Seanca gjyqësore mes Tom Doshi dhe Spartak Brahos për padinë e deputetit të përjashtuar nga PS për shpifje është shtyrë për në datën 23 qershor.
Shkak i kësaj shtyrje u bë mosparaqitja në seancë e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Spartak Braho.
Procesi gjykohet nga Artan Zeneli, Arjana Fullani, Mehdi Bici, Mirela Fana dhe Andi Celiku.
Në një prononcim për mediat deputeti Doshi u shpreh se është zgjedhja e tij mos paraqitja në këtë seancë.
“Është zgjedhje e tij. Unë nuk pajtohem me mostra si ai, ai është mostër. Hetimet ende nuk janë mbyllur ”, tha Doshi.
Pyetjes së gazetares nëse do të jetë i angazhuar në fushatë, Doshi u përgjigj se do të jetë pjesë e fushatës për Vaun e Dejës.
“Do jemë pjesë e fushatës për Vaun e Dejës”, tha ai.
Pyetjes se përse i ka kërkuar 1 lek dëmshpërblim Spartak Brahos, Doshi në mënyrë ironike i është përgjigjur se është fukara dhe nuk do ta dëmtojë.
“Ngaqë është fukara ndaj dhe i kërkova 1 euro që të mos e rëndoj”, tha Doshi
Ndërsa, avokati i deputetit Vladimir Meçi u shpreh se komunikimi për mbylljen e hetimeve nuk është i vërtetë, pasi hetimet vazhdojnë.
“Ne nuk jemi njohur ende me tërësinë e hetimit. Ka një rrugë të gjatë derisa të përfundojë kjo çështje. Ne akoma nuk jemi njobur me të gjitha provat nga prokuroria.
Pasi ti njohim ato ne do të shtrojmë edhe disa kërkesa të tjera. Ne presim caktimin e një date për shqyrtimin e këtyre çështjeve”, tha ai.
Ndërsa përsa i përket disponimit të disa tabulateve, avokati tjetër i Tom Doshit, Ferid Muçaj tha se “ disponojmë tabulate telefonike dhe jemi një proces të pregatitjes së një procesi të ri sepse ka ndërhyrje në proces për ta deformuar atë”.
Padia u depozitua në Gjykatën e Lartë në muajin Prill, ku Doshi kërkon dëmshpërblim 1 Lek nga Braho, pasi sipas tij Braho shpifi për raportin mjekësor të Tom Doshit.