Nga Erion Delvina
Me thirrmën “Fajtor! Dënim i përjetshëm”, sëpata e gjyqësorit ra. Për hekurishten që ngriti fatalisht, i vërvitur nga lumi i rrëmbyer i dashurisë në bregun e ndëshkimit, e hekurt u tregua forca e dënimit: deri në përjetësine e pas hekurave. Kjo çështje e hekurt për të cilën shkruaj duhet rrahur tani, në të nxehtin e korrikut. Sakaq, në të njëjtin muaj, palët politike, përfaqësuesit ndërkombetarë dhe aktorët e tjerë po bluajne e ziejne temën e reformimit të sistemit të drejtësisë. Gjykata e fushës përposhtë malit, rrëzë të cilit ngrihej fshati ku ngjarja e mëposhtme zë fill, dje dha vendimin e saj. As që synoj të përhumbem në duke e analizuar vendimin në fjalë, por duke qëndruar në hijen e një peme meditative, do të përpiqem ta nxjerrë në dritën e diellit të korrikut, nëpërmjet krahasimit, me disa vendime të tjera të të njëjtit muaj, por jo të së njëjtës stinë. Të paktën jo për subjektin në qendër të rrëfimit të mëposhtëm.
Në një fshat të Shqipërisë banorët janë familjarë me rrëshqitjen e dheut. C’nuk bëjnë t’i shpëtojnë e mpakin gjithë c’lë pas sa herë e kanë për rrësk. Ndryshe nga marrëdhënia me rrëshqitjen e dheut, burrat e fshatit nuk janë aspak familjar me rrëshqitjet e marrëdhënies bashkëshortore, edhe pse, tek-tuk, ço ku ndonjëri edhe tradhëton e ndonjë tjetër edhe tradhëtohet.
Njëri prej këtyre, një ditë janari, atëherë kur gjaku zjen – nuk di të them mëngjes, drekë a darkë në ish – zgjodhi të vrasë tjetrin. U tha ne media se i tradhëtuari, lashtësisht, (ndoshta edhe viktime e reflekseve primitive që vlojnë prej flagrancës) zbatoi dënimin me sëpatë mbi trupin e bashkëpunëtorit të ngushtë të tradhëtueses së tij të drejtpërdrejtë, shokun e dyshuar të bashkëshortes.
Tradhtia mbeti; të paktën për sa u shkrua ne media, edhe në mos pastë ndodhur. Tradhtia mbeti; përsa në emër të tradhtise një frymë u nda nga trupi në të cilin gjallonte. Përsa në emër të tradhëtise nje grua ligjërisht ndryshoi statusin e gjëndjes civile. Përsa në emër të tradhëtisë, qëllimi i fundëm i saj, dashuria/pasioni mbase, nuk u kurorëzua. Përsa në emër të tradhëtisë, vrasësi në emër të saj nga vetëdrejtësia me sëpatë u përball me një sëpatë drejtësie, mbase të mprehur fare pa shpirt dhe të lëshuar përplot tradhëti ndaj tij. Më saktë, tradhëtisht ndaj shtresës së tij.
Shtresës them?
Ç’shtresë përfaqëson banori i tokës, që pasi rreshkiti një herë nën themelet e vatrës shtëpiake, rrëshkiti përsëdyti në lartësine e trupit ndanë shtratit bashkëshortor dhe së treti mbi kokën e tij, nga drejtësia?
Ç’shtresë përfaqëson i gjakperlyeri që, per mjet të përmbushjes së vendimit të vetëcaktuar, përdor mjetin e përmbushjes së ngrohjes, sëpatën? Fundja, nga secili prej drurëve mbi të cilët ajo sëpatë pati rënë ngrohej edhe vatra familjare e deridjeshme. Me përjashtim të njërit syresh, frymorit (edhe ky i deridjeshëm fatkeqësisht).
Ç’shtresë përfaqëson krimbërësi që, përkundër ligjit, përkundër rrjedhës normale të protestës ndaj aktit të tradhëtisë bashkëshortore, zgjodhi të vrasë?
Ma thote ndokush? E them vetë! Ne burg shkoftë, sigurisht që përfaqëson shtresën e vrasësve!
Vetëm se ka një koklavitje të vogël . Mbase edhe pse ai zgjodhi të përdorë sëpatën, mbase edhe pse ai zgjodhi ta ndërprese shpejt një rrjedhë të pëlqyeshme për novelat letrare, televizive dhe radiofonike, ndoshta edhe pse ai është më pak i barabarti mes të barabartëve përpara ligjit oruellin, subjekti të cilin zgjodha për fjalën e tanishme është më pak përfaqësuesi i “shtresës”.
Fatkeqi të cilit i rrëshket toka, gruaja dhe sëpata, u gjykua me standard të ndryshëm nga të tjerë krimbërës si ai, të së njejtës stine të nxehtë.
Kjo është çështja! Në emër të tradhëtisë, vetëgjyqësia e përballi me sëpatën e drejtësië, të mprehur e të lëshuar përplot tradhëti ndaj shtresës së tij, atë të të pambrojturve. “Fajtor. Dënim i perjetshëm”. Sa shumë!
Hmmm…më pëlqen stili