KQZ rrëzon LSI për Bashkinë e Vorës

2 Korrik 2015, 17:05Politika TEMA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 4 vota kundër dhe 3 vota pro rrëzoi kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në bashkinë Vorë.

Pas marrjes në administrim të provave të paraqitura nga LSI, shumica në KQZ nuk i konsideroi të mjaftueshme për ta çuar Komisionin deri në shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve.

Pas vendimit, Ylli Manjani tha se LSI do ta ndjekë çështjen në instanca të tjera.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që anëtarët e KQZ në kor, pavarëisht përkatësisë politike ranë  të gjithë dakord që ka një fenomen në Vorë, por jo vetëm, ka një fenomen që ka të bëjë më transferimin e zgjedhësve për arsye politike por që me shumicë KQZ mendon se nuk është kompetent për ta zgjidhur këtë çështje.

Në do ta kërkojmë këtë komptencë, nuk e lëmë kështu evazive, sigurisht ka prokurori, gjykata, ka instanca të tjera.

Ne të do të bëjmë të gjithë konsultimet e nevojshme me ekipin e juristëve në parti pas kësaj për të arritur në konkluzionet e duhura”, tha ai.

Përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani përsëriti pretendimet e subjektit ankues duke këmbëngulur për përsëritjen e zgjedhjeve.

“Në bashkinë Vorë është cënuar standardi demokratik që ka të bëjë me ndershmërinë e zgjedhjeve”, u shpreh ai duke kërkuar shpalljen të pavlefshme të tyre në këtë zonë zgjedhore.

Përfaqësuesi i opozitës, Arjan Madhi tha se KQZ nuk ka kompetencën që të shqyrtojë ankimimin e LSI-së, të cilin e konsideroi të pambështetur në prova e ligj.

Eksperti ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Genci Gjonçaj u shpreh në mbështetje të kërkesës së subjektit ankues, LSI.

Para prezantimit të ankesës nga përfaqësuesit ligjorë të subjektit zgjedhor, përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani, bëri disa komente rreth çështjes, duke pohuar se zgjedhjet në Vorë ishin të lira, po jo të ndershme.

“Zgjedhjet në bashkinë Vorë ishin të lira, demokratike, pati garë dhe pjesëmarrje, por mungonte standardi  tjetër, që është ndershmëria. Zgjedhjet në këtë zonë zgjedhore nuk ishin të ndershme, sepse kryetarin e bashkisë e kanë zgjedhur jo banorët e Vorës, por disa jabanxhinj elektoralë”, tha Manjani.

Më pas, avokati i çështjes i LSI-së parashtroi argumentet, mbi të cilat kërkon shpalljen të pavlefshëm të rezultatit në disa QV në Vorë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në këtë zonë, për shkak të shtimit fiktiv të numrit të zgjedhësve.

“Janë bërë transferime të paligjshme të zgjedhësve në bashkinë Vorë, duke shkelur ligjin për gjendjen civile dhe deformuar vullnetin e votuesve. Sipas informacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile konstatohen 745 transferime të paligjshme të shtetasve, dhe nga përllogaritjet kemi bindjen se të paktën 420 shtetas që nuk janë  banorë të Vorës kanë votuar dhe kanë ndryshuar rezultatin në mënyrë të pandershme dhe fiktive. Pretendimet tona i kemi të dokumentuara”.

“Kanë votuar njerëz që nuk janë banorë të zonës dhe që u përfshinë në mënyrë të paligjshme në lista”, shtoi Manjani.

Ky i fundit, në përgjigje të pyetjeve të përfaqësuesve të opozitës, nënvizoi se “LSI nuk i ka hapur gjyq kryetarit të bashkisë Vorë, pasi nuk është ai pala ankuese. Konflikti ynë është me menazhimin e procesit zgjedhor në Vorë dhe hilet që çuan në një proces të pandershëm”.

Në zgjedhjet e 21 qershorit në bashkinë Vorë, në përfundim të numërimit të votave, fitues rezultoi kandidati i koalicionit të djathtë Fiqiri Ismaili. Ismaili fitoi me rezultat të ngushtë kundrejt  kandidatit të koalicionit të majtë, Luan Sallaku, i propozuar nga LSI.

Situata parazgjedhore në Vorë u shoqërua me tensione, pas akuzave të LSI-së ndaj kandidatit Ismaili për shtim fiktiv të listave të votuesve në këtë zonë zgjedhore.

1 komente në “KQZ rrëzon LSI për Bashkinë e Vorës”

  1. Uji i ftohte says:

    Ylli Manjaku?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje