Si do të ndryshojnë organizimin e tyre partitë/ PS-PD, takime me aleatët për bashkitë

12 Korrik 2015, 12:22Politika TEMA

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste pritet të nisin takimet me aleatët respektivë në lidhje me vijimin e bashkëpunimit me to në lidhje me zgjedhjet vendore të 21 Qershorit. Burime nga dy partitë më të mëdha politike në vend, njëra në opozitë dhe tjetra në qeveri, theksojnë për TemA se takimet me aleatët do të synojnë konkretizimin e marrëveshjeve në bazë të numrit të votave që kanë siguruar këto parti në zgjedhjet vendore. Në përputhje me votat që këto parti kanë grumbulluar do të bëhet edhe përfaqësimi i tyre në strukturat e qeverisjes vendore, të cilat nisin me nënkryetarët e bashkive dhe vijojnë me administratorët, të cilët përcaktohen nga Kryetarët e Bashkive. E ndërsa për demokratët kjo fazë duket më e thjeshtë për shkak të numrit të vogël të njësive vendore të fituara prej tyre, por edhe koalicionit të vogël, për socialistët negociatat do të jenë më të ndërlikuara, kjo për shkak se të paktën 3 parti, LSI, PDIU dhe FRD kanë arritur një kuotë të lartë votash në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit.

Opozita

Mësohet se Lulzim Basha brenda korrikut do të nisë takimet me drejtuesit e partive aleate të përfshira në koalicionin APPD. Burime nga PD theksojnë se Partia Republikane dhe LZHK pritet të jenë dy partitë që do të marrin më tepër hapësirë në postet për pushtetin vendor, ku duket se republikanët do të jenë më të favorizuar. Por për Bashkinë e Lezhës, duket se PD do të bëjë një përjashtim, ku në administratën e bashkisë së re, do të përfshijë edhe PDK-në, kjo për faktin se nënkryetari i kësaj partie Eduard Ndocaj, ishte në aleancë me të zgjedhurin e Partisë Demokratike Fran Frroku, i cili fitoi përballjen me Viktor Tushajn të mbështetur nga koalicioni i majtë ASHE. Një situatë e tillë mund të ndodhë edhe në Bashkitë e Përmetit apo Pogradecit, të fituara nga kandidatët e APPD-së, të cilat konsiderohen si surprizat e zgjedhjeve të 21 Qershorit, kjo për faktin se kandidatët e propozuar nga PD rezultojnë fitues, ndërsa këshillat bashkiake dominohen nga partitë e majta.  Burime nga Partia Demokratike theksojnë se ndarja e posteve në pushtetin vendor do të bëhet në bazë të numrit të votave që secila parti e përfshirë në koalicionin APPD ka marrë, pra numrit të këshilltarëve që do të kenë në Këshillat e reja bashkiake.Burimet theksojnë se nisur nga rezultatet, republikanët e Mediut pritet të kenë një hapësirë më të madhe në pushtetin vendor të drejtuar nga demokratët, kjo edhe për faktin se PR konsiderohet si një nga aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike. Burimet nga PD theksojnë se në përfundim të takimeve individuale me secilin prej partive aleate, Basha pritet të zhvillojë një tryezë të partive opozitare, ku gjithashtu pritet të diskutohet mbi caktimin e administratorëve dhe procedurat që do të zbatohen për përzgjedhjen e emrave. Nuk dihet nëse administratorët do të lihen të propozohen nga strukturat partiake, apo ato do të përzgjidhen nga kryetarët fitues të bashkive, referuar edhe mënyrës së organizimit të fushatës nga ana e tyre. Në zgjedhjet e 21 Qershorit, Partia Demokratike fitoi vetëm 15 njësi vendore nga 61 të tilla.

Mazhoranca

Gjithashtu, Partia Socialiste, si drejtuese e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane, pritet të nisë negociatat me partitë aleate, referuar marrëveshjeve që ka me to përpara zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit. LSI, PDIU, FRD dhe PDS janë disa nga partitë që kanë arritur numrin më të lartë të votave në këto zgjedhje, të cilat në përputhje me rezultatin zgjedhor do të kenë përfaqësuesit e tyre në nivelin e Nënkryetarëve të Bashkive apo administratorëve. Mësohet se secila nga partitë aleate të PS-së kërkon një përfaqësim, sipas bashkive të fituara nga ASHE, në pozicionet e Nënkryetarëve. Duket se vështirësia kryesore do të jetë Bashkia e Tiranës, ku të paktën 3 aleatë të PS-së pretendojnë pozicione Nënkryetarësh bashkie, por edhe administratorë. Burime nga ASHE shprehen se përfaqësimi i aleatëve do të jetë i ndryshëm, kjo edhe referuar rezultateve të ndryshme që janë arritur nga forcat politike në bashkitë e fituara nga koalicioni i majtë. Kështu në Bashkitë që rezultojnë fitues emrat e përzgjedhur nga LSI, nënkryetarët e Bashkive pritet të jenë përfaqësues të PS apo ndonjë partie tjetër aleate, në përputhje me numrin e votave.

Riorganizimi

Në shtator, të paktën sipas deklarimeve publike, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike do të nisin procesin e analizës së rezultatit zgjedhor, por edhe organizimin e brendshëm të tyre në përputhje me ndarjen e re territoriale. Duket se 21 Qershori, proces i zhvilluar mbi ndarjen e re territoriale të vendit, ka nxjerrë në pah defektet e organizimit të dy partive kryesore të vendit, çka do të bëjë që i gjithë organizimi i tyre të bazohet në përputhje me ndarjen e re. Mësohet se të dy partitë do të shkojnë drejt përzgjedhjes së 61 kryetarëve të degëve, po aq sa numri i bashkive të krijuara me ndarjen e re territoriale. E ndërsa socialistët duket se janë më të qetë në procesin organizativ, kjo edhe për shkak se fitorja më 21 Qershor ishte pothuajse e njëjtë me atë të 23 Qershorit 2013, për demokratët rezultati zgjedhor i zgjedhjeve të fundit vendore është ndër më të ultit në historinë e kësaj partie. Partia Socialiste nis procesin e analizës në shtator, ndërsa gjithcka pritet të përmbyllet në Dhjetor, kur kjo parti ka paralajmëruar se do të mbajë Kongresin zgjedhor, ku do të zgjidhen anëtarët e strukturave drejtuese të kësaj partie.

Në anën tjetër Partia Demokratike nuk mund të kalojë procesin thjesht me zgjedhjen e rreth 8 drejtuesve të rinj, në degët e reja që do të krijohen, por edhe në analizimin e punës së drejtuesve aktualë të degëve, ku rezultatet e 2015 kanë qenë më të dobëta se ato në zgjedhjet parlamentare të 2013. Burime nga PD theksojnë se procesi i analizës do të zhvillohet mbi bazën e votave për cdo qendër votimi dhe më pas do të analizohet rezultati për njësinë vendore. Procesi që pritet të nisë në shtator do të monitorohet nga 3 prej drejtuesve demokratë, Arben Ristani, Eduard Halimi dhe Oerd Bylykbashi, të cilët rezultojnë humbës në njësitë vendore ku ishin deleguar dhe kanë organizuar fushatën për zgjedhjet vendore. Ristani humbi në bashkinë e Vlorës me një diferencë votash ndër më të thellat që janë regjistruar për zgjedhjet vendore. Po kështu edhe Bylykbashi, i cili ishte i deleguar në Durrës, ku Grida Duma humbi me një diferencë prej rreth 15 mijë votash përballë Vangjush Dakos. Gjithashtu Halimi, i deleguar në Bashkinë e Kavajës rezulton humbës me disa mijëra vota.  Burimet nga PD theksojnë se procesi i analizës pritet të zgjasë deri në fund të vitit, ndërsa me nisjen e 2016, Partia Demokratike parashikon të zhvillojë proceset zgjedhore në degët ku do të rezultojnë se rezultatet e zgjedhjeve të 21 Qershorit janë më të dobëta se ato të 2013. Paralelisht me këtë demokratët pritet të rikthejnë edhe 8 degë të reja, nga 53 që kanë sot, duke e çuar në 61 numrin e degëve të saj.

E vetmja parti e cila deri më tani ka nisur procesin e analizës është Lëvizja Socialiste për Integrim, ku kreu i saj Ilir Meta ka zgjedhur Durrësin për të nisur procesin. Megjithëse Meta ka deklaruar se në zgjedhjet e 2015, LSI ka dyfishuar numrin e votave në krahasim me 2011 si dhe ka shtuar rreth 80 mijë vota në krahasim me 2013, duket se kjo parti do të riorganizohet në disa prej degëve të saj, të cilat rezultati më 21 Qershor rezulton humbës. /gj.k/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje