INTERVISTA/ Xhani De Biazi: Tani jam vërtet shqiptar

11 Qershor 2015, 19:23Sport TEMA

Një ditë pas marrjes së pasaportës shqiptare, ai ndihet shumë i motivuar për të fituar ndeshjen e 13 qershorit me Francën. Karriera, familja, jeta në Shqipëri, në një rrëfim të sinqertë për Jonida Shehun, nga Durrësi, ku është grumbulluar kombëtarja kuqezi, flet Xhani De Biazi.

TCH: Zoti De Biasi, mirëseerdhe në studion tonë të improvizuar.

De Biasi: Ju falënderoj që erdhët të na vizitoni në vendin ku përgatitemi para ndeshjeve kombëtare, kur luajmë në shtëpi.

TCH: Si është situata e ekipit para ndeshjes me Francën?

De Biasi: Është mirë. Djemtë kanë dëshirë të bëjnë një ndeshje të bukur. Është e qartë, që është ndeshje shumë e vështirë për ne. Por do të përballemi me frymën e përhershme.

TCH: Tani gjërat kanë ndryshuar, ndryshe nga fillimi, megjithatë ju keni qenë gjithmonë i lidhur me Shqipërinë. Por tani mund të themi me të vërtetë që jeni shqiptar, apo jo?

De Biasi: Po, është zyrtare. Dje më dhanë pasaportën. Që kur kam ardhur, jam lidhur në mënyrë integrale me projektin në Shqipëri. Është mënyra sesi i bëj punët. Nëse nuk ndihem pjesë e gjërave, vështirë t’i bëj siç duhet.

TCH: Si është pasaporta jote shqiptare?

De Biasi: Është këtu! Po ta jap ta shikosh. Ta jap ty, meqë s’të dridhet dora.

TCH: Besoj të pëlqen, apo jo?

De Biasi: Fotoja s’është gjë. Është si prej të kërkuari nga policia.

TCH: Ishte e vështirë ta merrje pasaportën shqiptare?

De Biasi: S’bëra asgjë praktike. U mor Federata me lëvizjet zyrtare. Bashkëpunuan me zyrën e pasaportave. Unë shkova vetëm për firmën dhe shenjat e gishtave.

TCH: Fillimisht, publiku krijoi idenë që ju e kërkuat me ngulm këtë pasaportë…?

De Biasi: Le të themi që nuk e kërkova, por m’u ofrua, meqë bëra gjithashtu edhe një publicitet të mirë të shqiptarëve nëpër Europë. Kur m’u dha nënshtetësia nga Presidenti isha vërtet i kënaqur. Hapi tjetër ishte të merrja pasaportën, sepse do të doja të hyja e të dilja nga Shqipëria me pasaportë shqiptare.

TCH: Ndërkohë që të gjithë shqiptarët duan pasaportë italiane, apo çfarëdo tjetër të BE-së; një italian kërkon pasaportën shqiptare…

De Biasi: Një italian ndryshe, që jeton në Shqipëri prej 3 vitesh e gjysmë; që është ndierë mirë këtu dhe që është përpjekur gjithnjë t’i bëjë gjërat me shumë seriozitet. Fakti i të pasurit pasaportë e nënshtetësi është një kënaqësi më shumë, pasi tregon se puna që kemi bërë bashkë me stafin është vlerësuar në mënyrë shumë të mirë, pozitive.

TCH: Do ta mbash përgjithmonë pasaportën tonë, si mendoni?

De Biasi: Them se po, po s’ma morën. Nëse s’duan t’ua kthej… Kur të largohem, them se do ta mbaj për të paktën 10 vite. Kur të skadojë, nëse vazhdojmë…

TCH: Ju e dini besoj, që jeni shumë i dashur për shqiptarët. Ata madje të kanë vendosur edhe një emër shqiptar (Xhani De Biazi). Si t’u duk?

De Biasi: Një shaka e familjes së madhe të Facebook-ut. Është bukur. Nëse shqiptarët më kanë dhënë një emër shqiptar (Xhani De Biazi), mirë është. Por i imi mbetet gjithnjë Gianni De Biasi.

TCH: Me këtë veprim keni fituar zemrat e të gjithëve, por nëse flasim profesionalisht për kombëtaren dhe rolin tuaj në drejtimin e saj, si erdhi deri këtu kjo kombëtare?

De Biasi: Vetëm me shumë punë dhe me fatin e mirë, që gjeta djem të motivuar dhe me cilësi, që janë ndierë menjëherë si një skuadër, e që ditë pas dite po bëjnë të pamundurën për të arritur një ëndërr, që e kemi të gjithë. E që është, të çojmë Shqipërinë në një arenë të rëndësishme ndërkombëtare, siç mund të jetë kampionati evropian, por është një rrugë e gjatë dhe jemi ende në mes të udhës.

TCH: Djemtë e kombëtares kanë qenë edhe përpara jush. Merita juaj cila është?

De Biasi: Nuk e di cila është merita ime. Do të kem qenë me fat. Do të kem pasur ndihmë të madhe nga bashkëpunëtorët e mi, që janë shumë të zotë dhe kanë bërë shumicën e punës. Kanë arritur të bashkojnë këtë grup djemsh. Jam përpjekur të bashkërendoj gjërat, por pjesa më e madhe e meritës u shkon bashkëpunëtorëve.

TCH: Sidoqoftë, keni pasur një strategji…?

De Biasi: Të gjithë e kanë një mënyrë pune.

TCH: E njihnit pak a shumë gjendjen e kombëtares shqiptare të futbollit…

De Biasi: Mënyra ime e punës është të nisem nga e para, të ndërtoj themelet e një shtëpie. Për ta bërë, duhet të di mundësitë që kemi. Kemi udhëtuar shumë në vitet e para, për të njohur lojtarë të ndryshëm, për të kuptuar se çfarë ëndrrash e se çfarë ambiciesh kishin, sepse s’mjafton të jesh i aftë teknikisht, por duhet të kesh vlera dhe cilësi me motivim e vendosmëri të madhe, për të sjellë një ndryshim. Kjo ka qenë pjesa më e ndërlikuar e punës. Pastaj është dhe fakti, që kemi pasur pak kohë të punojmë të gjithë bashkë. Që të bësh një ekip të mirë duhet shumë kohë. Patëm fatin, që shumë lojtarë, shumë ingranazhe, u bashkuan dhe bënë një përzierje të brezit të ri me atë të vjetër. Sot kemi një ekip mesatarisht të ri, me perspektiva të mira për të ardhmen.

TCH: Perspektiva të mira për të ardhmen, çdo të thotë?

De Biasi: Që mund të luftojmë, pak a shumë.

TCH: Sa mund të pretendojmë?

De Biasi: Gjëja kryesore është që ti dhe gjithë shqiptarët e tjerë keni një kureshtje të madhe dhe një bindje, që sot një gjë është e mundur. Para pak vitesh, as që përfytyrohej të mund të arrinim në një fazë finale, as për ndonjë Botëror, as për Europian. Sot kemi të paktën perceptimin e njerëzve, që takojmë në rrugë, që kjo është një ëndërr e cila mund të realizohet, e që i jemi afruar. Por duhet të kemi durim e të përpiqemi të gjithë bashkë, që të luftojmë. Nuk duhet ta shtyjmë karrocën, kur është duke zbritur në rrëpirë, por kur është në ngjitje.

TCH: Po vetë Gianni De Biasi, çfarë pretendimesh ka për kombëtaren shqiptare?

De Biasi: Është e vështirë të thuash se çfarë pretendoj. Por mund të them se çfarë do të doja. Do të doja, që të rriteshim pa ndërprerje. Jeta është e bërë nga hapa të vegjël e fitore të vogla, pak e nga pak. Fitoret e shpejta janë ato të fatit. Ne duhet të bazohemi në fakte reale, në aftësinë për të punuar, të mësohemi me një mendësi tjetër, e të mos kënaqemi kurrë me atë që na jep jeta ose puna. Por të synojmë gjithnjë diçka më të mirë.

Pak kohë më parë, kur u publikua lajmi se De Biasi do të merrte pasaportë shqiptare, të gjithëve iu mbeti në mendje një fjali: jam e martuar me një shqiptare prej 3 vitesh, kështu që s’ka pse të mos jem shqiptar edhe zyrtarisht.

TCH: Po shpjegoj pak situatën e krijuar, kur kërkuat pasaportën dhe deklaruat se jeni i martuar prej 3 vitesh me një shqiptare…

De Biasi: Pastaj e korigjova deklaratën, sepse pati një keqkuptim dhe m’u desh ta korigjoj. Ju të medieve dini t’i përpunoni mirë fjalitë që thotë dikush.

TCH: Nuk është se nuk e kuptuam…

De Biasi: Nuk e kuptuat. Po e them edhe një herë. Unë u shpreha se, pasaporta merret kur dikush martohet e rri në një vend tjetër me një grua a diçka e tillë. Gjithë këto aspekte, që përdorin njerëzit gjithnjë. Unë thashë, që isha martuar me një shqiptare prej 3 vitesh. Në atë kohë thashë “prej 3 muajsh”, por e kisha fjalën që isha martuar me Federatën dhe me kombëtaren shqiptare. Një agjenci e huaj e keqkuptoi. Më pyeti edhe im vëlla “Je martuar në Shqipëri?”. Në të vërtetë, jo.

TCH: Si e mori gruaja juaj italiane këtë batutë?

De Biasi: Asgjë në veçanti. E kuptoi atë që thashë. Ajo di edhe që mediat luajnë me gjëra të tilla, ndaj e sqarova në Facebook, që isha martuar me Federatën Shqiptare prej 3 vitesh e gjysmë, nëse e shohim që sot. Por jam i martuar qetësisht e shumë mirë me gruan time, Paolan, me të cilën kam një vajzë, që quhet Kiara, e që është 23 vjeç.

TCH: Si është jeta juaj private?

De Biasi: Vajza jeton në një qytet tjetër tani, sepse po studion për mjekësi. Është në vitin e 4-t e po del mirë. Studion fort. Me gruan takohem më shpesh.

TCH: A vjen në Shqipëri ajo?

De Biasi: Deri tani s’ka ardhur. S’ka pasur mundësi prej punës, si dhe prej faktit, që shpesh jam unë ai që udhëtoj e jam në shtëpi. Në Shqipëri vij për punë e për kombëtaren, ndaj s’do të kisha kohë të rrija me të. Në verë mund të udhëtojmë nëpër Shqipëri.

TCH: A ia ke shpjeguar sesi është të jetosh dhe të punosh këtu në Shqipëri?

De Biasi: S’është nevoja t’ia shpjegoj, sepse ajo e përjeton realitetin tim. Lexon shumë dhe e kupton. Patëm një grup miqsh, që erdhën para 3 muajsh e shëtitën nëpër Shqipëri, në pjesën fushore, në zonat historike të Gjirokastrës, Butrintit, Beratit dhe patën mbresa vërtet të mira për Shqipërinë, e cila duhet vlerësuar më shumë se tani. Besoj se do ta bëjë kryeministri.

TCH: Kthehemi te futbolli, CAS nuk ka marrë ende vendimin për ndeshjen, që na tronditi të gjithëve, atë me Serbinë, jo vetëm profesionalisht, por edhe personalisht. Çfarë duhet të presim tani nga ky vendim?

De Biasi: Unë e kam të vështirë të them sot, se mund të presim që të vihet drejtësi. Uroj vetëm që të vihet drejtësi, e të jepet ajo që të tjerëve u është dhënë me lehtësi. Pësuam dhunë, luajtëm me vështirësi të mëdha në një stadium jo të sigurt, ku s’kishte mbrojtje e vërtet rrezikuam të mos ktheheshim me këmbët tona. Kjo ishte ana më e keqe për ne. Por si gjithnjë, e di që drejtësia nuk është e njëjtë për të gjithë, edhe pse duhej të ishte ashtu. Shpresa është që CAS t’i zgjidhë gjërat. S’dua të them më shumë.

TCH: Kur do të jetë data e vendimit?

De Biasi: Teorikisht, data e vendimit është të premten (aktualisht e shtyrë për më 10 korrik). Por mund ta shtyjnë. Shpresoj që jo, e që ky vendim të merret e të jetë në favorin tonë.

TCH: Mendon që, nëse vendimi do të merret të premten do të ndikojë në formën, emocionet dhe atmosferën, me të cilën kombëtarja do të futet në fushë kundër Francës?

De Biasi: Sido që të jetë vendimi, them se do të na japë nxitje të reja. Nëse është pozitiv, do të kemi më shumë shtysa për ta fituar garën. Nëse do të jetë negativ, do të zemërohemi e do të luajmë fort për të rifituar atë që humbëm. Por, mendoj se do të ndikojë shumë në të ardhmen, sepse midis humbjes dhe fitores ka një ndryshim domethënës. Për ne do të ishte të kishim bërë një hap të madh përpara, drejt udhës që duam ta çojmë deri në fund.

TCH: Këto 3 pikë, sa të rëndësishme janë për ne. Pyes në emër të atyre, që s’janë marrë kurrë me llogaritë e futbollit?

De Biasi: Tre pikët do të ishin thelbësore. Po të marrim 3 pikë do të ishim të parët në klasifikim, do të kishim mundësinë t’i luanim ndeshjet e tjera ndryshe. Të gjitha strategjitë janë ndryshe, nga të gjitha pikëpamjet. Por edhe motivimet do të ishin ndryshe. Them se vendimi i CAS-it është shumë i rëndësishëm për ne.

TCH: Nëse futemi pak më thellë në skuadër, si i keni marrëdhëniet me djemtë e skuadrës? Keni ndonjë të preferuar dhe a ndihet kjo gjë?

De Biasi: Atmosfera është ajo e babait me fëmijët, të them të drejtën, dhe respekti i madh që kemi në role. Ata e respektojnë shumë mënyrën time të punës dhe unë kam respekt për ta. Kemi një marrëdhënie shumë miqësore. Shpesh bëjmë shaka, e nëse gjërat shkojnë mirë bëjmë edhe më shumë. Por s’kemi një qëndrim ushtarak. Kemi një marrëdhënie me shumë besim e vlerësim. Përpiqemi të punojmë me buzëqeshje, e jo me klimën e regjimit të dikurshëm.

TCH: Po gjithsesi, autoriteti i trajnerit…

De Biasi: Them se autoriteti nuk vlen, por vlen autorësia. Ajo e bën ndryshimin. Nëse atë që thua e jep në formë urdhri nga lart, nuk ngulitet brenda mendjes, po aq sa ç’ngulitet nga respekti për personin që e thotë. Ajo që thotë ai është fjala e Ungjillit, thuhet nga ne. Është një dogmë, diçka së cilës i besoj. E di se, ajo që do të them do të të ndihmojë të shprehesh më mirë në punën e përditshme.

TCH: Ky modeli juaj i të drejtuarit të një kombëtareje, të një grupi… është modeli që kanë pasur trajnerët tuaj më parë, gjatë karrierës futbollistike?

De Biasi: Është një përvojë që e kam fituar me kohën, me menaxhimin e burimeve njerëzore, të lojtarëve apo të punëtorëve, që njeriu ka në dispozicion. Është një qasje ndryshe, që ka secili prej nesh. E rëndësishme është të nxjerrësh anën më të mirë, të atyre që ke nën drejtim. S’mund të kesh të njëjtin çelës për të gjithë. Me dikë mund të sillem ndryshe, me tjetrin ndryshe. Rëndësi ka të më japësh 110% të asaj që ke. Kjo është e rëndësishmja. Ti dhe ai duhet të jeni gjithnjë në sintoni. Unë duhet të jem i zoti të sheshoj mosmarrëveshjet. Sepse, nëse ndodhin mosmarrëveshje dhe i lë pa ndërhyrë asnjëherë, në fund këto probleme krijojnë një tjetër problem shumë më të madh. Mund të duken të parëndësishme, por janë gjërat që vendosin ekuilibrin mes gjërave dhe bëjnë ndryshimin. Janë detaje të vogla.

TCH: Autoriteti me grupin është diçka, po autoriteti me autoritetet? Me Federatën Shqiptare të Futbollit?

De Biasi: Me Federatën kam marrëdhënie shumë të mira. Me presidentin e me të gjithë këshilltarët, që merren zakonisht me kombëtaren. Kemi shumë vlerësim e më kanë lënë shumë liri për t’i menaxhuar situatat. Them se kanë besim në punën time e të stafit, dhe s’më kanë krijuar kurrë probleme nga kjo pikëpamje. Pra, presidenti është si ne, i intereson të fitojmë gjithnjë. Ajo është ana më e rëndësishme. Më intereson dhe mua të fitoj gjithnjë, por s’është gjithnjë e mundur.

TCH: E kuptoj, por në këto 3 vite marrëdhënie me Federatën e Futbollit, s’ka pasur asnjë moment kur për diçka, t’iu jetë dashur të përdorni autoritetin?

De Biasi: Pothuajse asnjëherë. Mund të duket diçka, që thuhet sa për të thënë, por është një lidhje e tillë, që ata kanë shumë besim tek unë dhe s’më është dashur asnjëherë të futem në mënyrë të vendosur e të them: Duhet ose kështu, ose s’bëhet.

TCH: Sipas jush, prej 3 vitesh brenda futbollit në Shqipëri, çfarë duhet të ndryshojë?

De Biasi: Pak nga pak po ndryshojmë. Pak nga pak, se s’mund të bëjmë revolucione. Teksa ndryshojmë, luajmë dhe përpiqemi të arrijmë qëllime të rëndësishme. S’është se mund të vëmë një kallëp dinamiti, e të ndryshojmë gjithçka. Duhet të ndryshojmë me qetësi. Mendësia është ajo që duhet të ndryshojë, ndaj dhe po e ndryshojmë pak e nga pak. Këtë po të thosha dhe më parë.

TCH: Kur thoni që duhet ndryshuar mentaliteti, në ç’kontekst e keni?

De Biasi: Të mos kënaqemi me atë që kemi, por të përpiqemi të synojmë edhe më mirë, ditë pas dite. Nëse kënaqesh me rezultatet që ke pasur deri tani, pjesa tjetër e kualifikimit do të jetë katastrofë. Duhet të përpiqemi të kemi uri e motivim për t’u përmirësuar. Duhet të kemi mendësi, që të mos na thonë se, tani që kemi dy parà në xhep duhet të ulemi pak. Duhet të përpiqemi të marrim më shumë. Po jap shembuj praktikë.

TCH: Përpara se ta pranonit këtë detyrë, kur ua propozuan, me aq sa e njihje kombëtaren, a ishit optimist po sa sot?

De Biasi: Unë jam nga natyra optimist. Herën e parë që më kontaktuan thashë që s’më interesonte. Pas pak kohësh më kontaktuan sërish. U takova me presidentin, zv.presidentin e asaj kohe, sekretarin e atëhershëm, si dhe persona të tjerë.

TCH: Çfarë ju bëri të ndryshoni mendim?

De Biasi: Dëshira e tyre për të pasur një trajner italian, që mund t’i ndihmonte me procesin e rritjes, që donin të vinin në zbatim. Besoj se ky ka qenë aspekti, që më bëri të ndryshoj mendim. Si dhe sfida për të qenë i pari, që të arrijë ta çojë Shqipërinë në një garë të madhe. Jam shumë i vendosur dhe ambicioz. Dua t’ia dal me këtë sipërmarrje.

6 komente në “INTERVISTA/ Xhani De Biazi: Tani jam vërtet shqiptar”

  1. shqiptar says:

    ky eshte kunati i zoro ne greqi me kete e ka martuar motren

    https://s3.amazonaws.com/2013backup/tnh/ImagesUp/Sofo1.jpg

  2. sit... back..and relaks → says:

    shqiptar prej verteti o xhani behesh kur te kesh nje ndertim pa leje, nje hasem e nje arme pa leje ne shpi.

  3. albani says:

    Ka ndonjeri informacion per vendimin e komisionit per ndeshjen me Serbine ne Beograd?
    Kishin thene qe deri me date 16 qershor do te shpreheshin.
    Mos valle te shkerdhyerit presin se si do te jene rezultatet e ndeshjeve te radhes ne Grupin tone dhe atehere ta marrin vendimin,sigurisht behet fjale per te favorizuar Danimarken dhe Portugaline ne demin tone apo Serb.

  4. naim frashni says:

    u bere shqiptar?
    shum mir!
    qe t na e provosh qe e meriton fillo me u mor me drog dhe kurva tash!
    po su more nuk je shqiptar i vertet.

    se ,te jesh shqiptar
    duhet t jesh rrotkar
    duhet t jesh kurvar
    t shesesh drog n pazar
    dhe kurvat ,mullar

  5. enter''" says:

    Oh, shume mire, tani do na zere gjumi

  6. magelani nga pakistani says:

    ndrro dhe emrin tash . Gani Abazi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje