Apeli lë në fuqi sekuestron e pasurive të Becchettit

14 Korrik 2015, 14:15Kronika TEMA

Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për sekuestrot e parave të Francesco Becchettit,  biznesmenit italian që akuzohet për evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh.

Vendimi i Apelit erdhi pasi përfaqësuesit ligjorë të Becchettit iu drejtuar Gjykatës, pas vendimit të dhënë nga gjyqësori në shkallën e parë.

Mbi një muaj më parë, Prokuroria ngriti akuzën për Presidentin e Agon Channel, Francesco Becchetti, dhe disa shtetas të tjerë italianë dhe shqiptarë, të dyshuar si të përfshirë në pastrim parash dhe evazion fiskal.

Sipas organit të akuzës, ekzistojnë prova që provojnë skemën përmes të cilës biznesmeni italian ka kryer rreth 770 milionë lekë evazion në dëm të shtetit.

Sipas tyre, “në qendër të kësaj skeme evazioni, por njëkohësisht edhe pastrimi parash qëndron hidrocentrali i Kalivaçit dhe dy shoqëri të zotëruara nga Becchetti, koncesionarja “KGE” dhe ajo “Energji”.

Sipas Prokurorisë, kompania “Energji” ka blerë punime nga nënkontrakorë privatë për ndërtimin e hidrocentralit.

Më pas këto punime ja ka shitur shoqërisë tjetër të Becchetti-t të quajtur KGE, por me çmime dhe sasi të fryra në mënyrë artificiale. Sipas dokumentave, përgjatë periudhës 2007-2013, “Energji” ka blerë në total 14.5 milionë euro punime nga nënkontraktorët privatë, por ja ka shitur ato shoqërisë “KGE” me vlerë dy herë më të lartë, ose 28.6 milionë euro.

Përmes kësaj skemë, Prokuroria thotë se, “kompania ka rritur në mënyrë fiktive kreditimin e TVSH-së dhe vetëm në vitin 2009 ka kërkuar rimbursim për 45 milionë lekë TVSH duke mashtruar shtetin”. Kjo skemë është përsëritur vit pas viti dhe prokurorët e kanë ilustruar atë me shifrat përkatëse për çdo vit, që nga viti 2007.

Sipas prokurorëve, kompania ka dorëzuar dokumenta sikur ka ndërtuar një digë në vlerën 3.4 milionë euro. Por sipas tyre, diga nuk ekziston dhe nuk është ndërtuar kurrë. Prokurorët thonë se transaksionet e dyshimta për pastrim parash datojnë që në vitin 2007, kur “KGE” dhe “Energji” filluan të kryenin veprime financiare me njëra-tjetrën.

Prokuroria thotë se dy kompanitë e të njëjtit pronar kanë sajuar mes tyre një konflikt, sipas saj, të rremë për zgjidhjen e të cilit i janë drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit në Tiranë.

Sipas prokurorëve, në këtë konflikt të sajuar, shoqëria “Energji” e Becchetti-t pretendonte se kishte kryer punime për shoqërinë tjetër “KGE”, po në zotërim të Becchetti-t, por kjo e fundit nuk e kishte paguar.

Pra, sipas prokuroreve, Becchetti kishte paditur Becchetti-n për t’i marrë para Becchetti-t për një punë që Becchetti kishte kryer për Becchetti-n, e për të cilën Becchetti nuk kishte paguar, po Becchetti-n.

1 komente në “Apeli lë në fuqi sekuestron e pasurive të Becchettit”

  1. alti says:

    Per te gjithe keto mashtrime , financiare me shtetin shqiptar nuk mban pergjkegjesi penale ministri Bode , qe e lejoi kete mafioz te vjedhe shtetin dhe te mos paguaj detyrimet ? Pse prokuroria e krimeve te renda ,nuk ngre padi per ato autoritete shteterore , qe kane lejuar kete serial vjedhjesh , ne nje kohe qe dy shkallet gjygjesorit e kane denuar kete mashtrues duke vendosur dhe sekuestro te pasurise se tij ? Po per sabotimin me hidrocentralin e Kalivacit , qe e mori me koncension dhe se ndertoj kurre ,ne nje kohe qe ka nje afat ligjor , ne kontraten e firmosur me shtetin hajdut te Nanos ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje