializëm, por nuk i jeton dot në ditët tona emrit të rëndë të “Xhorxh W. Bush”. Në kohën që po referojmë njihej si Rruga “Shën Gjergji” dhe biblioteka e gjitha kushtoi 40.000franga. Pinjolli i familjes Herbert, që do të vdiste vetëm dy javë më vonë në Romë, ia dorëzoi ndërtesën Zotit Sait Toptani, presidentit të Komitetit të Djelmërisë të Tiranës. Blatimi në fakt ishte i të ëmës së tij, një fakt që ai nuk harroi ta shpreh në fjalën e rastit: “Nëna ime e ngriti këtë bibliotekë si një monument për kujtimin e vëllait tim Aubrey Herbert. Na pëlqen të shpresojmë se kjo bibliotekë do të jetë po si atë kohë dhe një monument për kujtimin e nënës s’ime për këtë vend dhe besimin që kish ajo te djalëria”.

Zoti Toptani, që e mori në dorëzim çelësin iu përgjigj me kortezi familjes së: “Kontesha Karnarvone më në fund na jep edhe këtë ushqim moral q’është biblioteka. Kujtimi i saj ka me u shkruajtë me shkronja t’arta në historinë e Rilindjes shqiptare”.

Por biblioteka nuk po lindte në tokë djerrë. Familja Bakiu ishte familja e parë tiranase që e kishte parë dhe si biznes atë të librarisë. Bakiasit që arritën të nxjerrin dhe një kryetar bashkie, kishin kuptuar se në qytetin e të ardhmes, libri duhej të ishte nga objektet e para, që ka nevojë një shtëpi. Shumë dekada më vonë, Gazmend Bakiu, publicist i këndshëm që i ka kushtuar shumë historisë së qytetit, do e shpjegojë edhe fatin e tmerrshëm të këtij objekti. Ishte një nga të parët e tij, Hasan Bakiu, që hapi librarinë e parë dhe madje një nga librat më të vjetër, që ka mbetur në Bibliotekën Kombëtare është ende me vulën e kësaj shitore simpatike. Hasani do ndahesh nga jeta në vitin 1944, pasi kishte mbajtur emocionet e dy shekujve mbi kurriz. Si një nga patriotët e vjetër, arriti jo vetëm të bëjë biznes, por edhe të gjejë mundësinë që të përhapë abetaret e para shqipe në qytet. Një pjesë të dyqanit, ku bënte biznes e përshtati për librari, pasi atëkohë ligji nuk e ndalonte. Fati i librave të tij, do të ishte i trishtë sepse u dogjën nga ekspedita ndëshkuese e Shefqet Turgut Pashës më vitin 1910. Vetë pronari, Hasan Bakiu u arrestua për t’u dënuar në gjyqin ushtarak të Elbasanit. Sapo u lirua, i erdhi radha ta ngrejë sërish nga fillimi. Por e keqja s’kish ikur. Në Tiranë, libratoria e tij, si e përmend Gazmend Bakiu, për herën e dytë u vendos sërish në zjarr nga të fortët e Haxhi Qamilit më vitin 1914. Një fiksim i pronarit bëri ta hapte sërish më 1916 dhe libraria arriti të mbijetonte deri më 1926, por tashmë me emrin “Haxhi Bakiu dhe djemtë”. Në kujtime që janë referuar nga publicisti i njohur Spiro Mëhilli, shtohen dhe dhjetë vjet ekzistence të saj.

Mu në qendrën e asaj kohe, gjendet e ashtuquajtura Shtëpia Botuese “Mesagjeritë shqiptare”. Është e ndërtuar tek Rruga e “Sahatit” mu përballë Kacelëve. E menaxhojnë Kokalarët dhe vendi bëhet një pikë kryesore takimi intelektualësh. Kokalarët mundësojnë të botohen libra të huaj dhe shqip. Po aty është edhe “VENUSI” i vëllait më të vogël të Musinesë. Kokalarët kushërinjtë e largët të Enver Hoxhës merren edhe me politikë, kurse Vesimi arrin edhe e mban librarinë për tre vjet hapur. Mu këtu, Andrea Varfi, kujton takimin me Musinenë: “Musinenë e kam njohur në vitin 1935, në librarinë “VENUS”, të vëllait të saj, Vesim Kokalari (tek ish- libri ndërkombëtar, përballë pallatit të Kacelit). Atëherë, sapo kish filluar të shkruante e po kërkonin një pseudonim. Unë ia gjeta pseudonimin “Muza”, sepse muzë ka qenë Musinea, me të vërtetë. Lexonte shumë dhe shpeshherë, këmbenim pikëpamjet për shkrimtarë të njohur, që i lexonim në gjuhën italisht dhe filozofë, si Niçja, Spinoza, etj. Ishte një vajzë e jashtëzakonshme, me etje të madhe për dije dhe gjithnjë e pakënaqur e në kërkim”. Pak pas fitores së komunistëve, natën e 12 nëntorit në vendet e hotel “Bristol”-it u ekzekutuan tre vëllezërit Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalarin, që do të thotë fundi i librarisë së tyre. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare” do shuhen për një ditë të pushkatuar. Musineja do të vuajë pafund për vite të tëra. Një gjë interesante është se Shtëpia Botuese “Mesagjeritë shqiptare” për çdo vit kishte një konkurs letrar në tre kategori. Po ndjekim logjikën që na ka shkruar z. Mëhilli në librin e tij të këndshëm “Tirana 1920-1944”.

Çmimet jepeshin:
1-Për romanin më të mirë origjinal në shqip ose përkthimin e një romani italian.
2-Për veprën më të mirë origjinale në shqip ose përkthimin e një vepre italiane.
3-Për veprën më të mirë origjinale shqiptare teatrore.

Vendimi i jurisë nuk kundërshtohej. Kategoria e parë i jepte fituesit 1000franga shqiptare, kategoria e dytë i jepte 700 franga dhe e treta mbaronte me 500 franga. Juria e jepte edhe vlerën e çmimit për 15 ditë. Për hir të së vërtetës, nuk kemi gjetur ndonjë të dhënë më shumë për këtë konkurs, një temë që ia vlen të ndiqet më vonë. Edhe pse është pak si e stisur dhe gjithçka i kushtohet Italisë.

Por, një kënd tjetër interesant, por që merrej me kancelaritë e asaj kohe gjendej poshtë shtëpisë së Kacelëve dhe ishte pronë e tyre. Në një foto të vjetër tregohet godina e Kacelit, që ishte njësoj si sot. Aty njerëzit gjenin gjithçka që u duhej për gjërat që lidheshin me kancelaritë. Kuptohet se kancelaria nuk kishte këtë interes si sot, por që gjithsesi kishte klientët e saj.

Pak qindra më andej ngrihej “Argus” e Dhimitës Cancos. Ajo gjendej në Rrugën Mbretërore dhe ishte një sfidë për kohën. Njerëzit ishin kuriozë sesi arriti të bënte këtë pasuri, por edhe sesi të vendosej. Canco kishte zbritur nga Boboshtica dhe falë komunitetit të këtij fshati të jashtëzakonshëm do gjejë vetveten e tij. Por Canco nuk u mjaftua me kaq. Ai bleu “Gloria”-n, së cilës ia vuri emrin “Diana”. Kinemaja që do të njihej më vonë si Republika ishte një nga investimet më të mëdha për kohën, që ngjalli smirën në qytet. Por Canco ishte një sfidues i vërtetë. Me origjinë fshatare, ai pati një ngritje e cila sot e kësaj dite është e ëvshtirë të shpjegohet, por në kohët tona disa publicistë e lidhin me lidhje të fshehta të Zogut.

Të tjera
Nuk mbarojnë këtu. Gjatë viteve 1926-1939, është kulmimi i një tjetër librarie. “Lumo Skendo” bëhet qendra kryesore. Ajo ka shumë abonime dhe she libra e revista të vendit dhe botërore. Ka njerëz të ndryshëm dhe klasi atëherë në Tiranë njihej po të shkoje aty. Shërben vetë Mid’hat Frashëri, që i mbahet goja, por kjo se pengon tu sugjerojë lexuesve librat që u përshtaten. Vinë vajza të bukura për të ngecur të burri i kulturuar, nxënëse dhe shumë intelektualë. Llogaritet se numri i librave arrinte shifrën prej 40.000 vëllimesh, ku 17.000 sot i kanë mbetur Bibliotekës Kombëtare.

Kol Jakova në një kujtim të vetin do të shkruajë se: “Më tepër se shtëpi ajo ishte një bibliotekë”. Mid’hati pinjolli i frashërllinjve që nuk u marta kurrë dashurinë e vërtetë e shtiu te librat. Një kujtim për të na e sjellë dhe Enver Hoxha tek libri: “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re” ku mes tjerash shkruan:“Lumoja diç bluante në mendje, hoqi syzet e i fshiu me një fanellatë, pastaj i vuri prapë.

-Dëgjo more djalë,- ia nisi Lumoja dhe prapë hoqi syzet.- Unë do të flasë me ty dhe do të-të ndihmoj, në rast se ti ndjek rrugën e xhaxhait tënd, patriotit Hysen Hoxha.
-Rrugën e atij po e ndjek,-iu përgjigja,-bile me besnikëri.
-Jo,-mu kthye Mid’hat beu,-nuk është ashtu.-Ai ishte nacionalist i flaktë , ishte me Ismail Qemalin në Vlorë kur u ngrit flamuri, ishte me Çerçizin e të tjerë, kurse ti, nipi i tij, ke marrë një rrugë të keqe antishqiptare ti je bolshevik dhe bolshevizmi është armiku i Shqipërisë!” (fundi citatit ).

“Lumo Skëndoja s’kishte bërë për Shqipërinë veçse dy-tri broshura pa vlerë letrare e politike dhe ca muhabete të stërholluara”, do shkruajë më vonë. Manol Konomi si ministër do autorizojë me një shkresë të datës 16 mars 1945, me Nr. 207/5, konfiskimin e saj dhe të disa personaliteteve të kohës: “Ju njoftohet se me cilësi si anëtar komisioni për tërheqjen e librave të bibliotekës së sekuestrueme Mid’hat Frashërit, Mustafa Krujës dhe ca libra të Lef Nosit, të depozituara në Bankën e Shtetit, kjo Ministri delegon Vangjel Meksin, i cili u lajmërue për sa më sipër.” Studiuesi i apasionuar Çelo Hoxa na sjell dëshmi interesante: “Librat e Mid’hat Frashërin ruheshin nga Divizioni i Mbrojtjes Popullore, struktura ushtarake që pak më vonë mori emrin Sigurimi i Shtetit. Më 19 mars 1945, ministria e Propagandës i dërgoi një shkresë këtij divizioni në lidhje me këtë problem. Shkresa autorizonte Aleks Budën që të merrte çelësat e librarisë ‘Lumo Skëndo’”. “Autorizohet shoku Aleks Buda, të marrë në dorëzim çelësat e librarisë së tradhtarit Mid’hat Frashëri, mbasi këto libra do të çohen në Bibliotekën Kombëtare,” thuhej në shkresën Nr. 332/6. Atëkohë, ai mbante postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. Kur e gjykoj tani mendoj më mirë që i shtetëzuan dhe nuk ranë në duar vandalësh që do t’i shpërndanin dhe t’i shpërdoronin. Fati i Mid’hatit ishte ai i shumë prej njerëzve si ai që bashkëpunuan me fashistët dhe që nuk u përfillën fare për atë kontribut të jashtëzakonshëm për vendet e tyre.

Por Tirana nuk ka vetëm këto. Pak vite më parë se të ndodhin këto ngjarje, një sërë librarish të tjera gjenden përreth. Është “”Ymer Kërçiçi & VII”; një librari kryesisht me libra italianë “Peppe Kotta” (ish Marzotto); “Bega” gjendet diku tek “Rruga e Dajtit”, kurse “Ilyria” tek Rruga e Durrësit. Qoshku Stabro Lluka te Sheshi “Skandërbeg” është më pak i dukshëm por me rëndësinë e vet, kurse vetëm pak më tej, një librari tjetër i atribuon më shumë dyqanit elementë turistikë. Haxhi Duda Maçi ka një dyqan kartolenarie dhe kancelarie në Rrugën “28 Nëntori”. Prej tij u shpërndanë me dhjetra kartolina të kohës. Pak fare më tej, Esat Dishnica ka dyqanin e famshëm “Flora”. Ajo gjendet te Rruga “Ali Bej” pa kthyer te Rrugica e Bonecve. Enver Hoxha shet në banak cigare, por në një kënd ka dhe libra. Në vitet e pasluftës dyqani bëhet gati pikë pelegrinazhi për të rinjtë që të shikonin vendin e Enverit dhe sesi ai ua hodhi fashistëve!!!

Epilogun e mbyllim me historinë e kolonelit Aubrey Herbert (1880-1923) diplomat dhe anëtar në Dhomën e Lordëve, që para se të vdiste iu lut të ëmës të ndihte Shqipërinë e varfër me sa të mundej, na thotë “Jeta” organ i Kryqit të Kuq. Ai, vetë, qysh në kohën e Luftës së parë Botërore u përpoq për kauzën shqiptare. Kontesha Elisabeth Countes of Carnarvon, e veja e Sir Henri Haword dhe e shoqja e Kontit Karnarvon, zv/guvernator i Indisë, ia përcjell amanetin të birit dhe Shqipëria mbushet me vepra të saj. Ajo ndërton dhe një librari tjetër, kurse sjell Rockfeller-at për të filluar projektin e madh të bonifikimit. Por, para të gjithash, u lë shqiptarëve të rinj një bibliotekë model, ku diku mes 3000 volumeve në gjuhë të ndryshme, lë të gdhendur edhe fytyrën e Aubrey Herbert. Drejtor Ibrahim Laçi, që e menaxhon të gjithën nuk ia del dot rrebeshit fashist. Këshilli i Ministrave të qeverisë së parë fashiste vendosi që biblioteka të merrej në dorëzim nga Prefektura dhe kjo t’ja dorëzonte Komandës së përgjithshme për Djalërinë. Librat u vendosën në 23 arka dhe 12 prej tyre i mori vetë gjeneral Pariani, kur u bë guvernator në Korfuz, shkruan Spiro Mëhilli në kujtimet e veta. Fati i saj ndjek atë që pësojnë të gjitha libraritë. Një pjesë e tyre mbyllen prej luftës, prej pamundësisë për t’u mbajtur dhe nga shtetëzimet. Fashistët e nisin shbërjen teksa në Karnavon vendosin të bujtë një skuadër kundërajrore…

Vite më pas, Shqipëria edhe pse tenton nuk e kap dot masën e madhe të librarive të viteve ’20-’30-40. Në socializëm ka censurë, kurse demokracia i vë dërrmën të gjithave. Dërrmën e fundit e bën ish-kryeministri Berisha, kur premton që Piramida do kthehej në Bibliotekë. Kuptohet se nuk kthehet, por lihet ashtu gërmadhë vetëm 100 metra larg zyrës së kryeministrit të ri shqiptar Rama. Viti 2015, pra, më pak librari sesa para Luftës së Dytë Botërore.

12 komente në “Tirana e paraluftës, më shumë librari sesa kryeqyteti i sotëm i internetit”

  1. nji uj selite te lutem says:

    PO le nam o Arben Andoni se po naj nxier kohen e zogut si kohet me te zhvilluara te kti kombi, po nuk ke turp ti or njeri qe ke ven kte titull kti artikulli po kaq i trash je mer njeri po SHQIPRIA nga lufta dyt botrore doli me nje popullsi 98 perqind alfabete qe vinin firmen me gisht dhe votimet e para kur jan ber jan ber me kokrra se njerzit nuk dinin as te lexonin dhe as te shkruanin,mos na mer per gomer mer burr,ku plasi ky biznes i madh libri dhe ku ishte interesi librashitesve qe na at koh nuk mund te nxirje as buken e gojes duke shitur libra,librari ne TIRAN kan qen vetem dy ju e beni sikur njerzit me brekushe e me perçe siç rrinin tiranaset e asaj kohe rrinin neper lulishte duke lexuar shekspirin e rromane e literatur relaksi, po lerini kto idjotsira keni 25 vjet kush te genjej e mashtroj me shum na perziet zorret e barkut me kto artikuj,ky sistemi i kohes zogut hyri ne vitin 90te ku njerzit XHAXHI i la 100 per 100de me shkoll dhe me shkoll te mesme te detryruar,dhe kur vjen fundi sa ka hyr ky sistem analfabetizmi po ben kerdin ti na tregon prralla duke na mbushur mendjen qe perandoria turke dhe vazhdusja e saj me anadollakun amet zogu i lan njerit te ditur dhe me shkoll, po ikni or njeri se nuk ka budalla tja u mari per te vertet kte qe shkruani, mbas lufte njerzit me shkoll ishin sa kishtat e dores,ENVER HOXHA na la me nje lukuni dhe nje mori te pa fund intelektualesh dhe sot nuk lexon njeri liber mos shkruaj gomarlleqe me kte artikull.NUK NA THE GJO BENO SHKRUJ NOJ GJO ME TE BESUSHME.

    1. ZahoKoka says:

      Beni ka thene shume, eshte shume e vertete qe Tirana kishte shume edukate ne fund te luftes se dyte boterore, pa kishte shume libra shum librashites etj etj, kishte edhe bukiniste, nga me te degjuarit ishte Ceni tek rruga e Barrikadave, qe u semur kur i mbyllen dyqanin aty nga vitet 1968, Ceni shkrete per te mbajt veten shiste foto te Maos, Tirana jone e dashur dhe e vuajtur nga dhuna e qytetareve tesaj si Enver Hoxha dhe banda e tije, Sali Berisha dhe banda e tije, Fatos Nano dhe banda e tije, Edi Rama dhe banda e tije.Nuk po flas me shume, Beni beri mire qe e hapi kete plage te Tiranes se pare dhe asaj te tashme.

  2. 27052015 says:

    autorin e respektoj per faktin qe eshte munduar te tregoje vlerat historike qe kane patur librarite ne tirane, por humbet llogjiken kur ben krahasime me kohet e sotme, sepse nuk ka kuptim te krahasosh kohen e sotme te mediave digitale me menyrat e meparshme te komunikimit. Eshte njesoj si te thuash se ne tirane ( dhe ne bote) kishte me teper karroca me kale sec ka tani.

    1. enter''" says:

      arsyetim I gabuar dhe krahasim I gabuar.
      Mediat dixhitale nuk do te thone domosdoshmerisht kulturim dhe nje hap perpara. Autori ka dashur te thote qe sot, ne kohen e internetit, njerezit nuk lexojne por pozojne te pasmet, gjokset, dhe statuse idiote.

  3. Z/Kallami says:

    Vetem fotot historike dokumentojne zhvillimin e Tiranes dhe te gjithe Shqiperise nder vite jasht dhe me argument bindes ndaj politikes se rrugeve.
    Kjo ishte Tirana e vitit porsa te cliruar.Ku sfondi i fotos e fillon qe nga ndertesa e deri tek rrenza e shapti i malit fushe,kodrin me gjelberime.
    Ndertimet mbas vitit 1990 mbulojne deridiku ato te viteve 50 vjecare.Keto te ndertuara kuturu pa studime po me oreksin e biznesmenve.

  4. golgi says:

    Epo prandaj ka plasur nacionalismi.Ata njerez nuk lexojne aq shume!!!

  5. mira says:

    Pjeserisht te sakte.
    Une do marr anen pozitive te shkrimit qe megjithese populli ishte ne shumice analfabete, ata qe ishin elite intelktuale u perpoqen te benin ate qe mund te benin ne ate kohe-LIBRARINE. Se mund te benin cdo gje tjeter si po behet sot qe ne cdo 5 metra ka restorante , kafene, pub, butike ku xenet blejne brecka 5000 euro dhe nuk blejne nje liber per te lexuar.

    Ana jo pozitive e shkrimit eshte se ne vazhden e pershkrimit te librarive duhet te shkruante ate qe permenden shume komentues. Diktatura kishte plaget e saj por librarite, bibliotekat e lagjeve te qendrave te punes ishin plot jo vetem me libra por dhe me lexues.

  6. tirona says:

    Kot sa lodhesh o Andon me kto qener qe zbriten nga mali dhe jetun qyl ne shpiat tona. Njerez mos mirnjohes. Kane 70 vjet qe vetem shpifin, ala shajn neper internet. GORET E NEXHMIES!

  7. lili says:

    Ajo qe duhet te thuhet eshte se koha e pare e jona si shtet ishte kohe e nje fare ‘illuminizmit’ ku sicili me mundesite e tij kerkonte te sjell dije,kultur,qyteterim,harmoni .Edhe njerezet e formuar ishin njerezet ne nivel,perfshin keta qe ma vone u bene komunist,prape se prape keta komuniste te edukuar ne kohen mbretnore kishin ideal e vlera .Po ato u eliminuan,per te lane vend ignoranteve,servilave,puthadoreve qe per t’u treguar te mire e te afte tek Njeshi – me kur asnje semester universiteti te perfunduar-masakruan pjesen intelektuale te kombit,pjesen perparimtare,pjesen ma te vlefshme te kombit!
    Cka lane pas keto ignorante,servile e pudhadore eshte situata e shqiperise ne fund te viteve 90 e shoqeria jone sot, me kaos ne koken e cdo qytetari e ne cdo ambient perreth!…Duhet edhe nje gjenerate me shkolle te perfunduar si duhet per me filluar ndryshimi ka e marra?
    Pjesa me e ndritshme ne aspektin kombtare ishte ajo kohe,pjesa e Arte bile!pjesa e Ferrit pastaj,pjesa e Kaosit tash!Per Rilindje po presim ende,mbasi ende nuk mundet te filloje pa vendos ma para mbi Cfare vlera rilindim,pjesen e Arte apo pjesen e Ferrit?

  8. Z/Kallami says:

    Shume libra dhe librari.Po kush ti lexoje,90% e popullit analfabet.Libri sjell zhvillim po kur nuk lexohet mban pluhur te rrezikshem dhe perhap semundje azmatike.I merr frymen miletit.Asht njisoj qe te kesh makine po nuk din asnji njeri ta nis.Asht njisoj te kesh pallat mbretenor po pa njeri brenda.Pra,librari koti.

  9. Rruga Kavajes says:

    Studiesi i pasionuar Celo Hoxha ?

  10. gjin bue shpata says:

    e kush i lexonte librat?
    analfabetet?
    sa rrena qe thuhen ne gazeta mer!!
    njerzit s kishin buk me honger do kishin oreks me lexu
    edhe ata qe dinin me lexu e kishin mendjen me rrejt me u bo politiksa..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje