Kompensimi i pronave, qeveria ofron çmime disa herë më të ulëta se tregu

21 Korrik 2015, 18:09Ekonomia TEMA

Me një projektligj që synon të kënaqë Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, qeveria synon të ulë çmimin e një pjese të pronave për kompensim ndërsa premton para nga buxheti dhe prona publike për të zgjidhur problemin në mënyrë sistematike.

Nga Gjergj Erebara

Projektligji Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave i përgatitur nga qeveria dhe që aktualisht është hedhur për diskutim me grupet e interesit, synon të plotësojë kërkesën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për t’i dhënë zgjidhje sistemike problemit të kompensimeve të premtuara gjatë dy dekadave të fundit për pronat e sekuestruara gjatë kohës së komunizmit përmes krijimit të një fondi kompensimi i cili do të financohet nga buxheti i shtetit në masën prej minimalisht 5 miliardë lekë në vit (40 milionë euro) si dhe përmes vënies në dispozicion të kompensimit të një sasie pronash publike, lista dhe përmasat e të cilave nuk janë bërë të qarta.

Çmime të deflacionuara

Projektligji synon që qeveria efektivisht të blejë pronat, për të cilat ka një vendim njohjeje nga Komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilat funksionuan në Shqipëri pas rënies së komunizmit. Sipas kryeministrit Edi Rama, janë 26 mijë vendime të tilla që presin ekzekutim dhe 9 mijë të tjera që presin shqyrtimin.

Projektligji sanksionon përdorimin e një vendimi të qeverisë të njohur si “harta e vlerës së pronës”, e cila përbëhet nga një vendim qeverie që vendos një çmim për kategori të ndryshme të pronave. Këto çmime janë dukshëm shumë herë më të ulëta se tregu. Psh, çmimi më i lartë për tokë truall për kompensim në qendër të Tiranës është përcaktuar për vitin 2013, 57,126 lekë për metër katror, ose më pak se 410 euro për metër katror. Për qytetin e Durrësit, çmimi më i lartë është përcaktuar në masën 17,898 lekë për metër katror, ose më pak se 128 euro. Këto janë çmime katër apo pesë herë më të ulëta se sa çmimi i tregut.

Për tokat bujqësore, çmimet ulen në mënyrë dramatike. Psh, tokat bujqësore të Beratit, të cilat konsiderohen si më pjelloret në Shqipëri, çmimet e përcaktuara nga qeveria variojnë nga 110 në 205 lekë për metër katror.

Në zonat më të thella të vendit, çmimi i tokave për kompensim ulet më tej. Psh, tokat kullotë apo tokat pyje kompensohen me një çmim prej vetëm 85 lekësh për metër katror.

Çmim bujqësor për zonat e reja urbane

Pjesa më e debatueshme e projekt-ligjit është pika 3 e nenit 6, e cila sanksionon që toka do të vlerësohet sipas statusit që ka pasur në kohën e shpronësimit dhe jo sipas statusit që ajo ka sot. Kjo do të thotë se tokat që sot mund të kenë statusin e truallit, veçanërisht ato përreth qyteteve të mëdha, do të duhet të kompensohen me çmimin e tokës bujqësore. Një pjesë e madhe e tokave përreth Tiranës, qyteti që ka pësuar dyfishim në sipërfaqe përgjatë dekadave të fundit, do të kompensohen me çmimin e tokës bujqësore,  çmim që varion nga 200 në 450 lekë për metër katror.

Procesi

Projektligji sanksionon që Agjencia e Pronave të vlerësojë sipas hartës së çmimeve, çdo vendim të mëparshëm kompensimi. Pas kësaj, çmimi i nxjerrë i pronës do të indeksohet me normën e inflacionit të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë nga çasti i vlerësimit deri në çastin e ekzekutimit të kompensimit.

5 miliardë lekë në vit

Qeveria ka përcaktuar në ligj se do të akordojë çdo vit së paku 5 miliardë lekë fond për kompensim financiar. Përveç kompensimit financiar, të mbuluar nga buxheti i shtetit, qeveria në projektligj shpreh synimin për të nxjerrë në shitje prona publike përmes ankandit, ku poseduesit e titujve për kompensim kanë të drejtë të marrin pjesë. Projektligji sanksionon që Agjencia do të nxjerrë në ankand pronat shtetërore për dy herë, ku e drejta e pjesëmarrjes i takon ekskluzivisht poseduesve të të drejtës për kompensim dhe në rast se ankandet dështojnë, e nxjerr këtë pronë në ankand të hapur me kushtin që të ardhurat e krijuara nga shitja të kalojnë te kompensimi financiar. Stoku i pronave publike që do të vihen në dispozicion për shitje për këtë qëllim është i paqartë. Prej vitesh është folur për një sasi toke prej rreth 200 mijë hektarësh që aktualisht gjendet nën pronësinë e Ministrisë së Bujqësisë pasi u refuzua nga përfituesit e ligjit 7501 për shpërdarjen e tokës si tokë e pafrutëshme.

Pesë vjet për vlerësimin

Projektligji sanksionon që agjencia duhet të kryejë vlerësimin e titujve të pronave për kompensim brenda pesë viteve nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe në rast se nuk e bën, subjekti kërkues ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës administrative për ta detyruar agjencinë të kryejë vlerësimin.

Vlerësimi do të nisë nga vendimet e agjencive të kthimit dhe kompensimit të pronave që janë më të vjetra deri te vendimet më të reja. Kjo sugjeron gjithashtu që edhe rradha e kompensimit financiar do të bazohet te vendimi më i vjetër për njohje për kompensim pronash deri te vendimi më i ri. Projektligji sugjeron që i gjithë procesi i kompensimit duhet të ndodhë brenda dhjetë vitesh.

Qëndrueshmëria financiare

Shqipëria miratoi ligjin e parë për kthimin dhe kompensimin e pronave në vitin 1992 me atë të së cilit premtoi se do të kthente pronat e lira të “shtetëzuara” gjatë kohës së komunizmit dhe do të kompensonte në natyrë pronat që pasi qenë shtetëzuar, qenë zënë dhe rrjedhimisht nuk ishin më të disponueshme për kthim fizik.

Në vitin 2004, pas një presioni të gjatë nga pronarët si dhe nga faktori ndërkombëtar, qeveria socialiste e asaj kohe miratoi një ligj të ri, i cili synonte të kryente procesin e mbetur pezull të kompensimit të pronave. Por ligji i vitit 2004 nuk rezultoi i mbuluar me fonde dhe efektivisht qe i pazbatueshëm. Psh, kompensimi njihej për çdo tokë bujqësore të zënë, pavarësisht nëse pronari i saj kishte marrë tokë bujqësore me ligjin 7501 apo jo.

Pak vite më vonë, u bë e qartë se qeveria socialiste që e miratoi dhe ajo e Partisë Demokratike e cila duhej ta zbatonte, nuk kishin ndër mend ta zbatonin. Një nga raportet e progresit që Komisioni Europian përgatit çdo vit për Shqipërinë, sugjeroi që Shqipëria, përveç miratimit të një ligji për kompensim, duhej të miratonte edhe një plan financiar konkret dhe të besueshëm.

Problemi u rikthye gjatë viteve të fundit, kur një numër shqiptarësh, pasi përfunduan proceset e gjata gjyqësore në Shqipëri, iu drejtuan Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për të kërkuar zbatimin e vendimeve që qeveria shqiptare pati marrë për kompensim.

Në vitin 2012, Gjykata argumentoi se vendimet e saj të mëparshme mbi këtë çështje nuk qenë pasuar nga qeveria e Shqipërisë për të zgjidhur në mënyrë sistemike problemin dhe e vendosi atë në një regjim pilot dhe duke e kërcënuar me sanksione. Gjykata deklaroi se mund të gjykonte në bllok rreth 20 kërkesa të tilla duke akorduar shuma marramendëse kompensimi, gjë që mund të sillte edhe falimentimin e të gjithë shtetit shqiptar. Qeveria e Partisë Demokratike, e cila mori ultimatumin e gjykatës në korrik të vitit 2012, e la çështjen në harresë deri sa doli nga zyra një vit më pas.

Në kundërpërgjigje të kërkesës së gjykatës, qeveria përgatiti projektligjin aktual, i cili premton të vendosë në dispozicion të kompensimit minimalisht 5 miliardë lekë në vit dhe mbylljen e procesit për dhjetë vjet. Por se a është kjo e mjaftueshme, kjo mbetet e paqartë. Fatura finale e vlerës së pronave për kompensim do të mund të mësohet vetëm pasi të përfundojë procesi i vlerësimit të çdo kërkese, proces që do të zgjasë, sipas projektligjit, minimalisht pesë vjet.

4 komente në “Kompensimi i pronave, qeveria ofron çmime disa herë më të ulëta se tregu”

  1. TE KRIJOHET NJI KOMISION I ISHPRONAREVE DHE HEDHI NE GJYQ NDERKOMBETARE
    QEVERRRINE SHQIPKARE !
    UN O E MARR ATE TOKE BLER ME FLORI NGA TE PARET E MI KURVES TURKE ;
    ME CMIMIN QE JU KTHYE PRONA EDHE GODOLESHEVE NE PUSHTET
    ME CMIMIN E NJOHUR NGA BE-JA SI E MOREN GJITHE POLITIKANET SHKERDHATA SHQIPTARE TOPI- GODO- XHELEFINA-E GJITHE SUITA E POLITIKES !
    MOS PRANONI KURR QE KTA SHKERDHATA POLITIKAN TE VJEDHIN GJAKUN TUAJ

  2. A says:

    Si mazhoranca e sotme me ne krye njefare EDI RAMA dhe mazhoranca e djeshme me ne krye mashtruesin SALI BERISHA, kurre dhe per asnje cast nuk kane dashur dhe nuk duan te zgjidhin problemin e pronave private si duhet dhe sa e kane vleren reale prona e tyre e paluajteshme.
    SALI BERISHA, qe ne fillim pretendoj se interesat e pronareve ligjitim qe quhen akoma ish-pronar i mbroj une dhe mi leni mue, kur ne fakt ja futi sa krahu ne te gjitha drejtimet e mundeshme. Kuptohet duke qendruar ne pushtet per 13-te vjet.
    Kurse ky kaptin madhi EDI RAMI, e pat thene ne nje emision televiziv qe si une dhe Partia Socialiste nuk kemi pune te mbrojme interesat e ish-pronareve dhe s’kemi pune me to.
    Te gjitha keto veprime ndodhin me ish-pronaret sepse politika shqiptare e PD-se dhe PS-se kane zbatuar udhezimet dhe direktivat e KATOVICVES, qe ish-pronaret i kane patur te qarta qe ne fillim, por si shtrese amorfe pa dinjitet dhe personalitet i jane nenshtruar politikes shqiptare te degraduar nga persona te tille si SALI BERISHA, FATOS NANO, ILIR META, LULEZIM BASHA dhe nga ky i fundit EDI RAMA. QE nuk eshte tjeter vetem se nje demagog dhe mashtrues ordiner, ben sikur punon dhe vepron por te gjitha i ka brockulla dhe genjeshtra.
    Pronaret nuk duhet te pranojne asgje nga keto ligje qe jane te nxjerrura dhe te tjera qe do te nxirren sepse do te dalin me buze te kuqe dhe pa kepuce.
    Fatkeqesia eshte se ish-pronaret nga pushtetaret e cdo momenti jane trajtuar si budallenj, si handikapat, si psikopat, si servila qe i jep nje leter ne dore dhe sillet me ate ne dore duke e shikuar me vite dhe rruges hecin duke folur me vehte. Ky eshte sot fatkeqesisht takemi i njerezve qe quhen ish-pronar. Tung.

  3. zana says:

    Masaker mbi pronaret e vjeter si shprehje e urrejtjes klasore te pinjolleve te Bllokut (Rama, Gegprifti etj.). Nje projektligj me dispozita dhe percaktime krejt alogjike dhe ne shkelje te Kushtetutes, ashtu siç Edi Rama di dhe ben sa here qe i don qejfi (marrja per baze çmimi i tokes i vitit 1976 (?!), kompensimi i tokes truall me çmimin e tokes bujqesore (?!) etj. etj.). Pse heshtin shoqatat dhe forumet shqiptare te te drejtave te njeriut? Edhe shoqatat e pronareve duhet te bashkohen per kauzen e perbashket dhe ta dergojne çeshtjen jo vetem ne Strasburg, por edhe ne OKB.
    Parrullat shtazarake te luftes se klasave per interesin e pergjithshem mbi ate personal etj. shfrytezohen thjesht per interesa korruptive te klases politike te degjeneruar dhe synojne venien e shtresave te ndryshme shoqerore ne konflikt me njera-tjetren. 5 miliard leke ne vit per shpronesimet jane shume pak. Kujtoni milionat EUR te vjedhura te konstatuara nga KLSh vetem ne keto dy vjet te qeverisjes se koalicionit te te babeziturve PS-LSI. Shto edhe miliona EUR te vjedhura nga bandat e militanteve te tyre ne dogana dhe tatime. A nuk do te mjaftonin ato qe brenda nje kohe te shkurter dhe si duhet te mbyllej kjo plage e hapur e shoqerise shqiptare?

  4. hirushja says:

    a din ndonjeri se kujt mund ti drejtohem per te sqaruar nje pyetje mbi tokat.E kam fjalen per njeri kompetent jo sa per muhabet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje