Trafiku ndërkombëtar i drogës, Prokuroria kërkon 20 vjet burg për Gëzim Çelën

21 Korrik 2015, 12:46Kronika TEMA

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 20 vjet burg për Gëzim Çelaj dhe 13 vjet e 6 muaj burg për Realt Hysolli, të akuzuar për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve”.

Nga hetimi nisur gjatë vitit 2014, Prokuroria për Krime të Rënda kishte krijuar dyshime se shtetasi Gëzim Çela dhe Valentina Tufa kishin krijuar kontakte me shtetas të ndryshëm shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e SHBA, për të trafikuar lëndë narkotike “kokainë” nga vendet e Amerikës Latine, në drejtim të Kosovës, Shqipërisë e më tej, në vendet e Bashkimit Europian.

Gjatë operacionit të drejtuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bashkëpunim me autoritetet policore shqiptare, si edhe me autoritetet gjyqësore të Kosovës, në dt. 12.06.2014 u arrestua në pikën kufitare të Morinës shtetasi Realt Hysolli, i cili ishte korrieri që po sillte me automjet rreth 7 kilogramë kokainë për llogari të shtetasit Gëzim Çela.

Kjo ngarkesë ishte siguruar në Kosovë nga bashkëpunëtorja e shtetasit Çela, shtetasja Valentina Tufa, e cila, pas një koordinimi ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe kosovarë, u arrestua në një banesë në një fshat në Pejë, ku nga kontrolli në atë ambjent u zbulua edhe një laborator për përpunimin e lëndës narkotike kokainë.

Në kohë reale me këto arrestime, policia shqiptare organizoi operacionin për arrestimin e personit kyç të këtij trafiku, shtetasit Gëzim Çelaj.

U bënë kontrolle në banesën e tij 3-katëshe në Fushë-Kuqe të Laçit, si edhe në apartamentin e tij, në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, por nuk u bë e mundur gjetja dhe arrestimi i tij.

Ndërkohë, nga kontrolli në banesën e të pandehurit Gëzim Çela në Fushë-Kuqe, ku jetonte së bashku me familjen e të vëllait, Kujtim Çela, u gjetën dhe u sekuestruan 207 kg lëndë narkotike cannabis sattiva, 5 kg lëndë narkotike “heroinë”, lëndë përzjerës për lëndë narkotike, si edhe 13 armë luftarake.

Po ashtu, nga kontrolli në apartamentin e të pandehurit Gëzim Çela në Tiranë u zbuluan rreth 143 mijë euro, një pistoletë, si edhe një sasi lënde narkotike “heroinë”.

Para fillimit të shqyrtimit gjyqësor, në përputhje me nenin 403 e vijues të Kodit të Procedurës Penal, mbrojtja e të pandehurve ka kërkuar procedurën me gjykim të shkurtuar, pra vijimin e gjykimit me aktet në gjendjen që ishin aktet e prokurorit.

Kjo kërkesë u pranua nga ana e gjykatës, gjë e cila u krijon mundësi të pandehurve të përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit, nëse shpallen fajtor.

Për këtë arsye, në konkluzionet e saj përfundimtare, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon si dënim përfundimtar 13 vjet burgim për të pandehurin Gëzim Çela dhe 9 vjet për të pandehurin Realt Hysolli.

 

2 komente në “Trafiku ndërkombëtar i drogës, Prokuroria kërkon 20 vjet burg për Gëzim Çelën”

  1. Illyrian says:

    Çela, Çelaj, Çela, Çelaj…
    Si perfundim, a e gjetet mbiemrin e sakt?

  2. Tema says:

    Vetëm probleme kemi nga kta tipa.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje