Çminimi i Gërdecit në arsimin e lartë shqiptar

15 Korrik 2015, 18:45Blog TEMA
Çminimi i Gërdecit në arsimin e lartë shqiptar

Nga Kastriot Kotoni

Arsimi shqiptar, i mëkuar nga një rilindje kombëtare, e cila nuk ka moshë historike për nga frymëzimi, është bërë temë e ditës në hapësirën e Shqipërisë politike. Si fenomen historik shumë specifik ndryshe nga historitë e kombeve të tjerë, nuk po e kalon cakun e një epistopmologjie(mënyrë të menduari) gati 100-vjecare qysh nga vepra e rilindasit tonë Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë c’është e çdo të bëhet” e deri tek citimet e veprave të autorëve të neoshqiptarizmës. Përfshirja në diskutime për temën e projektligjit “Për Arsimin e Lartë”, nga shumë aktorë të botës akademike dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, duket se në shumë raste është gati një garë përfaqësimi, se kush bën më shumë fansa në kaq e aq klikime në internet, apo deri dhe sa hapësirë mediatike zotëron njëra apo tjetra palë, pa e përmendur fjalën arsim kombëtar. Kozmopolitizmi që ka përfshirë shoqërinë shqiptare duket edhe në numrin e universiteteve private me kahje lindore dhe perëndimore, pa e patur parasysh edhe prekjen e sigurisë kombëtare nga ky lloj “filo”, apo “ambasador i interesave” të X apo Y shteti. Koha po e tregon gjithnjë e më shumë këtë fakt, me studentë që kanë mbaruar në shtete të ndryshme shumë pranë Ballkanit e që lobohet për ata, që një ditë të zënë poste qeveritare, apo të ulen në kolltuqe e niveleve të larta shtetërore për të kapur pozicione kyçe. Pasojat e këtyre ”ambasadorëve të shkolluar” tash në universitetet private në Shqipëri do të prodhojnë një politikë klienteliste e deri në shitje të interesave kombëtare. Mjafton të japin tendera, apo të lobojnë për ligje që i shërbejnë ngjyrës së universitetit ku kanë studiuar. E thënë troç, këtij vendi të vogël me një dashuri të jashtëzakonshme për arsim, i është prekur sedra kombëtare dhe i është keqpërdorur ëndrra evropiane duke u hapur universitetet publike e private në mënyrë politike dhe elektorale e pa asnjë strategji kombëtare në çdo cep të vendit. Prapa çdo universiteti ka ish-ministra, deputet të majtë e të djathtë, ka ish pedagogë të univesriteteve publike, që u joshën për nevoja ekonomike e politike pragmatike e nuk e kthyen më kokën prapa për pasojat që po i linin shoqërisë e kombit shqiptar. Shembujt e universiteteve me dy dhoma e një guzhinë në Shqipëri nuk përbëjnë lajm, por tregojnë shkallën e ulët të integritetit intelektual të profesorëve shqiptarë. Diplomat e universiteteve tanë janë bërë si “farat fallco në bujqësi” të cilat kur u vjen koha e korrjes e shikon çfarë rendimenti kanë e më pas bujqit u luten agronomëve e qendrave të bujqësisë në rrethe –“Amani na shpëtoni nga falementimi”. Se duhet të kishte një kriter për ngritjen e këtyre universiteteve private e publike. Po fundja pse politikës i interesonte hapja e kaq shumë universiteteve? Universitetin publik pse nuk e forcuan? Pse nuk i krijuan kushte që të bënin zgjedhje sipsas meritokracisë deri në Rektorat të universitetit publik. Pse krijuan universitet për mjekësi, apo që të shpërndaheshin fondet sipas metodës “përça e sundo”. Po me lirinë akademike u abuzua? Më thoni cila nga degët e universiteteve tona u njihen diplomat nga homologët në Evropë? Turp është, por ti numërosh me gishtat e dorës e llogaria nuk të del. Shitja e diplomës në këto 24 vjet arsim të lartë si në universitetin publik dhe në atë privat, ia ka ulur kredibilitetin qytetarit të Republikës së Shqipërisë kudo në botë. Arsimi i lartë në Shqipëri është një “Gërdec”, i cili nuk çminohet as me ligjin “Për Arsimin e Lartë e Kërkimin Shkencor”, por kërkon dekada për të ndryshuar mendësinë. Ky “Gërdec” në arsimin shqiptar, nuk shpërtheu aksidentalisht, por me detonatorin në dorën e politikës. Pengmarrja e trurit të rinisë shqiptare me gjoja arsimimin e popullsisë për numër banorësh si në Evropë, minoi gjithë arsimin shqiptar me pasoja dramatike. Profesorëve të rinj e të vjetër si formë presioni për të heshtur ndaj fenomeneve të politikës së ditës, iu afrua punë e parë, e dytë, deri dhe e tretë në universitetet private. Molepsja ndaj parasë çoi në uljen e performancës së këtyre pedagogëve në mësimdhënie, në universitetin publik. Kapitalizmi shqiptar ka treguar se është gati të shkatërrojë çdo gjë publike për të zhvatur nga prona publike edhe dyert e shkollave publike, po edhe duke shkatërruar sistemet e ngrohjes në universitet publike. Harrohen debatet në media të pronarëve të universiteteve private. Ata flisnin si firma immobilare ku të afronin kushte komode për klasat e auditoret. Duhej që në emër të liberalizmit të rrënohej çdo pronë e taksapaguesit shqiptar. Por mbi të gjitha, të korruptohej trupa pedagogjike e universitetit publik. Mjafton të lundroni në internet e të klikoni në Webin e universiteteve tona e kupton se sa pak transparencë ka .Webi i Universitetit të Tiranës është shembulli më konkret. Në të gjen ca informacione shumë të varfra. Po një student do të dijë kush është universiteti më i mirë dhe cilët janë pedagogët e tij me numrin e artikujve në revistat shkencore brenda e jashtë vendit e sa libra ka botuar në fushën përkatëse. Rektorati i Universitetit të Tiranës në Webin e tij, të paktën me premtimet e tij ekstravagante për investime në kampuse universitare, të kish investuar për një database me të dhëna për çdo pedagog të tijin e për çdo doktoraturë të tyre të ishte pasqyruar në internet e t’i rriste besueshmërinë në publik për të shmangur çdo aludim për plagjaturë. Po si duket ky nivel transparence do të prekte interesat e universiteteve private, të cilat e kanë biznesin më të rëndësishëm tani doktoraturën. Ka pasur paradokse deri në absurditet me doktorantët tanë në këto 10 vjet, siç ka pasur të burgosur në perëndim që merrnin diploma të Juridikut edhe pse nuk kishin shkelur qoftë edhe njëherë në Shqipëri. Në universitetet private u krijua një uri për petagog dhe burri botës pa universitet do të bënte doktoraturë që të mbante vendin e punës si pedagog në të njëjtin universitet ku studionte. Më keq akoma, vajza me sponsor ekonomik nga mosha 20-26 vjeçe dolën me tre diploma universitare e prite kur ndonjë ditë t’i shohim nëpër ekrane si juriste, ekononomiste agrare dhe padyshim dhe me diplomë letërsie si prijëse të pragmatizmit intelektual shqiptar….zoti na ruajt edhe me doktoraturë e profesoresha do ti kemi këto modele. Kur kujtoj profesorët e viteve të para mbas vitit 1991 në universitetet shqiptare, ishin po aq shok dhe armiq, dikujt i dilte emri si konservator i rregjimit të vjetër, dikush i tundte letrën e nenit famëkeq 24/1 kolegut në emër të partisë në pushtet e dikujt i rrëmbenin fëmijën po të mos i vinin notën që donin gangësterrët. Kishte klasa me dy studentë e thuhej se duhej mbyllur X apo Y fakultet në degët e inxhinierisë, që sot janë më të kërkuarat. Artistët e rinj po jepnin lekë për të kapur pikët e konkurseve, a thua se në Shqipëri kish ardhur koha e të bërit art si në të gjithë botën, por edhe ato pak lekë për kulturën që u hodhën nga shteti, më shumë ranë në dorë të ca klaneve që më shumë e kanë nxjerrë shqiptarin keq e më keq e zi e më zi, sesa e kanë futur në tregun botëror artin shqiptar. Heronjtë e teksteve për shkollat e larta sot janë harruar e ca më keq një parti kërkon t’i heqë për hunde sa herë ata shprehen në media. I kemi mend e kokës ne shqiptarët apo jo? Po si nuk i biem lapsit e të bëjmë llogari sa studentë studiojnë në universitetet e huaja, sa shpejzojnë familjet për këta studentë, po në universitetet private në Shqipëri të gjitha këto para a janë pasuri kombëtare? Po të vjen Kancelarja e Gjermanisë e të thotë dua punëtor të kualifikuar. Ku i ke more politikani im i strategjive euroatlantike, apo ti i doktoruari në fushën e burimeve njerëzore apo politikave të punësimit? Ne jemi bërë pjesë në projektin e gazësjellsit “Tap” e jemi të papërgatitur me njerëz të kualifikuar. Çfarë i thonë kësaj dritëshkurtësi, apo një klasë e të diplomuarve të cilët kanë krijuar “kastën” e tyre e për hallet e Shqipërisë nuk mbajnë përgjegjësi. Ka me qindra e mijëra studentë shqiptarë të cilët kanë mbaruar në universitet e Amerikës, të Evropës dhe Kanadasë e Indokinës, nuk i duhen Shqipërisë për një ditë të keqe, ashtu siç po shohim sot në qeverinë Greke. Ata duhet të gjejnë klimën e duhur sado me paga modeste për t’i shërbyer këtij vendi. Kush dikaster e ka një database me të dhënat e studentëve tanë kudo në botë? Kush drejtori e Ministrisë së Jashtëme apo e Ministrisë së Punësimit e ka një database me të dhënat se ku punojnë këta të diplomuar kudo në botë. Afrimi i këtyre prurjeve do t’i shërbejë kombit për një projekt real të strategjisë sonë në shekullin e ri me mendësi të reja e larg inflacionit të diplomave e doktoraturave pa vlerë e autoriteteve akademike pa integritet intelektual e pa moral të lodhur nga menopauza e korrupsionit të asfiksuar në vegjetimin e një gjendjeje postklienteliste nga njëra parti në tjetrën. Ka shtete dhjetra milionëshe për numër banorësh e nuk të lejojnë të bësh ç’të teket ty me të arrdhmen e brezit të ri, të minosh të arrdhmen e një kombi, sepse në mendësinë tënde prej diktatori apo autokrati me diabolizëm s’e ke për gjë të thuash mbas meje u djegshin të gjithë, flaka nuk i ka dalë. Libri për “Gërdecin” që sapo ka dalë në Shqipëri ka për fabul një shtet familjar dhe qytetar të nënshtruar pa ndjenjën e revoltës. Ndërsa “Libri për Gërdecin në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri” duhet shkruar nga duar të pastra e mendje të ndritura që e duan këtë vend. Të tregohet në të krahas ëndrrës së shqiptarit për arsim edhe zullumi i politikës në 8 vjet që lamë pas. Të ketë guxim dhe shpresë tek e vërteta, se shqiptarë dhe intelektualë e profesorë të ndershëm ka dhe do të ketë ky komb. Ta kërkojmë kudo në botë edhe po nuk e kemi në Shqipëri, si Sokrati me qiriun atë kapacitet intelektual me gjak e shpirt shqiptari. Veç modelit që do reflektojë edhe të ardhmen e këtij vendi, ligji që pritet të votohet të ketë dhe atë lajtmotiv të rilindjes kombëtare për një Shqipëri të cilën “Kush të rrojë ta shohë zonjë”

 

 

4 komente në “Çminimi i Gërdecit në arsimin e lartë shqiptar”

  1. nigo says:

    Bravo Kastriot. Por shiko nga komentet sa vete e lexojne, komentojne e reflektojne, e do te kuptosh se keq jemi katandisur.Eshte per te uleritur se ku jemi me arsimin e cdo fushe tjeter.

  2. Geri says:

    Shkrimi me i cuditshem, u rihapen universitetet e mbyllura ndersa diploma me pare po jepen kudo!

  3. era says:

    Horrat e politikes jane shume te zgjuar per te arritur qellimin e tyre.
    Popullin e lene ne kufijte e mbijeteses dhe kur perpiqen per ta informuar per pislleqet qe bejne qeverite – ne kete rast per arsimin, ai eshte i lodhur, ekonomikisht i renuar dhe nuk e kupton se renimi ekonomik i vjen pikerisht se eshte indiferent ndaj ketyre pislleqeve dhe veprimeve mafioze dhe i pasigurte per forcen e tij.

    Qelbesirat qe po shkaterrojne te mirat publike te arritura me shume mund nga gjaku i ketij populli do ta gjejne vendin nuk diskutohet por e mira eshte qe te mos lejohen te bejne shume dem.
    Reforma ne arsim eshte nje akt i paster koruptiv, ne shkelje te KUSHTETUTES, per interesa te hartuesve dhe urdheruesve te saj.

    Nuk do e besoja kurre qe nje deputet te behej skllav i nje fashisti duke qene i ndergjegjshem per demin e madh qe i shkakton arsimit kjo palo reforme.Nuk e di se per cfare i gezohen atij mandati kur pranojne te trajtohen si skllever nga nje njeri qe me siguri duhet te kete komplekse inferioriteti ndaj arsimit te vertete.
    Populli duhet te ndergjegjesohet dhe te ngrihet te protestoje, ju siguroj qe nuk do kete me 21 Janar pavaresisht se kjo qeveri nuk beri asgje per te siguruar popullin qe shkaktaret e 21 janarit moren denimin e merituar

  4. Erion Ahmadinejad says:

    Urrejtjen për arsimin e lartë e ushqejnë dhe e mbajnë gjallë qeveritarët që nuk e posedojnë vetë atë.Historia përsëritet nga Enveri që perndoqi dhe donte të zhdukte intelektualët për shkak të shkollës së tij të pambaruar deri tek K/ministri i rradhës qe arsimin e lartë e mbaroi për shkak të emrit të të atit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje