Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hapë të martën një tjetër kuti të materialeve zgjedhore, kësaj radhe në Shkodër.
Pas ankimit të Partisë Demokratike që kërkoi shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në qendrën e votimit 0092 në Pult të Shkodrës dhe pas debateve të gjata në KQZ për këtë çështje, kryetarja Lefterije Luzi dhe anëtari Hysen Osmanajn kërkuan që të hapet kutia përkatëse e materialeve zgjedhore.
Luzi e argumentoi qëndrimin e saj me faktin se duhej plotësuar panorama e provave të pretenduara nga demokratët për pavlefshmëri të procesit në këtë qendër votimi.
PD iu drejtua KQZ me kërkesën për pavlefshmëri të procesit në këtë qendër votimi , pasi ditën e zgjedhjeve procesi i votimit është vonuar më shumë se 5 orë, ndërsa dy komisionerë janë shkarkuar në shkelje të ligjit po nga komisioni përkatës i qendrës së votimit.
Përfaqësuesi i PS në KQZ tha se nuk është shkelur Kodi Zgjedhor për zgjedhjet në këtë QV, pasi votimi nuk është bllokuar për më shumë se 5 orë.
Pas debateve të shumta edhe në tryezën e KQZ, u vendos që të hapet kutia e materialeve zgjedhore për të vërtetuar pretendimet e palës paditës që është PD.
Administrimi i zgjedhjeve nga komisisonerët në këtë QV u konsiderua i paprecedentë nga PD, pasi rezulton se përveç shkeljeve të tjera janë gjetur më shumë fletë votimi se sa votues në këtë zonë.