Reforma në drejtësi/ Ambasadorët: Më e rëndësishmja pas rënies së komunizmit

8 Qershor 2015, 18:17Politika TEMA

Reforma në sistemin në drejtësi është një themel për demokracinë në Shqipëri. Kështu u shprehën disa prej ambasadorëve të akredituar në Tiranë gjatë analizës për sistemin e drejtësisë.

Vlahutin: Reforma në drejtësi duhet të jetë e plotë

Kryetarja e Delgacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadorja Romana Vlahutin,  deklaroi se, reforma në drejtësi duhet të jetë e plotë, e thellë dhe pa kompromis, duke kërkuar bashkëpunimin e politikës. Për këtë qëllim, Vlahutin tha se përgjegjësia është e njëjtë si e qeverisë, ashtu edhe e opozitës.

“Nuk po flasim vetëm për legjislacion të ri, apo ndryshime kushtetuese, por për një rregull të ri. Kjo reformë duhet të jetë e plotë, e thellë dhe pa kompromis.

Reforma duhet të sigurojë që të jetë e pamundur të ketë gjyqtarë të korruptuar; që prokuroria të hetojë këdo, çdo njeri të korruptuar.

Të gjithë të barabartë para ligjit. Në një demokraci funksionale, korrupsioni, zarfe me para nuk duhet të ekzistojnë. Duhet të ketë një ndarje të pushteteve që të mos ketë influenca në prokurori, sidomos në ndjekjen penale të atyre që kanë funksione të larta.

Ata që abuzojnë ligjin, duhet të përballen me hetimin. Ky komision ka bërë një punë të mirë. Kryetari Xhafa ka bërë një punë të mirë.

Mirënjohja për ekspertët. Shqipëria ka nevojë për një dialog gjithëpërfshirës. Qoftë ata që janë në qeveri, qoftë ata në opozitë, kanë përgjegjësi të njëjta për këtë reformë.

Komuniteti ndërkombëtar ka ndihmuar dhe do vazhdojë të ndihmojë. Ju lutem dyfishoni këmbënguljen tuaj, sillni besimin në Shqipëri, besimin në sundimin e ligjit dhe që të gjithë janë të barabartë para ligjit. Shqipëria ka nevojë për këtë gjë”, tha Vlahutin

Ambasadori Lu: Një prej reformave më të rëndësishme që prej rënies së komunizmit

Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, u shpreh se, në sistemin e drejtësisë në Shqipëri disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion dhe disa të tjerë të çohen në burg.

“Në sistemin tuaj të drejtësisë, disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion dhe disa të tjerë të çohen në burg. Në një sondazh të zhvilluar me gjykatësit, të financuar prej USAID-it, 25% e gjykatësve thanë se sistemi ishte i korruptuar dhe 58% për qind të tjerë thanë se ekziston perceptimi publik se sistemi është i korruptuar.

Në një sistem ku edhe gjykatësit bien dakord se ka korrupsion, kjo nënkupton detyrimisht se gjykatësit, prokurorët dhe avokatët duhet të bashkëndajnë që të gjithë përgjegjësinë për dhënien dhe marrjen e rryshfeteve.

Por, besoj gjithashtu se ka disa profesionistë të ndershëm, me përvojë dhe të kualifikuar që duhet tw lejohen tw punojnw në një sistem gjyqësor të lirë prej korrupsionit”, tha ambasadori Lu.

Sipas ambasadorit amerikan, “përveç se duhet të japë llogari për korrupsionin, sistemi juaj gjyqësor duhet të jetë gjithashtu i pavarur për t’i rezistuar trysnisë politike. Në të njëjtin sondazh, 7% e gjykatësve patën thënë se sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk është i lirë prej ndërhyrjeve politike dhe 50% patën thënë se ishte vetëm pjesërisht i lirë. Gjykatësit dhe prokurorët duhet t’i marrin vendimet të bazuar në ligjin dhe provat, e jo nën ndikimin e interesave politike ose vetjake”.

Së fundi, theksoi ambasadori Donald Lu, “sistemi i drejtësisë duhet ndjekë penalisht më shumë krime të rënda. Sot, shumë personazhe të njohur të krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të institucioneve të ndryshme publike ecin nëpër rrugët e Tiranës pa pasur frikë se do të procedohen. Komisioni Europian për Efikasitetin në Drejtësi e renditi Shqipërinë në vendin e fundit mes 25 vendeve të anketuara, përsa i përket ndjekjes penale të krimeve të rënda. Në një vend të NATO-s, që aspiron anëtarësimin në BE, elitat politike dhe kriminale nuk mund të veprojnë pa u ndëshkuar”.

E gjithë kjo, theksoi ambasadori Lu, “është një listë shumë ambicioze reformash. Nëse realizohen, kjo mund të jetë një prej reformave më të rëndësishme që prej rënies së komunizmit. Për ta realizuar këtë duhet të marrin pjesë ekspertët më të mirë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Opozita ka interes politik për t’u siguruar që sistemi i drejtësisë të mbetet i pavarur prej ndikimeve politike. Ajo ka ekspertët ligjorë më të mirë. Mund të ketë reformë në gjyqësor që ruan standardet ndërkombëtare pa opozitën, por reforma do të ishte më e mirë dhe më e qëndrueshme në Shqipëri, me pjesëmarrjen aktive të saj”.

Ne, tha ambasadori Lu, “besojmë në vlerën e kësaj reforme. Ne shprehim zotimin tonë për mbështetjen e këtij procesi. Dhe gjyqtarët e prokurorët e korruptuar duhet ta dinë se ndryshimi po vjen”.

Raunig: Reforma në drejtësi, gur themeli për reformën demokratike

Ambasadori i OSBE, Florian Raunig, u shpreh se, ky është një gur themeli për reformën demokratike. “Analiza qëndron mbi themele shumë të forta: ajo bazohet jo vetëm në dy muaj punë të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, por edhe në 24 vite tranzicion dhe reflektim. Kjo pasi, për përgatitjen e analizës, ekspertët kanë shqyrtuar dhe kanë marrë parasysh të gjitha studimet, vlerësimet dhe rekomandimet e bëra që nga viti 1991”, tha Raunig.

Ai shtoi se, “Prezenca e OSBE-së, si partnere tradicionale e Shqipërisë në reformën e saj për forcimin e shtetit ligjor, e kremton me krenari këtë arritje. Tradita jonë është traditë bazuar në cilësi. Asistenca jonë për çdo akt ligjor në këto 17 vite ka mbështetur ekselencën në reformën ligjore. E kam fjalën për cilësi jo thjesht të formulimit të tekstit, por njëherësh, cilësi të procesit demokratik”.

“Parimi i parë i procesit demokratik është përfshirja. Përfshirja është thelbësore për qëndrueshmërinë, për zbatimin e reformës në plan afatgjatë. Procesi demokratik është përfshirës kur të gjithë kanë mundësinë të kontribuojnë dhe kur të gjitha kontributet çmohen. Përveç ekspertëve, kjo do të thotë që të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, si dhe të gjithë ata që i drejtohen këtij sistemi, të kenë mundësinë e pjesëmarrjes. Mundësia ka dy anë: rastin, siç janë konsultimet e gjera dhe takimet e hapura, si dhe kohën, kohën për të studiuar, për të diskutuar dhe për t’iu përgjigjur propozimeve”, tha ambasadori Raunig.

Me keqardhje, vijoi ai, “konstatoj se, në këtë fazë, jo të gjitha forcat politike kanë shfrytëzuar mundësinë për të marrë pjesë në këtë proces. Ato nuk duhet të përjashtojnë veten nga formësimi i të ardhmes së Shqipërisë”. “Në këtë proces, elementi thelbësor i radhës është shpejtësia: reforma duhet të vazhdojë pa vonesa dhe pa ngurrim, por edhe pa ngut. Po t’i biem shkurt gjatë procesit demokratik, ka rrezik që të bëjmë gabime dhe të zgjidhim problemet e sotme duke krijuar probleme të reja për të ardhmen”, u shpreh Raunig.

“Ekspertët po shqyrtojnë ndryshime kushtetuese dhe legjislative shumë serioze e të rëndësishme. Në nivelin e lidershipit duhet të shohim përtej këtyre ndryshimeve dhe të hedhim sytë te zbatimi. Zbatimi i ligjeve të reja ka rezultuar sfidë në të kaluarën, por është një sfidë që mund ta përballojmë së bashku tani që t’i paraprijmë një të ardhmeje më të mirë. Por kjo kërkon planifikim”, theksoi ambasadori i OSBE.

Tani, shtoi ai, “ndërkohë që ekspertët po punojnë për masat legjislative, është koha të bihet dakord për një plan zbatimi. Le të punojmë së bashku për të krijuar një Plan Strategjik, me vizion gjithëpërfshirës për sistemin e drejtësisë sot dhe nesër. Plani duhet të përmbajë masa menaxhimi si, për shembull, futjen e sistemit të Menaxhimit Aktiv të Çështjeve në të gjitha gjykatat e rretheve, të nevojshme përpara se ndryshimet të hyjnë në fuqi”.

“Plani Strategjik duhet të identifikojë ndryshime të menjëhershme, afatmesme dhe afatgjata. Ai duhet të llogarisë nevojat për burime, si dhe fushat ku duhen hulumtime të mëtejshme për të adresuar çështjet përcaktuese lidhur me politikat. Plani, gjithashtu, duhet të identifikojë nevojat për trajnim për gjyqtarët, avokatët dhe të tjerë, që të mësojnë të punojnë me legjislacionin e ndryshuar”, tha Raunig.

“Prezenca e OSBE-së ndan shqetësimin për përmirësimin e llogaridhënies në lidership, në sistemin e drejtësisë dhe në të gjitha institucionet. Korrupsioni është një nga pengesat më të mëdha për përparimin e Shqipërisë: për të përshpejtuar zhvillimin e këtij vendi, duhet ta shërojmë atë nga kanceri i korrupsionit. E dimë që kjo sëmundje ka prekur shumë shtresa të shoqërisë dhe institucione publike, përfshirë gjyqësorin. Është e rëndësishme të theksojmë, megjithatë, se masat antikorrupsion duhet të shtrihen në mënyrë të bashkërenduar në të gjitha institucionet. Ato nuk janë vetëm çështje hetimi dhe ndjekjeje penale”, tha Raunig.

Sipas tij, “drejtuesit dhe institucionet e këtij vendi, përfshirë sistemin e drejtësisë, kanë përgjegjësinë që jo vetëm të luftojnë me vendosmëri korrupsionin, por edhe të udhëheqin përmes shembullit që japin. Drejtuesit dhe vendimmarrësit në Shqipëri  kanë detyrimin që të jenë transparentë, llogaridhënës dhe e fundit, por jo më e pakta – të ndershëm ndaj qytetarëve”.

“Ky dokument përbën arritje në procesin e reformës dhe është një hap i parë serioz. Më lejoni të them se reforma në drejtësi është proces shumëdimensional dhe me shumë hapa, dhe shpresoj  të çojë drejt një sistemi gjyqësor thelbësisht të ripërtërirë dhe të besueshëm. Një sistem gjyqësor për një shoqëri të drejtë, ku të gjithë qytetarët – nga më i  pambrojturi deri te më i fuqishmi – të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe të mund të gjejnë drejtësi”, tha Raunig.

5 komente në “Reforma në drejtësi/ Ambasadorët: Më e rëndësishmja pas rënies së komunizmit”

  1. lavdosh says:

    Nuk ka me alibi per Ramen. Eshte e qarte njerezit e votuan me 23 Qershor per reformen ne drejtesi, per te bere drejtesi,per te luftuar korrupsionin dhe per te bere shtet.
    Une dhe pothuajse ata 1 milion shuplakat as nuk kemi patur dyshime se Rama do Rilinde qytetet, qendrat, fasadat etj etj
    Ne e votuam per te bere shtetin e se drejtes. Nuk ka me justifikime. Me nje mbeshtetje te hapur te nderkombetareve dhe me nje mbeshtetje tjeter me 21 Qershor nuk ka me alibi, por vetem interesa okulte.
    Ose e bendhe vendos shtetin e se drejtes, ose do te hyje ne listen e ish-ve qe erdhen dhe u morren me vogelsira, por nuk bene gjera te medha

    1. A says:

      o lavdosh

      23 qershori ishte per denimin e berishizmit pa kushte dmth qe ky kriminel duhej te paditej dhe nga miqte tane nderkombetare sipas verdiktit popullor.

      Pa denuar berishizmin keto xhambasadore qe jane mbledhur ketu jane jo vetem parasite por dhe hipokrite te neveritshem.

      enver hoxha nuk ka nevoje per permendore sepse ky miting duhej te merrej me nje teme:

      kush ja shkerdheu shtetin shqiptarve

      keto jane per ti cuar ne gjyqin e hages sepse te merresh akoma me komunizmin e vdekur per te mbuluar krimberishizmin eshte terror mediatik

  2. Toti says:

    Duket se po fryn nje ere e re, eshte ndjesi pozitive.

  3. Petro says:

    Asnje ndjesi pozitive.As qe mendohet nje reforme me nje Minister drejtesie qe eshte per t u kontrolluar vet.LSI eshte gangrena e politikes por dhe e mbare shqiptareve dhe ai eshte perfaqesuesi i saj.YYYYYYY sa buke duhet te haje ai dhe te tjeret qe te arrine rezultate.Te hapen letrat.Kemi ministra dhe deputet me diploma te blera.Ky eshte nje mashtrim dhe vjedhje, pra perben precedent per hetim.Ka ndonje qe hetohet ? Asnje.Vaj hallit pastaj te futen te vilat, apartamentet, tokat, dyqanet, te parate e nxjerra jasht.Nje gje qe duket s do kallauz.Po tek ne kallauze nuk do te kete edhe per shume kohe.

  4. antikamunist says:

    Rama eshte i vetmi person qe mund ta realizoje kete reforme dhe patjeter qe do e justifikoje besimin e popullit te thjeshte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje