Kodheli pret asistenten e Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-s

13 Korrik 2015, 20:05Politika TEMA

Ministrja e Mbrojtjes, znj.Mimi Kodheli, zhvilloi sot pasdite një takim me zv. asistenten e Sekretarit të Mbrojtjes të ShBA-s për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, znj. Evelyn N. Farkas.

Zonja Farkas ndodhet në Tiranë si pjesë e delegacionit të lartë amerikan, kryesuar nga ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, znj.Victoria Nuland.

Zhvillimet më të fundit në lidhje me politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes në kufijtë lindorë dhe jugorë të Aleancës, por dhe zhvillimet në rajon ishin ndër temat kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi. Ministrja Kodheli dhe zonja Farkas ndanë mendimin se dakortësia e arritur në Ministerialin e Mbrojtjes pak javë më pare për një qëndrim gjithëpërfshirës në funksion të mbrojtjes së çdo vendi anëtar, është një hap i madh përpara për sigurinë tonë të përbashkët. Ministrja e Mbrojtjes Kodheli theksoi se, Shqipëria ka deklaruar  pjesëmarrjen e saj në forcën pararojë të NATO-s për vitet 2016-2018, duke qenë e pranishme kësisoj në operacione dhe komanda. Ndërsa,  Znj.Farkas e vlerësoi maksimalisht këtë kontribut madhor të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek zhvillimet në Ukrainë dhe në Irak. Ministrja Kodheli theksoi se, Shqiperia jo vetëm dënon veprimet ruse dhe mbështet sovranitetin territorial të Ukrainës, por është e pranishme në këtë vend në kuadër të misionit vëzhgues të OSBE, por dhe me ndihma logjistike.

Duke u ndalur në rajon, ministrja Kodheli nënvizoi se Shqipëria mbështet politikën e bashkëpunimit rajonal duke promovuar stabilitet politik, prosperitet dhe zhvillim ekonomik. “Ne shpresojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor të vijojnë me procesin e tyre të reformave në rrugën e tyre të integrimit euroatlantik.”,- është shprehur znj. Kodheli.

Gjithashtu, ministrja shqiptare e Mbrojtjes e njohu zv. asistenten e Sekretarit të Mbrojtjes të ShBA-s për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, znj. Farkas edhe me punën e bërë në forcat tona të armatosura, duke u fikusuar sidomos tek modernizimi i saj, si një nga kërkesat e kahershme të aleatëve tanë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje