Të metat e arsimit europian dhe nevojat tona

17 Korrik 2015, 20:07Blog TEMA

Nga Arben Ndreca

Xavier Prats Monne, Drejtori i Përgjithshëm për Edukimin dhe Kulturën në KE, këto ditë komentoi me shumë dashamirësi projektligjin shqiptar për arsimin.

Kur një projektligj miratohet kthehet në ligj dhe si i tillë ka vetinë e pashmangshme të unjisimit, pra të gjithë e gjithçka konsiderohet si e barabartë para tij. Shfaqet kështu një e mbetë latente e ligjit – ajo e asimilimit të veçorive, tipareve ma themelore, virtyteve. Kjo ndodh pse ligji ofron të njejtën zgjidhje për të njëjtat probleme. Kësisoj, globalizimi në shkallë europiane do të mbartë me vete të njejtat probleme, ç’merr prej Islandet deri në Qipro. Po te kjo pikë do të kthehemi ma tej.

Në rasën konkrete, Prats Monne, foli për projektligjin mbi arsimin e lartë dhe arsimin në vendin tonë. Por të shohim pak në ç’gjendje asht arsimi në shkallë europiane dhe frytet e tij.

Karta e Bolonjës (Carta di Bologna) – asht një dështim i reformës arsimore në Europë. Ajo që u pat nisë hovshëm me sjellë diçka të re, kallëzoi se ishte vetëm rrënimtare e kurrgja ma shumë. Sistemi universitar tri plus dy, ku tri vjetët e para shërbejnë për atë që quhet Bachelor, dhe dy të dytat Master’s, ka sjellë vetëm krijimin e një klase studentash gjysmakë, të paaftë për punë e veprimtari intelektuale. Nga njena anë thuhet se studentët që braktisin universitetin janë shuplakë për shoqëninë, por nga ana tjetër nxiten, përmes kësaj Karte, të ndërpresin studimet me arsyetimin se “mund të punësohen”. Praktika – e cila nuk mund të gënjejnë – ka tregue se studentët me tri vjet diplomë e kanë ma të vështirë me gjetë punë se ata me diplomë pesëvjeçare. Ky lloj sistemi arsimor ka ndikue jo pak edhe tek ashpërsimi i krizës së sotme ekonomike dhe financiare.

Posë kësaj, Carta di Bologna, kishte si qëllim me afrue botën studimore me atë të fushës kërkimore-prodhuese. As ky synim nuk asht kapë. Një student që kryen, në daç studimet trivjeçare, në daç ato pesëvjeçare, del në botën e punës krejtësisht i papërgatitun. Atëherë i kërkohet me krye një farë specializimi që quhet internship – një lloj pune shegertit, sadoqë e pagueme (por jo në të gjitha vendet e BE) pranë një ndërmarrjeje. Në fund, mund ta marrin në punë ose jo.

Në këtë pikë, nuk ka kurrfarë bashkëpunimit me botën studimore. Nëse Karta e famshme do ta kishte pasë njëmend për zemër këtë bashkëpunim, atëherë do të ishte dashtë që studenti, kohën e praktikës ta kryente në kuadër të studimeve universitare; në fund të kësaj praktike, të paraqiste frytet e punës së vet fizike dhe kërkimore dhe për këtë të vlerësohej jo vetëm nga industrialisti, por edhe nga profesori universitar. Kështu, po, do të kishte ndërveprim dhe bashkëpunim, dhe arsimi do të ishte një e drejtë e njeriut; që e përgatit për jetën; dhe aleat i industrisë, bujqësisë, ndërmarrjeve dhe shkencës.

Në këmbim të kësaj të drejte të dorës së parë, studentëve iu ofrohet ERASMUS, një periudhe studimesh jashtështetit, e cila, po, i çel dritaret të riut në një botë të re, por nuk e aftëson për të, tue u shndrrue kësisoj në një kohë dëfrimesh e hallakatjesh.

Po ashtu, Prats Monne thotë krejt shpengueshëm se asht e qartë se arsimi nuk do të mund të subvencionohet nga shteti. Me fjalë tjera, “asht një e drejtë por nuk e kemi me detyrë me jua garantue”. Po shkohet kështu drejt privatizimit të plotë jo të arsimit, por të së drejtës për arsim. Kështu, nuk do të jetë ma Kushtetuta ajo që do t’ua garantojnë të rinjve këtë të drejtë por fondacionet dhe shoqatat bamirëse. (Mjerisht asht veprue kështu edhe në fusha të tjera, si psh në atë të financave europiane: euroja mbarështohet prej bankave e parlamenti europian nuk ka kurrfarë tagrit mbi të.). E në këtë dalldisje të madhe, kokat e BE shqetësohen, ma shumë e ma, për bordet drejtuese të Universiteteve. Del, pra, se ligji për arsimin nuk asht një ligj për arsimimin por Ligj për financimin dhe mbarështimin e arsimit.

Nuk asht ma i mirë as arsimi i ulët, apo ai nëntëvjeçar në BE. Një nxanës i klasës së tretë, katërt, pestë e kështu me radhë, e nis ditën rreth orës 7 dhe shkon në shtëpi rreth orës 4 ose 5, ose 6 pasdite. Kjo ndodh pse prindit punojnë me orë të zgjatuna dhe fëmijt nuk ka kush i merr nga shkolla. Kështu, duhet që këta të frekuentojnë kurse noti, futbolli, aerobike, anglishteje, etj. etj., që paguhen prej prindërve (v.o. Kjo dukuni nuk asht gjithkund njëlloj në vendet e BE.). Këta fëmijë nuk janë ma të tillë por klasë punëtorë qysh tashti, me bukë në trastë; janë stakanovistët e së ardhmes të vaditun me depresion, që asht vneri i shoqnisë europiane.

Një tjetër pikë që burokratët e BE anashkalojnë asht se arsimi nuk përcjell vetëm dituni – përçon edhe moral e etikë. Pikërisht këtu arsimi ynë çalon ma shumë.

Shteti shqiptar e pati zanafillën e vet jo tek barazia mes shtresave por tek etja për arsim, gja që i ishte mohue për shekuj me radhë deri në 1912 e që përban një të veçantë të tijën. Me fjalë tjera, arsimi do të duhej të ishte shprehja ma themelore e shtetit tonë. Një kontradiktë e hapun, ma e randë se nandë varrët e Gjergj Elez Alisë, asht çelë gjatë kohës së “demokracisë” mes shtetit shqiptar dhe arsimit që ky shtet mban në kambë. Shkolla, bashkë me dijet, përcjell edhe moralin. Ky i edukon nxanësit me ndjenjat e dlira e të sinqerta të dashunisë, ndershmënisë, humanizmit – gja që nuk asht pasqyrue prej figurave të politikës sonë në këto vjet demokraci. Kush do ta fitojnë këtë betejë? Ata që gënjejnë në çdo rrokje që flasin apo ata që përpiqen me rrezatue humanizëm e mirësi e që, për ironi të rrethanave, janë të mbajtun prej shtetit?

Kah ana tjetër, që të mos asimilohemi në këtë epokë globalizimi, lypet me mbrojtë cilësitë që na ndajnë në shenj prej kombeve të tjera (mikpritja, bujaria, besa, qëndresa, zemërbardhësia, etj). Nevojitet, sadoqë këto dy vjet janë ba hapa të guximshëm në arsim, që këto të dikohen në ndërgjegjen e të rinjve me durim e ngulmim; jo të jenë thjeshtë disa tema të shkapërndame të programeve shkollore, por synime afatgjata të strategjisë për arsimin.

Gjendjen, për të mirë, në Shqipni nuk do ta ndryshojnë politikanët që qysh tash janë nxjerrë jashtëluftimit, por një ushtri mësuesish e nxanësish të mirë.

6 komente në “Të metat e arsimit europian dhe nevojat tona”

  1. sit.. back....and relaks → says:

    Po mar ta marrsha po a ban me shkrujtun pak ma letrarisht.

  2. batoni says:

    Shume gjera nuk i kuptova nga menyra e te shkruajturit. Megjithate aty nga fundi shkrimit e mora me mend se kishte shume te drejte shkruesi per çeshtjet e edukimit, qe une do isha i mendimit se shkolle dhe metode me te mire se ajo qe kam bere une, nuk ka per te pase kurre. Ketu jam kategorik duke pare çfare niveli kane shumica e brezit te sotem. Une mbarova 7-vjeçaren, gjimnazin e pergjithshem 4 vjet dhe 5 vjet universitetin. Qe kur shkolla u be 8-vjeçare, filloi te bjere cilesia. Une kam dhene provime ne klasen e 4-et per te kaluar ne te 5-en. Sot pretendohet se rendohen femijet e te tjera gjera. Teknollogjia e ka demtuar femijen jashtezakonisht, pavaresisht se lexojme kuriozitete se filan fenomen etj. Keshtu ka dhe te kafshet. Por dua te insistoj. Nuk rendohet femija me programe te renduar apo ti zesh kohen me mesime. Jo. Sa me shume ta rendosh me mesime, aq me mire eshte per zhvillimin e tij. E di pse behen te gjitha keto? Se s’ka me shtet ligjor, s’ka moral, s’ka respekt, s’ka drejtesi, s’ka nder, s’ka turp; shoqeria eshte ne agoni, te varferit duan te mbijetojne, te pasurit duan te gllaberojne, ambicja eshte tinzare dhe e kthyer ne cmire. Pra gjerat jane ne kompleks, por ç’duhet te bejme. Me insistim ta reformojne shoqerine, me ligje rregula dhe me shume me zbatimin e tyre nje per nje qe njerezit te kuptojne qe po nuk e zbatuan e pesojne

    1. Idd says:

      o Batoni,
      a se more vesh ate qe eshte shkrujt?!
      Lerme te te ndricoj- eshte gegnishtja e dashur, gjuha e Mjedes,Fishtes, Bogdanit, Martinit, Migjenit te paperseritshem, etj etj
      Sikur ti ne komentin tend te kishe shkrujt me rregulla drejtshkrimore dhe gramatikore, do te ta kisha fal ate syrin (dhe pordhen me rigon) kritik, por s’me ke lene asnje shteg…
      Hajt tung

  3. msh says:

    Nuk mund te thoje toskerisht dhe thot letrarisht, ne vend qe te merret me permbajtjen.

  4. Zani Burimi says:

    Dua qe ne fillim, te them se e kam lexuar “me laps ne dore” artikullin e Prats Monne dhe me vjen mire qe Ndreca e ka sqaruar tamam per sot dhe per neser thelbin e reformes. Gjithashtu jam me mendimet e komentuesit “batoni”, i cili duhet ta ndjeje deri te nilerit e mbesat gropen e madhe qe eshte bere ne arsim nga ministrat e Arsimit keto 25 vite. Keta ministra i vune kazmen edhe asaj ngrehine me baza qe vuri Gjinushi. Pacin faqen e zeze ata dhe kryeministrat qe i vune!
    Ndersa per punen e asaj qe permendet per gjuhen letrare, i them Ndreces, qe do me uduke si i veccante e karaduz, se tani, or lum miku, nuk ta vershellen askush per ata lloj gegnishtes qe jane shkruar dikur: thjesht nuk e shijon asnje nxenes, madje u duket si gjuhe e huaj, ani se e kane shkruar mendje te ndritura!
    P. s.: Aman, vetem me mllefe mos shkruani!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje