Hijet e Gjermanisë përndjekin Brazilin edhe në Kupën e Amerikës

13 Qershor 2015, 16:19Sport TEMA

Një vit më parë Brazili pësonte humbjen më të rëndë në historinë e tij futbollistike, pasi mundej 7-1 nga Gjermania në gjysmëfinalet e Botërorit.

Kupa e Amerikës tashmë mund të jetë një mundësi e mirë për kombëtaren e drejtuar nga Dunga për t’u ringritur, aq më tepër që Selesao vjen pas një serie prej 10 fitoresh radhazi, në të cilat ka pësuar vetëm dy gola. Por Gjermania gjithsesi vazhdon të mbetet një makth për kombëtaren braziliane.

Ironi e fatit apo jo, por hoteli në të cilin është akomoduar kombëtarja braziliane për turneun e Amerikës së Jugut në qytetin e Temucos, gjendet në një rrugë të quajtur “Alemania” ose shqip Gjermania, si për t’i hapur plagë të vjetra kombëtares më të titulluar të planetit.

Gjithsesi Dunga nuk ka dashur ta dramatizojë dhe për mediat braziliane ka bërë të ditur se ndeshja me Gjermaninë në korrikun e 2014-tës është pikërisht sfida nga e cila Brazili duhet të ringrihet dhe për t’u përballur me fantazmat e kaluara nuk duhet harruar.

Kupa e Amerikës megjithatë ka nisur jo pa probleme për të, pasi Danilo është dëmtuar dhe vendin e tij e zuri Dani Alves që ju bashkua menjëherë skuadrës në grumbullim duke deklaruar se pushimet kalojnë në plan të dytë përpara përfaqësueses.

Ndeshjen e parë në Copa America, Brazili do ta luajë këtë të dielë ndaj Perusë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje